Januzaj, këshilla nga publicisti i Bekamit

60

Ylli shqiptar i Mançester Junaitid nënshkroi një kontratë luksi me kompaninë e njohur “Dojen”

Adnan Januzaj, i cili vlerësohet për këtë sezon si një nga pak gjërat pozitive të Mançester Juanitid, është duke u krahasuar gjithmonë e më shumë me Dejvid Bekhanmin, madje ai po këshillohet pikërisht nga publicisti i yllit anglez, Simon Oliveira. Sipas gazetës britanike “Daily Mail”, grupi i investimeve “Doyen”, që ka nën kontratë emra të mëdhenj si Nejmar, Ksavi, Beker, ka arritur një marrëveshje me mesfushorin shqiptar 19-vjeçar. Kompania “Doyen” do të ketë një peshë të madhe edhe në vendimin që do të marrë djaloshi për kombëtaren që do të përfaqësojë në të ardhmen. Në garë për Januzajn janë Shqipëria, Kosova, Belgjika, Turqia dhe Anglia, ndërsa me këtë të fundit ai mund të luajë vetëm në rast se qëndron në ishullin britanik deri në vitin 2018.

Gjatë javëve të fundit është folur shpesh për një afrim të mundshëm të Januzajt me Belgjikën, pasi trajneri Vilmots e kërkon me ngulm për ta aktivizuar në Kupën e Botës që do të startojë gjatë muajit qershor ne Brazil. Januzaj është aktivizuar në këtë sezon në 24 nga 34 ndeshjet e Premier Ligës (në total 1422 minuta), duke realizuar katër gola, respektivisht kundër Sanderlendit (2), Uest Hamit (1) dhe Njukasëllit (1). Pak ditë më parë, mesfushori shqiptar i Mançester Junaitid, Adnan Januzaj, u konsiderua si lojtari i ri më i mirë në botë. Ky është përfundimi i gazetës italiane “Gazetta Dello Sport”. E ardhmja e futbollit është e sigurt. Dhe në krye të talenteve që pritet të shkëlqejnë në arenën e sportit më të rëndësishëm në botë është Adnan Januzaj. Gazeta ka hartuar një listë me 60 adoleshentë nën moshën 20 vjeç, të cilët luajnë në Europë, dhe Januzaj është përpara brazilianit të Çelsit, Lukas Piazon, i cili është aktualisht i huazuar në Holande me Vitesen. “Ka një të majtë të shkëlqyer, teknik dhe me shumë personalitet. Dy golat e shënuar kundër Sandërlendit e bënë atë lojtarin më të ri që shënon për Mançester Junajtid në Premier Ligë. Ka firmosur deri në vitin 2018, por nuk ka vendosur ende se me cilën kombëtare do të luajë”. Ky është vlerësimi që shoqëron foton e Januzaj, për të cilin vazhdon një garë në distancë mes Anglisë, Belgjikës dhe Shqipërisë që gjithsesi duket e dorëzuar. Në pritje të vendimit, talenti me origjinë kosovare vazhdon të jetojë momentin e tij të famës. Ndërkohë skuadrat më të mëdha të Europës interesohen për Adnan Januzaj ndërsa kartoni i tij vlerësohet deri në 30 milion euro. Pikërisht, kjo shifër e vendos futbollistin në krye të “draftit” të së përditshmes italiane, ndërsa ai le pas në listë lojtarë si Markinjos të Paris Sent Zhërmen apo Haliloviç, i cili cilësohet si “Mesi i ri” dhe është blerja e fundit e Barcelonës.

4 gola

ka realizuar Januzaj në sezonin aktual të Premier Ligës angleze

30 mln

Euro vlerësohet kartoni i Adnanit, për të interesohet Barcelona

   Cana, në formacionin e të dështuarve

 Lorik Cana ishtë në 11-shin e të dështuarve të javës së 33-të të Serisë A, apo siç njihet shkurt e emrin “Flop 11”. Mbrojtësi shqiptar i Lacios u përfshi nga revista “Soçer Magazine”, për shkak të gafës së tij në rastin e penalltisë së shkaktuar në ndeshjen e humbur 4-2 nga Lacio me Napolin, të shoqëruar kjo dhe me kartonin e kuq. Cana u konsiderua si fajtori kryesor për humbjen e ekipit të tij, duke bërë një nga ndeshjet e tij më të dobëta në kampionatin italian. Formacioni i vendosur ishte 4-3-1-2.

 Migjen Basha, dy javë jashtë Serisë A

 Skuadra e Torinos humbet për të paktën dy javë shërbimet e Migjen Bashas. Infermieria e ekipit italian duhet të bëjë një vend për mesfushorin shqiptar, i cili do t’i mungojë trajnerit Xhampiero Ventura për sfidën e javës së 34-t të Serisë A ndaj Lacios në “Olimpico”. Futbollisti i Kombëtares shqiptare dëmtoi ligamentet e kaviljes gjatë ndeshjes me Xhenoan, por fatmirësisht ekzaminimet e fundit treguan se bëhet fjalë për një problem që nuk kërkon më shumë se dy javë kohë për t’u zgjidhur.

