Jahmir Hyka, ylli i Lucernës

630
Sigal

Fantazisti i Kombëtares shqiptare dha dy asistë në triumfin 3-2 ndaj Curihut në kampionatin zviceran

Lucerna e Jahmir Hykës triumfoi 3-2 ndaj Curihut, duke regjistruar fitoren e dytë në tri ndeshje të kampionatit zviceran. Mesfushori i Kombëtares shqiptare, me dy asistë ishte protagonist në fitoren e rëndësishme dhe u zëvendësua në minutën e 90-të (ndërrim taktik) nga trajneri Karlos Berneger.

Heroi i takimit ishte australiani Oliver Bozaniç, autor i një dopjete, ndërkohë që golin e tretë për Lucernën e shënoi Lezkano (58’), pas një goditje të lirë të ekzekutuar me mjeshtëri nga fantazisti Hyka. Jahmiri dha asistin edhe të golit të parë të Bozaniçit (në minutën e 18-të) Pas tri ndeshjeve, Lucerna ka gjashtë pikë. Sipas portalit sportiv zviceran “Sport.ch”, paraqitja e Hykës ishte e pëlqyeshme. Sipas traditës së këtij portali, në rubrikën “Top dhe flop”, me “yllin e parë” u vlerësua Oliver Bozaniç, ndërkohë që “ylli i dytë” (second star), si lojtari më i mirë i ndeshjes i takoi Jahmir Hykës. Ja dhe motivi, sipas “Sport.ch”: “Second star: Jahmir Hyka (Lucern). Hyka ishte  sot më aktivi në mesfushën e Lucernit. Aftësia e tij për të dribluar dhe pasimet e sakta bënë dhe diferencën. Nga ana e tjetër ai përgatiti dy gola”. Humbësi i madh ishte trajneri Rafael Koh i Curihut.

   Karpi mbushet me shqiptarë, firmos dhe Memushaj

 Ledian Memushaj do të jetë një lojtar i Karpit, për sezonin e ardhshëm, atje ku para pak ditësh u huzua edhe sulmuesi kuqezi, Edgar Çani. Mesfushori i Kombëtares shqiptare ka arritur akordin me drejtuesit e klubit italian të Serisë B dhe tashmë ndodhet në Brentoniko, ato ku skuadra e Karpit po kryen javën e tretë dhe të fundit të përgatitjeve verore. Sipas mediave italiane, ky është një përforcim i rëndësishëm për Karpin, sidomos për faktin se për Memushajn flitet një rikthim në shtëpi, pra të bardhekuqtë.

Memushaj shpenzoi sezonin e kaluar te Leçe dhe tashmë mesfushori i talentuar shqiptar është më i pjekur dhe më i kompletuar si lojtar. Sipas portalit italian “Modenaonline.info”, Memushaj do të jetë interpretuesi perfekt i skemës 4-3-3, aq shumë të pëlqyer nga trajneri Stefano Veki. 26-vjeçari Memushaj ka luajtur në sezonin 2001-2012 me Karpin, teksa në 35 ndeshje ka shënuar tetë gola. Gjatë karrierës së tij në Itali, Lediani është aktivizuar edhe me Paganezen (2009-2010), Kievon (2010-2011, Seria A), Portogruaron (2011) dhe Leçen (2012), duke shënuar në total 14 gola. Tashmë te Karpi janë tre lojtarë shqiptarë: mbrojtësi Harrallamb Qaqi, mesfushori Ledian Memushaj dhe sulmuesi Edgar Çani.

 Shënon Çani

Edgar Çani shënoi goli e parë me fanellën e Karpit. Sulmuesi i Kombëtares realizoi në miqësoren e fituar 2-0 kundër Komos.

