Jani Kaçi: Si lojtar më largoi politika, nga futbolli s’më largon …

1718
Nga Agron KAJA
INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” ish-portieri i Skënderbeut, Elbasanit, Partizanit dhe Kombëtares, ndjeshmëritë e tij për kohën e “Artë” dhe refleksionet për futbollin sot
Jani Kaçi mbetet një nga “Legjendat” e katërkëndorit në futbollin shqiptar, sot pas 32 viteve që jeni larguar nga porta, si ndjeheni?
Sa më shumë që ikin vitet, aq më shumë rritet nostalgjia për to. Edhe pse kam 32 vite që jam larguar si futbollist, unë e ndjej veten mirë për atë që kam bërë, për atë histori që kam shkruar aty ku jam përfaqësuar: në klube e në Kombëtare.

Me apo pa futbollin është sot Jani?
Edhe pse kam një moshë jo fort të re, por pa futbollin nuk e mendoj veten. Pas lënies së futbollit unë jam marrë vetëm me trajning. Kam qenë disa herë trajner e zëvendëstrajner te Skënderbeu, te Gramozi dhe te skuadra private Pindos. Njëherësh, unë kam qenë për një periudhë të gjatë edhe si zëvendëstrajner i Kombëtares, ndërsa kam katër vite që drejtoj skuadrën e U19 vjeçarëve të Skënderbeut, e cila në sezonin e kaluar doli Kampione.

Duket se këtu jeni ndjerë i vlerësuar që po qëndroni kaq gjatë në bankinë?
T’u them të drejtën, unë këtu jam i kënaqur me punën që po bëj, ndërsa i vlerësuar është diçka tjetër. Djemtë dhe familjet e tyre po tregohen njerëz të përkushtuar e me kulturë sportive e qytetare, duke ma bërë diçka më të lehtë mua punën e trajnerit.

Keni ndonjë “merak” gjatë kësaj rruge trajningu që jeni duke ndjekur?
Asnjë merak nuk kam dhe nuk doja ta “ngacmoja” këtë çështje. Por, si përgjigje po u them se, shumë e shohin futbollin tonë dhe janë të paktë ata që e ndjekin. Më parë kishte më shumë vlerësim për futbollin, edhe për këto mosha që realisht janë pedana nga ku kalojnë në skuadrat e të rriturve. Ndërsa për futbollistët e skuadrave të të rriturve, ka pasur një respekt e vlerësim që sot as nuk mendohet të krahasohet.

Si e kujtoni ndeshjen tuaj të parë në skuadrën e të rriturve?
E kujtoj me një nostalgji e krenari të madhe. Kam qenë portier i dytë te Skënderbeu, ku në vitin 1970 kemi luajtur në Tiranë kundër Dinamos. Unë hyra në lojë në pjesën e dytë, ndërsa në pjesën e parë Dinamo kishte shënuar 2 gola. Trajneri më tha se do të zëvendësoja Dinellën në pjesën e dytë dhe emocionet para Çeços, Xhafës, Përnaskës e Çirakut ishin të mëdha. Unë pësova vetëm një gol dhe Skënderbeu humbi 0-3.

Dhe kush ishte trajneri që juve ju dha mundësinë e parë të luanit në elitën e futbollit shqiptar të kohës?
Ka qenë Petraq Mile, njeriu që më dha besim e forcë, jo vetëm në atë ndeshje të parë. Ishte një personalitet i kohës, njëherësh ka qenë edhe një përkrahës i madh i të rinjve, aq më shumë kur dallonte talentin e tyre.

Ju keni luajtur në tre skuadra, pse ka ndodhur kështu?
Unë kam pasur një “odise” në karrierën time, kryesisht në startin e elitës. Sepse pasi kisha mbushur 20 vjeç, lashë studimet e larta këtu në Korçë dhe shkova ushtar, vetëm që të luaja me Partizanin. Por, më hallakatën sa në Tiranë e sa në Elbasan, sepse kisha biografinë e keqe dhe për pasojë luajta disa muaj me Elbasanin në fundin e vitit 1972. Në fillimin e vitit 1973, pas një ndeshjeje Labinoti-Partizani 3-0, ish-Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Petrit Dume, i kërkoi trajnerit të Partizanit, Loro Boriçi, që të më merrte në skuadër. Dhe kështu ndodhi, në muajin janar 1973.

Dy vitet që luajtët me Partizanin, e quani si periudhën e “Artë” të karrierës suaj në futboll?
Unë kur shkova te Partizani, gjeta Bashkim Muhedinin, Fatmir Lelin dhe Fatmir Ismailin, të tre këta që unë do t’i quaja si “kolosë” të katërkëndorit. Te kjo skuadër atëherë gjeta një mbështetje të madhe nga drejtuesit e kohës, por njëherësh arrita edhe formën time më të mirë. Ishin vite të arta, por që qeveria e atëhershme na penalizoi, pasi i ndërpreu të gjitha ndeshjet tona ndërkombëtare, kuptohet arsye të politikës së asaj kohe, se humbëm me Gjermaninë (ish-RFGJ-në).

