Italia akuzon gjyqtarin për gafat, “Vampiri” Suarez kafshon Kielinin

554
Sigal

 Pas Spanjës dhe Anglisë, një tjetër Kampion Bote i jep lamtumirën Botërorit. Kualifikohet Uruguai

Italia humbi 1-0 me Uruguain, pas një goli me kokë të Godin në minutën e 81-të, por në eliminimin e italianëve rëndojnë shumë vendimet tejet të diskutueshme të gjyqtarit meksikan Rodriguez Moreno. Largimi më karton të kuq (59’) i mesfushorit të Juventusit, Markizo, prishi ekuilibrat në fushë, ndërkohë që “xhaketa e zezë” nuk ndëshkoi Luis Suarezin për një kafshim në shpatull të kundërshtarit Xhorxho Kielini, përpara se Uruguai të shënonte golin fatal. Italia i jep kështu lamtumirën Botërorit në fazën e grupeve, për herë të dytë rresht pas atij në Afrikën e Jugut 2010. Kështu, pas Spanjës dhe Anglisë, një tjetër Kampion Bote i jep lamtumirën e parakohshme Kampionatit Botëror.

Që në fillim u kuptua se çfarë ndeshje do të shikohej, pasi në minutat e para dy mbrojtjet u përpoqën t’i fusnin frikën Balotelit dhe Suarezit. Supermario u shndërrua në “sanduiç” mes mbrojtësve uruguaian ndërsa Barzalji i dha këmbët në dorë Suarezit në të 5-tën. Startin e ashpër u përpoq ta ëmbëlsonte disi Pirlo me një goditje dënimi fantastike, që vuri jo pak në vështirësi Muslerën. Praktikues i lojës së rëndë u bë dhe Baloteli në të 22-tën, që i kërceu mbi shpinë Alvaro Pereirës, duke ja hedhur vetëm me të verdhë. Në të 23-tën, Bufon tregoi që ishte i pranishëm në fushë duke larguar mirë një harkim të rrezikshëm drejt zonës, gjithsesi mrekullinë portieri i të kaltërve e bëri në të 33-tën. Suarez mbylli murin me Lodeiron duke gjetur hapësirën për goditjen por jo për portën, që ja mbylli Bufon, i cili në mënyrë madhështore vendosi dorën dhe në goditjen e dytë të Lodeiros. Italia e nisi fraksionin e dytë duke ulur në stol Balotelin, shumë nervoz për t’i rezistuar provokimeve të mundshme që mund të vinin nga uruguaianët. Italia ishte e vendosur për t’u treguar e duruar e për të luajtur për barazim, por Uruguaji jo. Në të 51’, Kavani pretendoi për 11-metërsh por për Rodriguez nuk kishte kontakt, të paktën jo mjaftueshëm për penalizim. Në të 5’, një tjetër Rodriguez mund të bëhej protagonist teksa u shfaq i vetëm përballë Bufon pas trekëndëshit me Suarezin, por goditi jashtë. Gjithsesi në të 59-tën, Italia mori një goditje të rëndë, me Markizion që u ndëshkua me të kuq pas një ndërhyrje të rëndë ndaj Arevalos vetëm pak metra larg syve të gjyqtarit. Në superioritet numerik, Suarez gjeti hapësirat e nevojshme dhe në të 65’ u shfaq përballë portës, por përpara tij gjeti Shën Bufon, që vendosi një tjetër dorë për të mbajtur në Botëror, Italinë. Rasti shpërdoruar nervozoi Suarez, që për herë të tretë në karrierë bëri gjestin e turpshëm duke kafshuar Xhorxho Kielinin. Sulmuesi uruguajan u përpoq të pastronte “armën” e krimit, ndërsa Chiellini vrapoi për t’i treguar gjyqtarit provat. Gjithsesi “El Pistolero” vazhdoi të qëndronte në fushë dhe në goditjen pasardhëse të këndit, Godin me një goditje me kokë i “rezervoi” biletën e kthimit në shtëpi Italisë. Eliminimi u zyrtarizua pas pesë minutave shtesë. Italia merr rrugën e kthimit në shtëpi, duke koleksionuar në këtë Botëror një fitore me Anglinë (2-1) dhe dy humbje me Kosta Rikën (1-0) dhe Uruguain (1-0).

Të kualifikuar

 Brazili

Meksika

Holanda

Kili

Kolumbia

Kosta Rika

Uruguai

Franca

Argjentina

Belgjika

Besimi i Humelsit

Qëndërmbrojësi i Gjermanisë, Mats Humels, kompletoi një ëndërr kur shënoi golin e parë të tij në Botëror kundër Portugalisë. Por, tani ai kërkon një tjetër rrjetë pikërisht në ndeshjen kundër SHBA-ve.

