Italia e Paolo Barellit mbështet notin shqiptar

707
Më 23 nëntorë të vitit 2015 mbërriti në Tiranë Presidenti i Federatës Italiane të Notit Paolo Barelli, i cili u prit nga Presidenti i Notit Shqiptar, Agim Çiraku. Qëllimi i kësaj vizite të Presidentit të Federatës së Notit Italian, Paolo Barelli, i cili është njëkohësisht edhe President i Federatës Europiane të Notit ishte hartimi i një platformë bashkëpunimi reciprok midis dy federative asaj shqiptare dhe Italiane, po kështu edhe me njohjen e kushteve të Sportit të Notit në Shqipëri, për të përpiluar më mirë edhe ndihmesën që do të japë Federata Italiane e Notit për Sportin e Notit në Shqipëri. Së bashku me Presidentin e Notit Shqiptar, Agim Çiraku, bënë disa vizita nëpër impiantet e Tiranës dhe të Durrësit. U panë impiantet, infrastruktura, ku stërviten sportistët tanë, u vunë re mangësitë ose anët pozitive të tyre. Presidenti i Federatës Italiane të Notit, Paolo Barelli, pasi u njoh nga afër me kushtet konkrete të Sportit të Notit në Shqipëri, si edhe me nevojën që duhet dhënë për një hop më cilësor në të ardhmen, propozoi mënyra mbështetjeje të Federatës Shqiptare të Notit. 