 Goli i Hykës, më i bukuri në Zvicër

 Në javën e 29-të të Superligës zvicerane është zgjedhur edhe goli më i bukur. Në një sondazh të përjavshëm për portalin zviceran “20min.ch”, goli i shënuar nga mesfushori shqiptar, Jahmir Hyka është votuar më i bukuri. Nga 3424 klikime, 57% kanë shkuar për mesfushorin e Lucernës, i cili shënoi golin e fitores 1-0 në ndeshjen e fundit. Kurse vendin e dytë e zuri goli i sulmuesit Shkëlzen Gashi me 32 % të votave. Të dy shqiptarët janë duke kaluar një moment shumë të mirë në kampionatin zviceran.

SOT, FINALJA E KUPËS SË MBRETIT

Real-Barça, duel milionësh

 Kupa e Spanjës, apo siç njihet me emrin “Kupa e Mbretit” (Copa del Rey) ëhhtë finalja e 111-të qysh nga themelimi i saj në vitin 1902. Ndeshja do të jetë një “El Clasico”, pasi përballë njëra-tjetrës do të jenë skuadrat e Realit të Madridit dhe Barcelonës. Reali e ka fituar 18 herë trofeun (e fundit në vitin 2011), ndërkohë që Barça mban edhe rekordin, 26 herë (e fundit në vitin 2013). Ndeshja ka shumë duele brenda saj. Ajo do të jetë një përballje mes dy lojtarëve më të shtrenjtë të këtij sezoni finalja e Kupës së Mbretit, mes Garet Bejl dhe Nejmar, dy futbollistë që në total kanë kushtuar mbi 200 milionë Euro, nga 100 milionë euro secili. Me Kristiano Ronaldon të dëmtuar (nuk do të luajë sot) dhe Lionel Mesin nën nivelin e tij, uellsiani dhe braziliani mund të jenë vendimtarë për Realin apo Barçën. Duke pasur parasysh faktin se e kanë sezonin e parë në Spanjë, shifrat e të dyve janë për t’u vlerësuar, pa harruar se bëhet fjalë për futbollistë që mbërritën me statusin e super yjeve. Në një ballafaqim me njëri-tjetrin, shifrat e Bale janë dukshëm më të mira se të Neymar, ka luajtur më pak minuta, por ka shënuar më shumë gola se ish sulmuesi i Santosit. Kështu për uellsianin e hapave galopantë, një gol vjen mesatarisht çdo dy ndeshje me numrin total të 19 golave në 39 takime, ndërsa nuk mbetet prapa Nejmari që, numëron 15 realizime në 39 sfida. Pa dyshim që janë shifra pozitive, por që gjithsesi këta lojtarë nuk janë ende në nivelin më të lartë, duke pasur parasysh se në sezonin e kaluar në Premier League, Garet Bejl ka shënuar 21 gola dhe vetëm në La Liga deri tani numëron 14. Në aspektin e titujve është Nejmar që shkëlqen më shumë, ka fituar Superkupën e Spanjës në një finale ku vendosi pikërisht ai me golin e shënuar ndaj Atletikos së Madridit. Përsa i përket lojtarit 100-milionësh të Realit, ai nuk e ka pasur ende një shans të tillë. Në “Mestaja” ndoshta mund të jetë rasti më i mirë për Bale që të marrë në duar trofeun e parë si madrilen, pa harruar që “Los Blancos” janë ende në garë për titujt në La Liga dhe në Ligën e Kampioneve, ndërkohë që “blaugranat” ndodhen jashtë Europës. Pastaj nëse i vendosim ballë përballë në “El Clasico”, Nejmar është fituesi i padiskutueshëm me një gol dhe një asist në përballjen e parë të sezonit, ku Bale vuajti shumë në rolin që i ishte besuar si sulmues qendror. Edhe në klasiken e dytë të sezonit, braziliani ishte vendimtar me fitoren e një penalltie, ndërsa uellsiani nuk la ndonjë gjurmë për t’u mbajtur mend. Të Mërkurën do të jetë mbrëmja e tyre, Bale përballë Nejmar dhe njëri do të kthehet në shtëpi pa trofe në duar.

111 finale

Janë luajtur në “Copa del Ray”, qysh kur kompeticioni startoi në vitin 1902

18 herë

e ka fituar Realit Kupën e Mbretit, për herë të fundit në vitin 2011

26 herë

e ka fituar Barcelona, e cila mban dhe rekordin, e fundit në vitin 2013