Asnjë kompromis

Trajneri i SHBA-ve, Jurgen Klinsman, deklaroi se ekipi i tij nuk ka ndërmend të bëj asnjë kompromis për barazim me Gjermaninë në ndeshjen e fundit në grup: “Hiqeni mendjen, ne do të luftojmë për të fituar”.

Qëndron Kovaç

Niko Kovaç hodhi poshtë idenë, për një dorëheqje pas dështimit të Kroacisë së tij në Botëror. “Përse duhet ta bëj këtë. Unë kam ende një kontratë të vlefshme dhe nuk shoh asnjë arsye për të dhënë dorëheqjen”.

Anglia dështon edhe me surprizën Kosta Rika

 Anglia nuk shkoi më shumë se një barazim 0-0 me Kosta Rikën, duke i dhënë lamtumirën në mënyrën më të turpshme Botërorit. “Tre luanët” nuk arritën të fitonin asnjë nga tre takimet, duke u renditur të fundit në grupin D, edhe pse “shpikësit e futbollit” konsideroheshin si favoritët kryesorë për të kaluar në raundin e 1/8-ave. Anglezët, të cilët kanë një nga kampionatet më të fortë në botë, Premier Ligën, dhe me një grup lojtarësh cilësorë treguan shumë pak në kompeticionin më prestigjioz në Botë.  “Djemtë” e Roj Hoxhsonit humbën ndeshjen e parë me Italinë, ndërsa pësuan të dytën me Ekuadorin me të njëjtin rezultat. Kosta Rika shkaktoi surprizën më të madhe në këtë Kupë Bote, duke mbyllur fazën e grupeve në vend të parë, edhe pse nga “bukmejkërësit” ajo parashikohej ta mbyllte e fundit. Ajo fitoi 3-1 me Uruguain, për të mposhtur në takimin e dytë Italinë me rezultatin 1-0.

Fidel Kastro, letër Maradonës

 Të gjithë e njohin si liderin e revolucionit kubanez, por Fidel Kastro është njëkohësisht dhe një i pasionuar pas sportit dhe në ditët e Botërorit u përfshi në klimën e eventit më të madh sportiv të vitit, duke i dërguar një letër mikut të tij Diego Armando Maradona ku e komplimenton argjentinasin për emisionin e tij të përditshëm televiziv në kanalin venezuelas “Telesur”.

“Mik i paharrueshëm, kam përditë kënaqësinë të ndjek përditë programin tënd, falë të cilit mund të kuptoj nivelin e jashtëzakonshëm të këtij sporti universal”, – shkruan Kastro.

Hoye Murinjo: “Gjermania, më e mirë me Shvajnin”

 Trajneri i Çelsit, Zhoze Murinjo, në rolin e analistit të portalit “Yahoo.com”, deklaroi se Gjermania bëhët një ekip më i mirë kur Bastian Shvajnshtajeger është në fushë. “Ai i jep më shumë stabilitet ekipit në mesfushë, sesa Lahm. Unë do të doja të shihja Shvajnshtajgerin në mesfushë dhe Lahmin më mbrojtje. Por, sigurisht që, këtë e vendos trajneri Johakim Lëv dhe jo unë”, – tha 55-vjeçari, i cili ka fituar Ligën e Kampioneve me Porton dhe Interin. Portugezi Murinjo tha se, ekipi që e ka surprizuar më shumë është Kosta Rika, e cila ia doli të dilte e para në grupin ku kishte Uruguain, Italinë dhe Anglinë, me këto dy të fundit të eliminuara.

  Parashikimet e ndeshjeve të sotme

 Kompanitë më të mëdha të basteve parashikojnë fitoret Argjentinës me Nigerinë dhe Bosnjës me Iranin (ndeshje të grupit F), si edhe të Zvicrës ndaj Hondurasit dhe Francës ndaj Ekuadorit (ndeshje të grupit A). Argjentina (6 pikë) dhe Franca (6 pikë) janë kualifikuar në grupet e tyre për në raundin e 1/8-ave për vendet e dyta luftojnë Zvicra (3 pikë) me Ekuadorin (3 pikë) në grupin E. Në grupin F, kanë ende shanse Nigeria (4 pikë) dhe Irani (1 pikë).

Parashikimet e basteve 1X2

18:00 Nigeri-Argjentinë   7.66       3.69       1.54

18:00 Bosnjë-Iran         2.11       3.41       3.46

22:00 Honduras-Zvicër           7.72       4.42       1.43

22:00 Ekuador-Francë      4.50       3.63       2.05

Parashikimet e “Telegraf”

18:00 Nigeri-Argjentinë   (fiton Argjentina)

18:00 Bosnjë-Iran          (fiton Bosnja)

22:00 Honduras-Zvicër           (fiton Zvicra)

22:00 Ekuador-Francë      (fiton Franca)