Iuliano, i pari italian i dështuar, por nuk kemi parë asgjë akoma!

Nga Agron KAJA

KOMENT/ Më në fund u gjet “shkaktari” i gjendjes të dobët te skuadra e kuqe, por ky duket si fillimi i fundit të Moxhit

Dje ka qenë një ditë e mirë për Partizanin, e cila e ka zbardhur 50% shkakun e kësaj gjendjeje që skuadra e kuqe është duke kaluar në këtë sezon, kryesisht në Kategorinë Superiore. U shkarkua trajneri Mark Iuliano, i cili vetëm dje ka bindur “trustin” e Moxhit, se ai nuk bënte shumë për këtë punë, dhe se te Partizani emrin kishte madh, ndërsa performancën e kishte “offsajt”. Dhe këta drejtues që ka Partizani sot, me profil italian, menduan se këtu qëndronte e keqja e kësaj gjendjeje, dhe si më “delikati” në të tilla raste, u shkarkua. Natyrisht, se, që të drejtosh një Partizan të madh në futbollin shqiptar, ndoshta njërën nga skuadrat më të mirëpaguara sot, dhe të renditesh në fazën e parë në vendin e 6-të me 11 pikë, po aq sa Laçi, ky nuk ishte rezultati i pritshëm. Ndaj Iuliano duhet të ishte larguar vetë që më parë, por këtu hyn në lojë më shumë ai i dënuari në Itali për mashtrime në futbollin e shtetit Apenin, pikërisht Luçiano Moxhi, i cili për të shpëtuar lëkurën e tij, sakrifikoi pikërisht atë që ai vetë e solli me shumë krenari për sukses. Ai që solli te Partizani Edgar Çanin për 20 mijë euro në muaj, por që deri më sot nuk ka treguar as sa për një futbollist të kategorive inferiore në futbollin shqiptar, ai që solli Adorian e Kamara, duke i bërë ata si “Mesi” e Maradona” të mashtrimeve të tij. Ndoshta nuk kemi parë asgjë akoma, sepse ky duhet të jetë vetëm fillimi i fundit të Moxhit si drejtues numër një te skuadra e Partizanit, edhe pse Starova është përzgjedhur si një “gomone” për shpëtimin e Partizanit. Kjo skuadër që për disa vite shkëlqeu nën drejtimin e Presidentit Gaz Demi, jo çuditërisht këtë sezon u shfaq gri në gjithë hapësirën e përgatitjeve e ndeshjeve të saj, nisur që nga faza përgatitore në Itali, në ndeshjet miqësore, të Kupës së Shqipërisë dhe në ato të Kategorisë Superiore. Në çdo rezultat, vetë i larguari Iuliano, i mbështetur fuqimisht nga prapavija e Moxhit, rezultatet negative i quante si pjesë e progresit, i cili “progresoi” me zbritje në lojë dhe në rezultate. Vetëm në ndeshjet e Kupës me Naftëtarin, Partizani u duk sikur ndryshoi, se natyrisht nuk do të ishte skuadra kuçovare barometër, pasi në kampionat janë rivalët për elitën. Këtë Partizani nuk e bëri, por faji i kaloi Iulianos si trajner, duke anashkaluar strumbullarin e kësaj gjendjeje, Luçiano Moxhin. Këto ditë, në gazetën “Telegraf” është trajtuar kjo situatë te Partizani, njëherësh edhe janë hedhur mendime për objektin e saj, por që këtë herë u ndëshkua subjekti. Por, kjo gjendje nuk kalon me kaq, dhe Starova nuk është aq i lehtë sa të mos e kuptojë se vazhdimësia e tij me Moxhin nuk do të jetë pozitive, ndaj nuk kemi parë asgjë akoma. Moxhi duhet të largohet, të shpëtojë Partizani.

Iuliano duhet të ishte larguar vetë që më parë, por këtu hyn në lojë më shumë ai i dënuari në Itali për mashtrime në futbollin e shtetit Apenin, pikërisht Luçiano Moxhi, i cili për të shpëtuar lëkurën e tij, sakrifikoi pikërisht atë që ai vetë e solli me shumë krenari për sukses

11 ndeshje
Kaq ndeshje zyrtare qëndroi Iuliano në stolin e Partizani, 2 në Kupën e Shqipërisë dhe 9 në Kategorinë Superiore

Ky ishte sezoni i parë që Luçiano Moxhi mori “frenat” e drejtimit të Partizanit, por nën presidencën e Gaz Demit

“Dredhia” e Moxhit: Iuliano pa fat me dëmtimet e sulmuesve!
Pas shkarkimit të Iulianos, në SuperSport, Luçiano Moxhi ja ka hedhur edhe këtë herë me veten, teksa për trajnerin “mallkon” fatin e keq me sulmuesit. “Kemi marrë një vendim të rëndësishëm, dhe që nga java e ardhshme Iuliano nuk do të jetë më trajneri i Partizanit. Në vendin e tij do jetë Starova, i cili e njeh mirë kampionatin, i njeh dhe lojtarët që ka në dispozicion. Iuliano kishte mungesë në rezultate, dhe fatin e keq që Çani nuk mund të aktivizohej, më pas u dëmtua edhe Sukaj”, kështu ka deklaruar dje Moxhi.

A e di Moxhi, se Starova nuk është vetëm “gomone” për Partizanin?!
Nëse dje u mësua se zëvendësuesi i Iulianos do të ishte Sulejman Starova, kjo vendosje kishte edhe dy këndvështrime. Natyrisht që i pari është fakti, se Starova tashmë e ka krijuar portretin e tij si trajner me nivel në Superioren shqiptare dhe në vitet e fundit ishte ai që e drejtoi Partizanin, pretendent edhe për titullin kampion. Por, ka edhe një tjetër këndvështrim, që këtë herë nuk duhet të ndodhë, sepse ky trajner nuk mund të jetë “gomone shpëtimi” për Partizanin, në situatën që mund të quhet edhe i mbytur në fazën e parë.

Ndeshjet e Partizanit
Java 1-rë/ 10.09.2017 
Partizani-Laçi 0-2
Java 2-të/ 18.09.2017 
Partizani-Kukësi 0-0
Java 3-të/ 23.09.2017 
Skënderbeu-Partizani 2-0
Java 4-t/ 02.10.2017
Partizani-Lushnja 0-0
Java 5-të/ 12,10.2017
Teuta-Partizani 1-2
Java 6-të/ 16.10.2017 
Partizani-Luftëtari 2-0
Java 7-të/ 22.10.2017 
Vllaznia-Partizani 0-1
Java 8-të/ 29.11.2017 
Partizani-Flamurtari 0-1
Java 9-të/ 04.11.2017 
Kamza-Partizani 1-0
BILANCI NË 9 JAVË:
Nd 9, F 3, B 2, H 4, G 5:7

9 ndeshje
Kaq janë luajtur në fazën e parë për Partizanin, me 3 fitore, 2 barazime, 4 humbje, me golavarazhin negativ 5:7

1 dënim
Për Luçiano Moxhin, sot drejtuesi i parë i Partizanit, ka një dënim në futbollin italian, i quajtur “Calciopoli”