Në periudhën që ju luajtët futboll, për ndeshje të veçanta dhe në ato ndërkombëtare, jepeshin lojtarë në përforcim. Ju ka ndodhur edhe ju?
Po, sepse përveç Partizanit, unë kam luajtur si përforcim me Vllazninë në dy ndeshjet me Austrinë e Vjenës në Kupat e Evropës, e po në këtë Kupë kam luajtur në përforcim edhe te Dinamo në dy ndeshjet kundër Dinamos së Zagrebit. Edhe në një ndeshje të Kupës Ballkanike me Elbasanin kam luajtur në portë.

Në këtë periudhë ju luajtët edhe me Kombëtaren, si e kujtoni këtë aktivizim?
Ja u përmenda më sipër çka ndodhi në atë periudhë me ndeshjet ndërkombëtare dhe kjo ishte arsyeja që unë me Kombëtaren luajta vetëm në 6 ndeshje zyrtare, ndërsa më parë kisha luajtur me ekipin Kombëtar Shpresa, në më shumë se 20 ndeshje. Asnjëherë nuk mund të ndjehesh keq në Kombëtare, por keqardhja ishte se nuk luajtëm gjatë, për ato arsye politike që sot duken paradoksale.

E më pas erdhi edhe largimi juaj nga Partizani, si vjen në kujtesën tuaj ky moment?
Unë e kisha vendosur që të luaja deri në moshën 40 vjeç, por doli si ëndërr, sepse pushtetarët e atëhershëm në Korçë “zbardhën” biografinë e keqe timen, pasi babai im ishte me origjinë greke. Nuk pata përkrahje dhe i ndodhur para presionit që s’e përballoja dot, vendosa largimin nga futbolli. Isha 32 vjeç dhe m’u duk sikur me hoqën zemrën nga vendi.

Por, realisht ju nuk u ndatë nga futbolli i luajtur. Si e vazhduat më pas pasionin tuaj me këtë sport?
Nga viti 1985 e deri më sot që flasim së bashku, unë kam qenë zëvendëstrajner, trajner e shef klubi te Skënderbeu, kam qenë trajner i ekipit privat Pindos dhe për shumë vite edhe trajner i portierëve në Kombëtare. Ky është pasioni, që ndonjëherë ngatërrohet me profesionin nga njerëz që sot kanë marrë përsipër të drejtojnë futbollin në kategori të ndryshme sportive.

Kur ju luajtët me Skënderbeun, nuk fituat asnjë titull apo trofe, ndërsa sot skuadra korçare ka bërë histori me gjashtë tituj rresht Kampion. Si ndjeheni ju Kaçi?
Duke e ndarë nostalgjinë nga realiteti, them se ndjehem shumë mirë që Skënderbeu sot është në këto nivele. Është një rast historik, si e vetmja skuadër shqiptare që ka dalë Kampion Kombëtar gjashtë herë rresht, por këtu ka edhe një të veçantë, sepse kështu ju të mediave kujtoheni që të na mbani edhe ne në këtë atmosferë.

Konkretisht, si e shikoni Skënderbeun në këto 25 javë të Kategorisë Superiore 2016-2017?
Unë Skënderbeun e shoh si Kampion, sepse skuadrat rivale Kukësi e Partizani, nuk kanë nivel kampioni. Skënderbeu është më i përshtatur me Titullin dhe më rival mendoj Partizanin se sa Kukësin, i cili është totalisht i papërshtatur për këtë trofe. Gjithsesi, rivaliteti në kreun e tabelës do të sjellë shumë emocione deri në mbylljen e kampionatit.

Po për skuadrat e tjera, cili është këndvështrimi juaj si specialist futbolli?
Unë them se futbolli ynë, aktualisht ka mentalitet të ulët, pasi skuadrat e trajnerët tregojnë mentalitet të ulët, amatorë në të gjithë treguesit. Duken pa bazament, se edhe vetë nuk e dinë se se ku do të arrijnë në fundin e kampionatit.

