Java e 20-të merr “jetë” mes turpit dhe zhvillimeve të javës së 19-të

485
Sigal

Futbolli shqiptar, ashtu si çdo gjë shqiptare, vazhdon të ndodhet në një periudhë tranzicioni, tranzicion i turpshëm ku askush siç duket nuk mundohet që të arrihet një farë përmirësimi, vetëm duke u zhytur thellë e më thellë në një turp të përbashkët. Edhe pse pothuaj filloi java e 20-të e kampionatit, askush nuk mendon për ndeshjet që vijnë por për ato që shkuan, duke mos dhënë garanci se do të jemi pjesë e një jave ku luhet vetëm për pikë dhe për asgjë tjetër. Loja e futbollit në vetvete është bërë shumë më shumë sesa një “lojë”, e kjo ka vite që ka filluar e vazhdon që të zgjasë pambarimisht. Duke u kthyer tek java e radhës në kampionatin shqiptar, vlen të përmendet se përtej të gjithave, kjo javë e 20-të rezervon ndeshje interesante, ku bie ne sy takimi mes Tiranës dhe Flamurtarit që do të luhet në “Elbasan Arena” duke qenë se “Qemal Stafa” vazhdon të mos jetë gati as edhe për takimet e dyta. Në këtë takim, skuadra kryeqytetase ka përpara një ndeshje shumë të vështirë, pasi përballë kanë një Flamurtari shumë më të motivuar, nisur edhe nga ngjarjet e ditëve të fundit që vazhdojnë të përcillen të vëmendjen e të gjithëve. Si Tirana ashtu edhe Flamurtari kanë një sfidë me vete, ku fitorja nuk është më një arritje por një detyrim absolut. Ky takim do jetë takimi hapës i kësaj jave, për t’u ndjekur më pas me Kukësi-Elbasani, ku verilindorët vazhdojnë të ruajnë vendin e parë në renditje me një bindje më të madhe, sidomos pas asaj fitoreje në Shkodër që i jep përparësi të shikojë më me qetësi përpara. Pavarësisht të gjithave, Elbasani nuk mund të cilësohet si skuadër që ka potencialin që t’i bëjë ballë Kukësit, për më tepër në “Zeqir Ymeri”, duke e shumëzuar, pothuaj, me zero mundësinë që Elbasani të ngrihet pikërisht në Kukës. Fitorja është e volitshme për të dyja, por vendasit janë më të predispozuar që të luajnë më fort për fitore, duke parë që kundërshtaret nuk është se janë edhe aq larg me pikë, mjafton një “rrëshqitje” dhe humbet edhe ai pak avantazh i krijuar. Takimi i radhës luhet në stadiumin e një prej skuadrave më të përfolura të radhës, Teuta, që do të ketë përballë Vllazninë. Të dy ekipet vinë pas dy humbjeve me të njëjtin rezultat, 2-1, paçka se mënyra se si u zhvilluan ndeshjet ishte diçka e ndryshme. Duke marrë për bazë cilësitë e skuadrës dhe atë që kanë dhënë këto ekipe, është Vllaznia ajo që shihet si favorite për të marrë 3 pikët e mundshme, por as Teuta nuk mund të lihet mënjanë pasi dëshira për të treguar “lojë të pastër” mund të ketë ndikimin e vet. Skuadra shkodrane është kaluar në renditje nga Flamurtari, duke u rikthyer edhe një herë në vendin e shtatë, vend që aktualisht nuk e rrezikon Vllazninë sa i përket pranisë në Superligë sezonin e ardhshëm. Ndeshjet e fundit të javës i takojnë dy skuadrave që luftojnë për titull, duke filluar me Partizanin që shkon në Fier, në ndeshjen ndaj Apolonisë. Fierakët dolën me humbje nga ndeshja me Tiranën dhe është fati i tyre i keq që të ndeshen po me një skuadër të kryeqytetit, ku sigurisht Partizani nuk duhet ta ketë edhe aq të vështirë që të vendosë duart tek 3 pikëshi i parë për vitin 2015-ë.  Ndeshja e fundit e javës bën bashkë Skënderbeun dhe Laçin, me të parët që  fituan me meritë ndeshjen ndaj Elbasanit dhe me të dytët që barazuan me Partizanin por që u bënë pjesë e “fjalëve” të fundit që qarkullojnë mbi paracaktimin e rezultatit. Nga të gjitha skuadrat e Superligë, vetëm Skënderbeu ia ka dalë që ta mundë Laçin gjithmonë, si në Korçë ashtu edhe në Laç, ndryshe nga ekipet e tjera që gjithmonë e kanë gjetur  problematike fushën e Laçit. Ndërkohë, nga 10-të skuadra që ka Superliga, 6-ë janë nën hetimin e Komisionit të Etikës, ku kujtojmë që si Flamurtari, Teuta, Partizani, Laçi, Kukësi dhe Vllaznia do të përballen me një seancë dëgjimore në lidhje me gjithë çfarë ndodhi pak ditë më parë e pritet që, sado pak, kjo të ketë ndikimin e vet tek skuadrat e përkatëse. Nisur nga kjo, edhe vetë Komisioni i Etikës e la për ditën e hënë zhvillimin e seancës së dytë, që do jetë edhe seancë dëgjimore, për qartësimin e kësaj situate kaotike të futbollit shqiptar.