Si pikë e parë, Federata Shqiptare e Notit të mund të dërgojë teknikët, ose trajnerët tanë në Itali, herë pas here periodikisht, në impiantin më të mirë sportiv, i cili gjendet në Romë, i cili është i ndërtuar në vitin 2009, kur u zhvillua dhe Kampionati Botëror në Itali, dhe Federata Italiane e Notit merr përsipër që sportistët tanë mund të stërviten periodikisht në periudha dyjavore pranë trajnerëve dhe ekipeve më të mira italiane. Në këtë takim, si çështje të dytë mori përsipër trajnimin, jo vetëm të sportistëve, por edhe të trajnerëve, duke dërguar një numër 10 apo 12 personash. Trajnimi bëhet për një periudhë dyjavore, edhe këto periodikisht herë pas here, pranë qendrave, apo impianteve, ku trajnohen ekipet më të mira italiane për të marrë një eksperiencë, pikërisht aty, ku bëhet ajo stërvitje e specializuar. Gjithashtu, u fol edhe për mundësi të tjera bashkëpunimi. Si pikë e tretë ishte edhe ardhja e herë pas hershme në mënyrë periodike e një specialist nga Italia, i certifikuar nga Federate Botërore e Notit, për të prekur terrenin shqiptarë dhe për të parë se si ato mësime, apo trajnime, që ishin marrë në impiantet italiane, qoftë e sportistëve, apo trajnerëve, si janë vënë në praktik këtu në pishinat tona. Ndërsa pika tjetër e ndihmesës që Federata Italiane e Notit do t’i japë Federatës Shqiptare të Notit, është në dy aktivitetet kombëtare, një dimëror dhe një veror, në kampionatet e të rriturve, Federata Italiane e Notit do të sjellë edhe tabelë elektronike, me gjithë punonjësit e saj për ta vënë në funksion. Ky bashkëpunim do të zgjasë për një periudhë afatgjatë, tre vjeçare për momentin, duke parë se si do të vazhdojë ecuria e këtij bashkëpunimi gjatë këtyre tre vjetëve, atëherë do të jemi më të sigurt dhe më konkretë në hapa të mëtejshme që do të hidhen. 
1. Kryetar i Delegacionit të Federatës Italiane të Notit në Lojërat Olimpike Seul 1988, Barcelona 1992, Atalanta 1996, Athinë 2004 dhe Kinë 2008.
2. Zëvendës president i Komitetit Teknik të Federatës Europiane të Notit për periudhën 1999-2000.
3. Anëtar i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar që nga viti 2000.
4. Sekretar Nderi i Federatës Botërore të Notit (FINA) që nga viti 2009.
Noti shqiptar, trajnim special në Itali
Federata Shqiptare e Notit, i ka mundësuar 22 sportistëve të ekipit Kombëtar të përzgjedhur nga të gjithë qytetet e vendit, një trajnim 10 ditor në Itali. Një bashkëpunim i tillë është arritur falë marrëveshjes mes presidentit të Federatës Shqiptare të Notit, z.Agim Çiraku dhe atij dhe kreut të Federatës italiane të Notit, z.Paolo Barrelli. Notarët shqiptarë dhe katër trajnerët e tyre janë përgatitur në një nga komplekset më moderne në Itali dhe në Rajon, siç është ai i Ostias në afërsi të Romës. Në ditën e parë të mbërritjes së tyre në Itali, delegacioni shqiptar është pritur nga vetë kreu i FIN, z. Barreli dhe Sekretari i Përgjithshëm i Federatës së Notit në Itali. Programi stërvitor ishte hartuar nga trajneri i ekipit Kombëtar të të rinjve italianë dhe parashikonte dy seanca stërvitore në ditë, të cilat zhvilloheshin paradite dhe pasdite, ndërsa notarët i janë nënshtruar një regjimi të rreptë, gjatë ditëve stërvitore, për të rritur parametrat e tyre fizikë. Ndërsa, katër trajnerët pjesëmarrës janë njohur me metodat më të fundit të trajnimit ndërkombëtar në sportin e notit, si dhe i kanë perfeksionuar ato, për t’i përdorur gjatë punës së tyre të përditshme me notarët shqiptarë. Një trajnim i tillë pritet të zhvillohet sërish gjatë vitit të ardhshëm në bazë të marrëveshjes që është arritur mes dy federatave. Ndërkohë, që notarët dhe trajnerët shqiptarë kanë marrë përgëzimet e homologëve italianë për formën e sportistëve, e cila ka qenë në nivele mjaft të mira. 
Agim Çiraku: Marrëveshje trevjeçare me Federatën Kombëtare të Notit
Agim Çiraku: Notarët shqiptarë që udhëtuan drejt Italisë ishin në kuadrin e një marrëveshje që Federata Shqiptare e Notit ka lidhur me Federatën italiane të Notit. Është një marrëveshje, e cila do të konkretizohet në tre vitet e ardhshme. Ne ia dimë për shumë faleminderit presidentit të Federatës së Notit të Italisë Paolo Barrelli, i cili krijoi mundësinë që në kompleksin e tyre të pishinave të marri vit për vit të stërvitë 16 notarë dhe 4 trajnerë. Në këtë kuadër ishte edhe grupi që vajti në Itali. Mbas kthimit të tyre, përshtypjet e notarëve edhe të trajnerëve ishin shumë të mira, mikpritja ishte në shkallën sipërore, nga stafi drejtues i notit italian. Ne morëm eksperiencë nga noti dhe trajnerët italian dhe kam besimin se ishte shumë e domosdoshme. Notarët shqiptarë e kishin të domosdoshme grumbullimin për 15 ditë në pishinat italiane. 