Do ta vinit një bast me veten, se, cila skuadër del kampion dhe, cila skuadër do të dalë nga kategoria bashkë me Korabin?
Unë nuk merrem me bastet, i urrej ato, por duke qenë në logjikën profesionale kjo pyetje, po ju them se kampion mendoj vetëm Skënderbeun, për arsyet që ju përmenda më sipër. Ndërsa për të zbritur në Kategorinë e Parë, përveç Korabit, shoh që Laçi është më pranë rënies.
TIFOZËT
“Mendoj se tifozët sot nuk janë duke e luajtur misionin e tyre si “Lojtari i 12-të”. Futbolli është larg këtyre tifozëve, të cilët me fyerjet që bëjnë në stadium, janë frenues në futboll, aspak stimulues. Nëse bëjmë një krahasim me tifozët dje, ndryshimi është si dita me natën, në favor të atyre më parë. Këta sot i tejkalojnë kufijtë dhe më mirë të mos jenë në stadium. Njëherësh ata e dëmtojnë shumë anën psikologjike, ekonomike e profesionale te skuadrat respektive”. 
KOMBËTARJA
“Në periudhën që unë luajta në Kombëtare, kishte lojtarë cilësisht më të mirë se këta sot, por ne nuk e kishim mundësinë që të luanim më shumë ndeshje, aq më pak të luanim në skuadra jashtë Shqipërisë. Aktualisht, në Kombëtare ka elemente të mirë dhe trajner të mirë, njëherësh ka edhe një organizim shumë më të mirë, krahasuar me skuadra kombëtare në shtete të tjera. Rezultatet që arriti deri në Evropian, ishin pjesë edhe e kësaj pune, por që euforia e Evropianit duhet të mbarojë”.
“Kapriçio” me fanellën e zezë
Gjatë bashkëbisedimit me Jani Kaçin, e shkëputëm edhe një “skup” të karrierës së tij. Kjo ka të bëjë me ngjyrën e fanellës, pasi ai nuk dëshironte fanellë të zezë dhe numrin 1 në shpinë. Gjithmonë Jani ka luajtur me një fanellë kineze të dhuruar nga një ish aviator shqiptar, ndërsa numrin 20 e kishte porosi nga shoku e miku i tij, aktori i madh Llazi Sërbo
Ndërprerja e pabesë e karrierës
“Atë që nuk ma bëri Lufta e Klasave, ma bënë te Skënderbeu, madje në vitet e fundit të karrierës sime si futbollist”, tregon me nostalgji Jani. Pushtetarët e atëhershëm në Korçë sajuan si akuzë, se kishte grisur fotografinë e Enver Hoxhës, ndërkohë që te Partizani kishte qenë i respektuar nga fëmijët e Enverit. Ishte 32 vjeç, me dëshirë e pasion për të vazhduar
Historia familjare, nga Saranda në Korçë
Kur Jani Kaçi tregon origjinën e tij familjare, ndoshta shumë pak mund ta besojnë se ai nuk është korçar. Nga babai është sarandjot, nga nëna korçare dhe ai gjithë jetën, karrierën dhe familjen e ka të lidhur me Korçën. Babai, Stelianos nga Shën Vasili i Sarandës, lindur e jetuar në Athinë, shkon për të parë familjen e tij në Sarandë, nënën dhe motrat në Sarandë në vitet e Luftës. Por përfundon keq udhëtimi i tij në Shqipëri, pasi gjermanët e dërgojnë në kampet e përqendrimit për 18 muaj. Fliste gjermanisht dhe e kthejnë në vendlindje kur lufta sapo kishte mbaruar. Në Athinë ia kishin shitur gjithçka, dhe vendos të qëndrojë në Shqipëri, fillimisht në Durrës. E shoqja, një vajzë tregtari nga Korça, shkonte me pushime në plazhin e Durrësit dhe aty u njohën duke e ndërtuar më pas jetën në Korçë. Nga martesa e tyre kanë 5 djem.
Pas Partizanit, rikthim i detyruar te Skënderbeu
Në periudhën që Jani Kaçi mbrojti portën e Partizanit, 1973-1975, askush nuk e mendonte se ai do të largohej kaq shpejt nga kjo skuadër e madhe, që për të mbetet periudhë e “artë” në karrierë. Por, pas goditjes që iu dha grupit puçist të gjeneralëve shqiptarë, Partizanit iu zbeh forca e mëparshme. Jani dëshironte të qëndronte dhe, “Nëse do të ishin ata (gjeneralët), unë do të qëndroja te Partizani”, tregon Jani Kaçi për gazetën “Telegraf”. Një nga drejtuesit e lartë të kohës, korçari Mihallaq Ziçishti, që ishte edhe një admirues i Janit, në fundin e vitit 1975 e njoftoi, se duhej të nisej për në Korçë. Kishte presion nga tifozët që ai të rikthehej në Korçë dhe në janar 1976 u largua nga Partizani. Por, Skënderbeu luante atëherë në Kategorinë e Dytë dhe ishte finalist i Kupës së Republikës. Jani Kaçi tashmë ishte rikthyer në vendlindje.