  Kievo kërkon Etrit Berishën

 Lacio, Fiorentina, Monako… Kievo. Nuk kanë të sosur ekipet që interesohen për të siguruar shërbimet e portierit shqiptar, Etrit Berisha. Sipas gazetës sportive italiane “La Gazzeta dello Sport”, Kievo e Serisë A ka shprehur një interesim të qartë për portierin e Kombëtares shqiptare, Etrit Berishën. Kontrata e gardianit kosovar me Kalmarin suedez përfundon, më 31 dhjetor 2013. Berisha shënoi të shtunën golin e barazimit 2-2 kundër Bromaapojkarna. Etriti realizoi me penallti në minutën e 80-të. Pak ditë më parë u fol për një interesim edhe të Monakos, që tashmë është në pronësinë e një miliarderi rus.

 Keq për Kapllanin dhe Roshin

  FSV Frankfurti i Edmond Kapllanit dhe Odise Roshit e ka nisur shumë keq sezonin e ri në Bundesligën 2, pasi pësoi humbjen e dytë në po aq ndeshje. Pas dështimit 1-0 me Karlsruher në shtëpi, erdhi dhe humbja 2-1 me 1860 Munih. Trajneri Bruno Mëhleman i hodhi të dy shqiptarët nga minuta e parë në formacion, por si sulmuesi Kapllani, ashtu dhe mesfushori Roshi u zëvendësuan: Roshi në të 61’ dhe Kapllani në të 79’. FSV Frankfurti shënoi i pari me anë të Lekit (53’), por vendasit brazuan me anë të Lautit (55’) dhe siguruan fitoren në minutën e 91-të me anë të Shtopelkampit. Ndeshja e radhës e FSV Frankfurtit është ajo kundër Hejdenhajmit për Kupën e Gjermanisë.

 Rezultate të pranueshme nga Klavio Meça dhe Noel Borshi. Në garë janë ende Anxhela Kashari dhe Evin Zekthi

 Botërori i Barcelonës, i madh për Shqipërinë

 Dje ishte dita e dy notarëve nga katër shqiptarë, të cilët marrin pjesë në Kampionatin e 15-të Botëror të Notit që po zhvillohet në Barcelonë të Spanjës. Në pishinat olimpike katalanase garuan Klavio Meça (400m stil i lirë) dhe Noel Borshi (100m flutur). Në fakt, në një kompeticion të madh botëror, ku merr pjesë ajka e notit planetar, natyrshëm që renditjet e sportistëve tanë (të gjithë 16-vjeçarë) do të ishin jo në nivelin e pritshëm, por ajo që bie në sy janë kohët e kapura prej tyre, që janë pak më të dobëta se rezultatet e tyre më të mira. Notari shqiptar Klavio Meça u rendit i 46-ti nga 48 pjesëmarrës në bateritë kualifikuese për garën e 400 metrave stil i lirë. 16-vjeçari Meça kapi kohën 4 minuta 27 sekonda e 25 të qindtat (4’27”25), ose gati 42.58 sekonda më vonë se koha më e mirë, ajo e kapur nga kinezi San Jang (3’44’’67). Kjo kohë e Meçës është disi më e dobët, sesa rezultatet e tij të kapura në Shqipëri (4:25.00). Fraksioni më i shpejtë në kohë i notarit shqiptar ishte në 50 metërshin e parë, me 31.71 sekonda. Përsa u përket femrave, Noel Borshi (16 vjeç) garoi në 100 metra flutur. Noeli garoi në baterinë e 2-të (nga 6 të tilla) dhe fiksoi kohën 1’06”77, duke u renditur e 46-ta nga 53 pjesëmarrës. Koha e arritur ishte më e dobët se rezultati i saj më i mirë, 1’05”46. Në garë ende për ekipin shqiptar janë dhe dy notarë: Evin Zekthi dhe Anxhela Kashari. 16-vjeçari Evin Zekthi, i cili merr pjesë në 200 metra stil i lirë, do të garojë më datën 29 korrik. Koha e tij më e mirë është 2’00’’17. Zekthi do të garojë në baterinë e parë nga shtatë të tilla. Anxhela Kashari (16 vjeç} në 50 metra stil i lirë. Kashari do të garojë, më 3 gusht, në baterinë e 4-t nga nëntë të tilla (koha e saj më e mirë është 28.03 sekonda).