Aty mësuan shumë, përveçse anës teknike të të notuarit për sportistët dhe anës teknike të trajnerëve, aty mësuan se si mund të rrinë fëmijët 15 ditë në komunitet. Për të cilën mendoj unë si President i Federatës së Notit, fëmijët shqiptarë e kanë shumë të domosdoshme, sepse nuk janë mësuar që të rrinë në komunitet prej dy javësh të rrinë larg prindërve, larg tutelës së prindërve. Dhe normalisht gjatë qëndrimit të15 ditëve të tyre aty dolën disa probleme të vogla, të cilat ishin pasqyrim i familjeve shqiptare. Për shembull, në ditët e para pati probleme në ushqimin e tyre. U ankuan që “e kemi ushqimin shumë të keq në Itali”, që është një gjë që nuk mund të thuhet kurrë për ushqimin italian. Ushqimi italian është shumë i mirë. Por ata duke mos qenë të mësuar me ushqimin e sportistit, duke qenë të mësuar me ushqimin shqiptar, me ushqimin dhe regjimin familjar, e patën pak të vështirë të mësoheshin me regjimin e sportistëve italianë. Të rrish i grumbulluar për dy javë në një vend larg prindërve dhe të afërmve të tyre. Kur në të njëjtën kohë gjatë periudhës kur notarët shqiptar ishin në këtë kompleks Italian për tu stërvitur erdhi ekipi kombëtar italian. Dhe nga informacionet të kam, i gjithë ekipi italian hante të njëjtën menu, nga notari i parë deri tek i fundit, kurse notarët shqiptarë duke pasur probleme me ushqimin, trajneri që i kishte caktuar Paolo Barrelli të merrej me notarët shqiptar kishte filluar të bënte porosi të gjithë notarëve shqiptarë më vetë. Pra 16 notarë shqiptar 16 porosi të ndryshme. Kurse ekipi italian kombëtar erdhi me 30 vetë, kishin një menu, çfarë hante i pari hante edhe i tridhjeti. Kjo ishte një gjë pozitive për notarët shqiptarë, që të mësohen me jetën e grumbullimit, me jetën kolektive dhe jashtë familjare. Në mbetemi shumë të kënaqur nga kjo marrëveshje, është një marrëveshje shumë e mirë edhe shuam e domosdoshme. Për këtë ja dimë për shumë faleminderit Presidentit të Federatës italiane. Dhe përveç këtyre, neve në këtë marrëveshje kemi rënë dakord që katër ose gjashtë notarë shqiptarë do marrin pjesë në garat që do të zhvillojë ekipi italian. Domethënë kur të ketë garat kombëtare Italia do marri edhe katër ose gjashtë notarët shqiptarë, më të mirët të garojnë në këtë kompeticion që zhvillohet në Itali. Edhe kjo besoj do të jetë shumë pozitive, do shkëmbehen eksperiencat notar me notar. Natyrisht italianët janë me rezultate shumë herë më larta, sesa ne. Kështu që do na shërbejë në eksperiencën e notarëve, duke marrë pjesë në garat në Itali. 
Neziri: Trajnime të tilla sjellin rezultate për notin shqiptar 
Një nga trajnerët që ishte i pranishëm në trajnimin e zhvilluar në Itali, falë bashkëpunimit mes Federatës Shqiptare të Notit dhe asaj italiane, ka qenë edhe trajneri Saimir Neziri. Në një intervistë për “Telegraf”, përgjegjësi i pishinës në shkollën “Nobel”, ka folur për këtë eksperiencë shumë të vlefshme, e cila do t’i shërbejë notarëve shqiptarë për të arritur rezultate edhe më të larta. 
-Ju ishit pjesë e përfaqësisë së notit shqiptar, e cila është trajnuar për disa ditë në Itali, mund të na thoni diçka më shumë në lidhje me këtë eksperiencë?
Në fillimin e muajit qershor, Ekipi Kombëtar i Notit është nisur drejt Italisë, ku ka qëndruar për të zhvilluar një trajnim në Qendrën Sportive të Ostias në Romë. Dua të theksoj se në të njëjtën qendër, stërvitet edhe Ekipi Kombëtar i Notit italian. Në momentin që kemi mbërritur aty na ka pritur vetë presidenti i Federatës Italiane të Notit, Paolo Barrolo. Mes federatës sonë dhe asaj italianë është bërë një marrëveshje 3-vjeçare, e cila konsiston në trajnimin e notarëve tanë më të mirë në qendrën e sipërpërmendur në kohë të ndryshme. Natyrisht që kjo është një eksperiencë e mirë dhe i shërben shumë notarëve, për të rritur cilësinë në paraqitjet e tyre, gjatë garave të ndryshme që zhvillohen. 

-Si janë përzgjedhur notarët që kanë marrë pjesë në këtë trajnim?