  Skuadra ND F B H P
1 Kukësi 19 13 2 4 41
2 Skënderbeu 19 12 3 4 39
3 Tirana 19 11 5 3 38
4 Partizani 19 11 4 4 37
5 Laçi 19 7 7 5 28
6 Flamurtari 19 6 7 6 25
7 Vllaznia 19 8 2 9 23
8 Teuta 19 5 1 13 16
9 Elbasani 19 3 0 16 9
10 Apolonia 19 2 3 14       9

Ndeshjet e javës së 20-të

Tirana-Flamurtari

Kukësi-Elbasani

Teuta-Vllaznia

Apolonia-Partizani

Skënderbeu-Laçi

Shtrohet tapeti i stadiumit “Qemal Stafa”, së shpejti “përurohet”

Më në fund është shtruar edhe tapeti i stadiumit “Qemal Stafa”, duke e ndaluar kështu lëvizjen sa në një stadium në tjetrin të skuadrës së Tiranës që ishte e detyruar ta luante ndeshjen me Apoloninë në Durrës apo edhe këtë të javës së 20-të që do ta luajë në “Elbasan Arena”.  Dje u bë me dije se tapeti është gati, por që gjithsesi nuk do të jetë menjëherë në funksion të lojës, ku padyshim i duhet një kohë e konsiderueshme, me ndihmesën edhe të motit, që të vihet në shërbim të futbollit. Si Tirana ashtu edhe Partizani kanë mbetur pa “shtëpi” në këtë fillim sezoni, ku janë të detyruara që të shkojnë sa në një stadium në tjetrin për të zhvilluar ndeshjet që kanë në fushën e tyre. Në fakt, deri më tani vetëm Tirana ka qenë ajo që e ka “pësuar” sepse Partizani ndeshjen e parë e zhvilloi në Laç ndërsa takimin e javës që vjen do ta luajë në Fier, duke e shmangur pak a shumë këtë lëvizjen sa në një stadium në tjetrin.

Arsid Kruja gati për Flamurtarin pas huazimit nga skuadra arabe

Kur u përfol për largimin e tij të bujshëm në kampionatin arab, Kruja më së fundi ka rënë dakord për të qenë pjesë e skuadrës së Flamurtarit në formë huazimi, duke qenë se këta të fundit kanë marrëdhënie shumë të mira me klubin arab. Në kampin vlonjat, Kruja ka zhvilluar së fundmi edhe seancat e para stërvitore, duke u bashkuar për 18 muaj me klubin vlonjat. Mesfushori pritet të jetë një përforcim shumë i mirë për klubin, duke parë mbi të gjitha edhe aftësitë e tij. Futbollisti pritet që të jetë gati që në ndeshjen me Teutën, për t’u bërë pjesë e këtij ekipi për një kohë relativisht të gjatë.

 Gilman Lika gati për Vllazninë, pritet të aktivizohet në ndeshjen me Teutën

Prania e futbollistit më të ri të Vllaznisë, Gilman Lika, në stërvitje duket se e ndihmon shumë skuadrën shkodrane, që tani ka nevojë për një fitore në mënyrë që të fillojë mirë këtë gjysmë të dytë të kampionatit. Sipas deklaratave të bëra edhe nga vetë futbollisti, prania e tij në ndeshjen ndaj Teutës do të jetë e padiskutueshme, ku pritet që të aktivizohet për të dhënë ndihmesë e tij jo vetëm në stërvitje por edhe në ndeshjen zyrtare.  Zhvillimi i seancave stërvitore nga ana e lojtarit tregojnë për një përmirësim të gjendjes ë tij fizike, por edhe në rastin e këtij futbollisti duhet që të pritet edhe miratimi i stafit mjekësor nëse duhet të bëhet pjesë e ekipit në ndeshjen e ardhshme apo jo.