Ja një ditë e Kombëtares në Trevizo

466
Trajneri Xhani De Biazi është 100 përqind i angazhuar dhe përqendruar te përgatitjet. Merret edhe me detajet më të vogla, sepse nuk dëshiron t’i mbesë asgjë rastësisë në ndeshjen e 4 shtatorit. Ka qenë një ditë thuajse festive për kombëtaren tonë, ajo e djeshmja.
Teksa ndodhet në Trevizo të Italisë, në “Ca del Poggio”, duke u përgatitur për ndeshjen kualifikuese të 4 shtatorit në Kopenhagë, trajneri Xhani De Biazi dhe të tijtë i kanë hapur dyert për tifozët.
Dhe këta të fundit nuk kanë munguar, kanë udhëtuar nga qytete të ndryshme të Italisë dhe shteteve fqinje për t’i takuar, përshëndetur dhe përcjellë nga afër kuqezinjtë në stërvitjen e pasdites. Pranë përfaqësues sonë është edhe presidenti i FSHF­së, Armand Duka, që ditën e parë të grumbullimit.
Atmosfera është mjaft e ngrohtë mes lojtarëve, të cilët grupe-­grupe dalin ndonjë xhiro në Kodrat e Trevizos, ku ajri është shumë i pastër dhe temperaturat krejt normale. Një vend i mirëstudiuar nga De Biazi për këto ditë përgatitjesh në prag të kualifikueses së radhës, larg presionit mediatik të Tiranës, larg zhurmës së madhe të pushuesve të shumtë në bregdetin e Durrësit.
Personalisht kam udhëtuar nga Austria për të qenë pranë kombëtares, për të parë nga afër se çfarë “zien” aty brenda para një transferte delikate, të vështirë e mjaft të rëndësishme. Takojmë presidentin Armand Duka, i veshur sportiv, që djeg një cigare puro here pas here, dhe bisedojmë për situatën në kombëtare, por edhe futbollin shqiptar në tërësi.
Duket bukur që një president t’i qëndrojë kaq afër ekipit përfaqësues gjatë gjithë ditëve të grumbullimit. Para se të jetë president, Duka është një tifoz i thekur i kuqezinjve. Takohet e bisedon me ta, në grup e veç e veç. Mundohet të daravisë çdolloj presioni që mund të ekzistojë në skuadër para një ndeshje të tillë, duke thënë se nuk mbaron këtu fushata kualifikuese e Europianit 2016. Për Shqipërinë ka mundësi reale për të siguruar fazën finale në Europianin e Francës, por duhet qëndruar me këmbë në tokë, ndeshjet duhen marrë një e nga një.
Besimi për këtë arritje historike të kombëtares është prezent te Armand Duka, gjë të cilën mundohet ta transmetojë te të gjithë lojtarët. Sepse, vetë De Biazi, nuk ka nevojë për “karikim psikologjik”. Ai ka gjetur mënyrën e tij për ta rritur adrenalinën e futbollistëve që ka në dispozicion. Pikë së pari, i trajton kuqezinjtë me shumë ngrohtësi. I mban afër, bën shaka me ta, madje me ndonjë prej tyre, si Kaçe, nuk ngurron ta kapë edhe për faqesh. “Një lojtar kaq trupvogël dhe që bën një punë kaq të madhe,” – thotë trajneri, tashmë me pasaportë shqiptare, për mesfushorin e PAOK­ut në Greqi.
Dhe ka të drejtë. Ergys Kaçe është “motorri” i kombëtares sonë, pavarësisht moshës së re që ka. Një lojtar gjithnjë në rritje, “vdekjeprurës” në goditjet e dënimit, me shumë vizion për lojën, luftarak dhe që s’u bën bisht dyluftimeve, edhe nëse kundërshtari është dyfishi i tij. Për të biseduar me De Biazin është paksa e vështirë. Tifozët e shumtë shqiptarë mundohen t’i rrëmbejnë ndonjë foto dhe ai mundohet të mus ua prishë. Fundja, i ka ftuar vetë ta mbështesin kombëtaren në këto ditë përgatitjesh anti­Danimarkë, ndërsa e di fort mire se edhe Kopenhaga do të vishet kuqezi më 4 shtator.
Trajneri De Biazi është 100 përqind i angazhuar dhe përqendruar te përgatitjet. Merret edhe me detajet më të vogla, sepse nuk dëshiron t’i mbesë asgjë rastësisë në ndeshjen e 4 shtatorit. Sa në fushën e blertë, kur ndërhyn me këshilla në stërvitje, sa në biseda me lojtarë të ndryshëm. Veç e veç, sa në studimin e kundërshtarit përmes pamjeve televizive, De Biazi duket “deri në fyt” me punë. Eshtë ndeshja e karrierës, sikurse e ka konsideruar vetë ai, ndaj duhet luftuar euforia, ndjenja e inferioritetit e çdo gjë që mund t’i dëmtojë të besuarit e tij. Ka shqetësim për lëndimin e Hysajt, me të cilin merret intensivisht stafi mjekësor, ndërkohë që e shohim të afrohet e flasë shpesh me Ajetin e Xhimshitin.
I ka në fokus këta dy lojtarë për mbrojtjen, por kërkon të sigurohet mirë për formën fizike të të parit, ende pa ekip, dhe të largojë emocionet e të dytit, që e ka për herë të parë grumbullimin me Shqipërinë. Si çdo debutues, edhe ai ka nevojë për një trajtim të ngrohtë, për t’i injektuar besim e siguri. Në fund të ditës së martë, një takim brezash: Unë, Alban Bushi dhe Erion Bogdani.
Natyrisht, në shqoqërinë e presidentit Duka. Bushi në rolin e menaxherit të kombëtares, ndërsa Bogdani i afruar pranë De Biazit në rolin e zv.trajnerit. Flasim për situatën e kuqezinjve në prag të ndeshjes me danezët dhe në fund bëjmë një foto. Unë e konsideroj si “takim brezash në kombëtare. Qendërsulmues të ekipit tonë kombëtar”. Të tjerë e kanë marrë stafetën aktualisht. Cikalleshi, Balaj, Salihi, Sadiku etj., që djersijnë fort në seancat stërvitore, për të kapur vendin e titullarit ndaj danezëve.
Marrë nga TeleSport
Sigal