GARAT E NOTARËVE SHQIPTARË

Klavio Meça

400m stil i lirë, i 46-ti/48

Noel Borshi

100m flutur, e 56-ta/53

Evin Zekthi

200m stil i lirë     ,29 korrik

Anxhela Kashari

50m stil i lirë, 3 gusht

ATLETIKË

Admir Bregu, paraqitje e pëlqyeshme

Sprintieri Admir Bregu bëri një figurë të mirë në Kampionatin e 66-të Ballkanik të atletikës që, po zhvillohet në Stara Zagora të Bullgarisë. Në garën e sprintit në 100 m në baterinë e dytë Admir Bregu (mes 10 konkurrentëve nga Ballkani) u klasifikua i teti me kohën e përgjithshme 11”20. Edison Muço në garën e 1500 m, e mbylli i parafundit (i nënti) me kohën 4.01.50. Po, dje garuan Genci Lugja në 3000 m dhe Astrit Kryeziu e Edison Muço në 800 m.

VOLEJBOLL PLAZHI

Zero pikë, asnjë set i fituar

Shqipëria e volejbollit të plazhit (“beach volley”) ende nuk e ka krijuar traditën, për t’u ballafaquar në aktivitete ndërkombëtare. Në kampionatin ballkanik për meshkuj në U15-të në Kazanlak të Bullgarisë Shqipëria e mbylli e fundit me zero pikë dhe me asnjë set të fituar. Në kampionatin ballkanik për të rritur në “beach volley” në Shkup të Maqedonisë dueti i femrave Kruti-Lala u rendit e 7-ta mes 9 çifteve kurse ajo e meshkujve Kasa-Tepelena e mbylli e fundit, ku në total morën pjesë 13 çifte nga Ballkani.

Ljuis Hemilton, “perandori” i Hungarisë

Ljuis Hemilton fitoi Çmimin e Madh të Hungarisë në Formula 1, duke marrë pikë të plota në Hungaroring. Piloti i Mercedesit i përshkoi të 70 xhirot ne kohën prej 1 orë 42 minuta, 29 sekonda e 445 të mijtat, duke lënë pas finlandezin Kimi Raikonen (Lotus) dhe kampionin në fuqi të Botës, gjermanin Sebastian Fetel (Red Bull). Në vend të katërt u rendit australiani Mark Ueber (Red Bull) dhe në të pestin, spanjolli Fernando Alonso (Ferrari).

Ljuis Hemilton i siguroi fitoren e parë skuderisë Mercedes në pistën e Hungarisë. Britaniku arriti një sukses të dyfishtë, pasi të shtunën fitoi edhe “pole position”. Pas dhjetë garave (nga 19 të tilla), Sebastian Fetel ndodhet në kuotën e 172 pikëve, 38 më shumë se ndjekësi i tij më i afërt, Kimi Raikonen (134). Alonso ka 133 pikë, ndërsa Hemilton 124 pikë. Skuderia Red Bull ka 277 pikë, e ndjekur nga Mercedesi me 208 pikë. Gara e radhës është ajo e Frankoshamps, në Belgjikë.

ÇMIMI I MADH I HUNGARISË

1. L. Hamilton (Mercedes) 25 pikë

2. K. Raikonen (Lotus)     18 pikë

3. S. Fetel (Red Bull)     15 pikë

RENDITJA E PILOTËVE

1. S. Fetel (Red Bull)     172 pikë

2. K. Raikonen (Lotus)     134 pikë

3. F. Alonso (Ferrari)     133 pikë

RENDITJA E EKIPEVE

1. Red Bull                277 pikë

2. Mercedes                208 pikë

3. Ferrari                 194 pikë