Ja përgjigjia e UEFA-s në lidhje me ndeshjen Armeni-Shqipëri

64
Deklarata e presidentit të Federatës Armene të Futbollit, Ruben Hayrapetyan, ka ngjallur debate dhe diskutime. Në lidhje me këtë çështje dhe aludimet e bëra në mediat daneze, gazeta “Panorama Sport” kontaktoi me UEFA-n me anë të një korrespondence elektronike me zyrën e shtypit të këtij institucioni.
Në përgjigjen e kthyer për gazetën, lihet evazive hapja ose jo e hetimeve për ndeshjen mes Armenisë dhe Shqipërisë.
UEFA sqaron se çdo ndeshje e kompeticioneve europiane është nën vëzhgim, si dhe çdo takim i dy ligave të para të 54 federatave anëtare të këtij organizmi. E pyetur nëse do të ketë një hetim për sfidën që i dha kualifikimin Shqipërisë, pas deklaratave të presidentit të Federatës Armene të Futbollit, Hayrapetyan, ky institucion ka shmangur konfirmimin për nisjen e hetimeve.
“UEFA monitoron të gjithë ndeshjet e kompeticioneve të UEFA-s, si dhe të dy ligave të para të 54 federatave që janë anëtare të saj, ku çdo sezon rezultojnë në rreth 32 000 të tilla. Në terma të përgjithshëm, ne nuk japim detaje për asnjë investigim nëse nuk ka një çështje disiplinore të hapur ose një vendim zyrtar”, ka qenë përgjigjja e institucionit të futbollit.
Një përgjigje që e lë evazive mundësinë për të nisur një çështje, pasi është vetë ky organizëm që bën me dije se mban nën vëzhgim ndeshjet e të gjithë federatave apo të të gjithë kompeticioneve për të cilat është përgjegjës.