Asnjë titull e trofe në karrierë, por, 27 vjeç Kampion Ballkani
Nga Agron KAJA
Në karrierën e tij, Jani Kaçi numëron mbi 300 ndeshje të luajtura në Kampionat e në Kupë, por pa dalë asnjëherë kampion, edhe kur Skënderbeu ishte një hap pranë tij në sezonin 1978-1979. Në përfundim të fazës së dytë, Skënderbeu ishte me pikë të barabarta me Dinamon, e atëherë FSHF-ja nxjerr në skenë formulën e fazës së tretë. Ishte ndeshja e fundit e kampionatit dhe në Durrës, si në skenë teatri, Dinamos i hapet porta duke fituar ndeshjen pa vështirësi dhe merr trofeun. Ndërsa me skuadrën Kombëtare Shpresa (U21 vjeç), Jani Kaçi luajti gati 20 ndeshje, ku së pari u grumbullua me këtë skuadër në vitin 1970, si portier i dytë. Shpresa atëherë drejtohej nga trajneri Refik Resmja ku do të zhvillohej një ndeshje kundër Turqisë në Vlorë. Më pas, ishte po portier rezervë në ndeshjen në Rumani, ndërsa në Kampionatin Ballkanik me Shpresën dhe klubet e kthyen në titullar të katërkëndorit. Në vitin 1979 kur Jani ishte 27 vjeç, me ekipin Kombëtar Shpresa (U21 vjeç) doli Kampion i Ballkanit. Por, koha kur Jani Kaçi shkëlqente me formën e tij, ishte edhe një “djallëzi” politike, që futbollit i kushtoi me penalizime që sot duken absurditete. Sepse në atë periudhë kishte një mungesë të theksuar ndeshjesh ndërkombëtare për shkak pezullimi, vite që e goditën edhe karrierën e Jani Kaçit, në kulmin e formës së tij më të mirë. Në portën e Kombëtares, Jani e fillon me fitoren 3-0 në takimin miqësor me Algjerinë, i cili u luajt në muajin tetor 1976 në Tiranë. Trajner ishte Loro Boriçi, me të cilin edhe do ta mbyllë. Pastaj një tjetër pauzë dyvjeçare dhe sërish në portë në të parën ndeshje zyrtare, Shqipëri-Finlandë, e vlefshme për Eliminatoret e Kampionatit Botëror. Shqipëria fitoi 2-0 me golat e Sefedin Brahos e Millan Baçit, e më pas do të luante edhe në sfida të tjera, si ndaj Bullgarisë dhe Austrisë, për ta mbyllur me Gjermaninë, në Tiranë, prill i vitit 1981, kur në stol është rikthyer Loro Boriçi. Kështu, Jani Kaçi luajti vetëm në 6 ndeshje me Kombëtaren, ku veçohet kujtimi i fundit i tij me portierin e atëhershëm të RFGJ-së, Toni Shumaker në atë takim që u luajt në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”. Më pas, Jani nuk luajti për ngjyrat kuqezi, duke ia dorëzuar stafetën e katërkëndorit kuqezi, një tjetër Legjende, Perlat Mustës. Por, gjatë karrierës së tij, Jani është marrë “hua” në tre ndeshje ndërkombëtare, veprim që atëherë quhej si përforcim. Në ndeshjen Vllaznia-Austria Vjenë, e cila në Shkodër përfundoi 2-0, ndërsa në Vjenë humbje 1-4. Më pas, në takimin Dinamo-Dinamo Zagreb, dhe Labinoti-Tergu Murresh në Kupën Ballkanike. 
Jani Kaçi
Datëlindja: 17 gusht 1952
Vendlindja: Korçë
Sporti që ka ushtruar: Futboll
Roli në fushë: Portier
Skuadrat ku ka luajtur: Skënderbeu 1969-1972, Elbasani 1973, Partizani 1973-1975, Skënderbeu 1975-1985
Tituj e trofe të fituara: Dy herë finalist i Kupës së Shqipërisë: Me Partizanin 1973-1974 dhe me Skënderbeun 1975-1976, nënkampion me Skënderbeun 1975-1976
Me Kombëtaren: Me U 21 luajtur në 20 ndeshje, me Kombëtaren A luajtur në 6 ndeshje
Ndeshje ndërkombëtare: Me Partizanin, Dinamon e Vllazninë luajtur në mbi 8 ndeshje
Si trajner: Në periudhën 1985-1987, zëvendëstrajner me Skënderbeun, në periudhën 1987-1996, trajner i parë te Skënderbeu, në periudhën 1997-1999, trajner i ekipit privat Pindos, në sezonin 2000-2001, trajner te Gramozi, në periudhën 2002-2004 trajner te Skënderbeu, në sezonin 2006-2007 trajner te Skënderbeu, në sezonin 2008-2009 trajner i portierëve te Skënderbeu, nga viti 2014- e në vazhdim, trajner i U19 të Skënderbeut. Për një periudhë 10 vjeçare ka qenë edhe trajner i portierëve në Kombëtare.
Sigal