Jani Kaçi: Panuçi nuk ka eksperiencë, jo zgjedhja e duhur për Shqipërinë

528
Nga Agron KAJA
INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” ish-portieri i Kombëtares sonë, e vlerëson me notën 6 paraqitjen e kuqezinjve në kualifikueset e Botërorit 2018
Si do ta përshkruani rrugën e Kombëtares sonë në ndeshjet kualifikuese të Botërorit 2018, Grupi G?
Të dhjetë ndeshjet që Shqipëria luajti në Grupin G kualifikues për Kampionatin Botëror “Rusi 2018”, i kam ndjekur me vëmendje, por edhe me ndjenjën e një ish-futbollisti të Kombëtares. Në përgjithësi, skuadra jonë zhvilloi ndeshje me dritëhije, me rezultatet të pritura e të papritura, por më shumë me një paraqitje nën mesatare.

Në 10 ndeshje fitoi 4, barazoi 1 dhe humbi 5, është ky bilanci më i mirë në historinë e pjesëmarrjeve të Shqipërisë në kualifikueset në grupe për Botërorë?
Nëse do t’i referohemi historisë, unë mbaj mend që në ndeshjet në Grupin 2 kualifikues për Botërorin 2006 që u zhvillua në Gjermani, jemi renditur në vendin e 5-të, po me 13 pikë. Pra, kaq pikë është hera e dytë, dhe nuk di pse thuhet se është hera e parë. Vendi i tretë në grup është hera e parë, është një nder, por ky nuk mund të quhet si sukses.

Ku mendoni se ka gabuar Kombëtarja jonë në 10 ndeshjet e luajtura në Grupin G kualifikues të Botërorit 2018?
Mendoj se nuk i vlerësoi realisht të gjithë kundërshtarët. Me Izraelin ishte një humbje që edhe sot nuk arrij ta kuptoj arsyen e vërtetë, ndërsa edhe në fitoren 2-1 me Maqedoninë, nuk shprehëm shumë vlera për atë tri pikësh, më mirë u paraqitën maqedonasit. Pati shumë lëvizje në formacion, u ndryshuan edhe trajnerët, çka nuk kanë dhënë ndikim pozitiv.

Sipas jush, ishte edhe ndryshimi i trajnerëve pjesë e kësaj performance?
Po natyrisht, se nuk mund të largosh De Biazin që fitoi eksperiencën e duhur dhe e çoi Shqipërinë në Kampionat Evropian, dhe të marrësh Panuçin, nxënësin e tij pa eksperiencën e duhur për drejtimin e një kombëtareje. Panuçi nuk e vazhdoi modulin e lojës të De Biazit, me të cilën ishin përshtatur lojtarët, këtu ai gaboi.

Veç renditjes në vendin e 3-të në grup, çfarë fitoi Kombëtarja jonë në këtë ndeshje kualifikuese?
Shqipëria fitoi vetëm vazot e Evropianit, sepse nuk është kënaqësi vendi i tretë. Sepse në raport me skuadrat e tjera, sistemi i futbollit tonë funksionon në mënyrë kaotike. Në Kombëtare bëjnë pjesë lojtarë që nuk duhet të jenë aty, sepse menaxherët e tyre kanë bërë ndërhyrje të forta në stafe dhe në FSHF.

Sipas jush, Panuçi nuk garanton ta çojë Shqipërinë në finalet e Evropianit 2020?
Unë them se në Kombëtare duhej një trajner me eksperiencë. Ne këtu në Shqipëri bëjmë të kundërtën e Botës dhe të Evropës, sepse formojmë trajnerë në Kombëtare, jo skuadër. Kështu që Panuçi nuk e ka eksperiencën e duhur dhe nuk garanton për Evropianin 2020.

Kjo nënkupton që duhet një trajner tjetër dhe një formatim më i mirë i skuadrës?
Mirë do të ishte një trajner me më shumë eksperiencë, por, në përzgjedhjet e tij Panuçi duhet t’i përmbahet më shumë karakteristikave të futbollit shqiptar. Sepse këtu përshtaten lojtarët me trajnerët, por ne nuk jemi Gjermania e Spanja. Edhe fizikisht, Kombëtarja e këtij sezoni ka qenë shumë e dobët.

Cila është nota që Jani Kaçi i vendos Kombëtares në kualifikueset në grup për Botërorin “Rusi 2018”?
Një 6-të me hatër, sepse ndjej keqardhje për më shumë vlerësim. Gjithsesi, ky është vlerësimi im, të cilin besoj se u shpjegova gjatë kësaj bisede me ju.
Unë them se në Kombëtare duhej një trajner me eksperiencë. Ne këtu në Shqipëri bëjmë të kundërtën e Botës dhe të Evropës, sepse formojmë trajnerë në Kombëtare, jo skuadër. Kështu që Panuçi nuk e ka eksperiencën e duhur dhe nuk garanton për Evropianin 2020
SHQIPËRIA/ GRUPI G
BILANCI NË TOTAL
Nd 10, F 4, B 1, H 5, G 10:13

RENDITJA
Nr. Skuadra N P 
1.Spanjë 10 28 
2.Itali 10 23
3.Shqipëri 10 13
4.Izrael 10 12
5.Maqedoni 10 11
6.Litehshtein 10 0
Sigal