-Federata Shqiptare e Notit ka përzgjedhur notarët e perspektivës dhe nga ekipet Tirana, Durrësi, Vlora dhe Saranda ka pasur nga 4-5 sportistë. Gjithashtu kanë marrë pjesë edhe katër trajnerë. 

-Sa i ka shërbyer notarëve shqiptarë, por edhe ju trajnerëve një eksperiencë e tillë?

-Si notarëve, ashtu edhe ne trajnerëve, ky trajnim 10 ditor na ka shërbyer shumë, pasi gjatë ditëve të zhvillimit të tij, jemi njohur me programe të reja dhe metoda e modele evropiane të trajnimit, të cilat mund t’i përshkruaj si unikale. Gjithashtu pjesë e trajnimit tonë, ka qenë edhe trajneri i ekipit të të rinjve të Kombëtares së Italisë, i cili na ka shoqëruar gjatë gjithë kohës. 

-A janë të nevojshme që trajnime të tilla të kryhen më shpesh dhe jo vetëm në Itali, por edhe në vende të tjera të Europës?

-Natyrisht që janë të nevojshme, pasi i japin një zhvillim të madh sportit të notit, që të arrijë rezultate edhe më të mira në vijim. Shpresoj dhe mendoj që këto trajnime të shtrihen edhe në shtete të tjera që kanë traditë në këtë sport. 

-Po në lidhje me kushtet e akomodimit dhe të stërvitjes, pra pishinave, ç’mund të na thoni?

-Gjithçka ishte e organizuar në mënyrën më të mirë dhe kushtet ishin fantastike. Ndërsa stërvitja është zhvilluar si në pishinat dimërore, ashtu edhe në ato verore. Është e kotë të flas për komoditetin e tyre, duke qenë se në të njëjtën qendër stërvitet edhe Kombëtarja italiane e Notit. 

-Noti shqiptar kohët e fundit ka thyer rekorde kombëtare në aktivitetet brenda edhe jashtë vendit. A ndihmojnë trajnime të tilla që këto rekorde të përmirësohen?

-Është e vërtetë që noti shqiptar në vitet e fundit, ka nivel të lartë përfaqësimi dhe kjo vjen pasi në çdo ekip ka talente që kanë thyer rekorde. Por, në të ardhmen duhet shumë punë dhe stërvitje që të arrihen suksese edhe në kompeticionet Europiane. Për këtë arsye për një notar, nevojiten trajnime të këtij lloji, të cilat të kombinuara me talentin, stërvitjen dhe motivimin e një sportisti sjellin edhe rezultatet që të gjithë i dëshirojmë. 

-A mendon se edhe qeveria shqiptare duhet të tregojë më shumë kujdes për sportin e notit, duke i krijuar të gjitha kushtet që ai të ketë një përfaqësim më dinjitoz jashtë vendit?

-Në të gjithë sportet motivimi është pika kyçe dhe natyrisht financat janë ato që e motivojnë më së miri një sportist për të marrë rezultate. Federata Shqiptare e Notit, ka një grand të vogël për të menaxhuar sportin dhe arritjet e deritanishme, kanë ardhur edhe falë mbështetjes dhe kontributit që po jep Presidenti i federatës, z.Agim Çiraku. Nuk dua të paragjykoj futbollin, por nuk duhet bërë marketing vetëm me një sport, pasi Ekipi Kombëtar është edhe ai i notit. Ç’mund të bëjë ky sport me vetëm 20 milionë lekë të vjetra në vit që jep Ministria e linjës. Si mund t’i menaxhojë federata këto para, ndërkohë që futbolli merr miliona euro. Kështu që Qeveria Shqiptare duhet të bëjë më shumë në këtë drejtim, si në aspektin e mbështetjes financiare ashtu edhe të logjistikës, që edhe noti të jetë i barabartë me sportet e tjera. Duhet që Ligji i Sportit të zbatohet njësoj për të gjithë. 
Sigal