Ja vazot për “Euro 2016”, Shqipëria “me fat” në shortin e hedhur

469
Me plotësimin e 24 skuadrave pjesëmarrëse në “Euro 2016” UEFA ka zyrtarizuar dhe vazot e shortit, të cilat do të përcaktojnë më 12 dhjetor në Paris, Grupet e fazës finale të Kampionatit Europian. Ndarja në 4 vazo u bë në bazë të koeficienteve që kishin ekipet përfaqësuese në tetor në mbyllje të fushatës dhe Shqipëria ndodhet në vazon e katërt. Franca si skuadër mikpritëse merr pozicionin e parë në Grupin A dhe nuk do të përfshihet në short. Vazoja e parë do të jetë me 5 skuadra, Grupi ku bëjnë pjesë Spanja, Gjermania, Anglia, Portugalia dhe Belgjika. Të gjitha vazot e tjera do të jenë me nga 6 skuadra. Ku përfshihet vazoja e dytë ku ka zbritur Italia, që i bashkohet Rusisë, Zvicrës, Austrisë, Kroacisë dhe Ukrainës. Më pas në vazon e tretë bëjnë pjesë Republika Ceke, Suedia, Polonia, Rumania, Sllovakia dhe Hungaria, ndërsa në vazon e katërt bashkë me Shqipërinë janë dhe Turqia, Republika e Irlandës, Islanda, Uellsi dhe Irlanda e Veriut. Është e paimagjinueshme të mendosh se cilët do të jenë kundërshtarët e Shqipërisë në bazë të shortit, pasi kombinimet janë të pafundme. Ajo që ka më shumë rëndësi për Shqipërinë ka të bëjë me faktin se, Shqipëria ka shanse për të kaluar Grupin në “Euro 2016”, pasi një fitore e vetme rrit plotësisht shanset për të vazhduar më tej. Kjo, me ndarjen e 24 pjesëmarrësve në 6 Grupe me nga katër skuadra pas fazës së Grupeve, që zgjat nga 10 deri në 22 qershor do të kualifikohen duke plotësuar 16-shen më të mirë jo vetëm 2 vendet e para të çdo Grupi, pra 12 skuadra, por dhe katër të tretat më të mira të 6 Grupeve. Kjo është mundësia e artë e Shqipërisë, e cila ka shanse reale për të avancuar në fazën e ndeshjeve me eliminim të drejtpërdrejtë, duke rritur mundësinë për të ecur më gjatë, pse jo dhe me fitoren e këtij kompeticioni.
Sigal