Itali-Shqipëri/ Igli Tares i “hanin këmbët”: Do kisha dashur të luaja unë. Kemi shumë talente te U-21

61
Ish-sulmuesi i kombëtares shqiptare të futbollit, Igli Tare, ka ndjekur si tifoz ndeshjen mes Shqipërisë dhe Italisë në shkallët e stadiumit “Renzo Barbera” në Palermo dhe në përfundim të sfidës, ka pranuar për mediat italiane se i ‘hanin këmbët” për ta luajtur një sfidë të tillë.
“Ka pasur gjithmonë një lidhej të ngushtë mes Shqipërisë dhe Italisë, do të kisha dashur që këtë ndeshje ta luaja unë”, tha drejtori aktual sportiv i Lacios, i cili gjatë karrierës së tij në Serinë A ka veshur fanellën e Bolonjës, Breshias dhe Lacios.

Pavarësisht humbjes, ai ka bindjen se rritja e mëtejshme e Shqipërisë do të vazhdojë, duke kthyer sytë nga e ardhmja.

“Kombëtarja jonë U-21 është e mbushur me talente, e ardhmja është e mirë. De Biazi dhe stafi i tij kanë bërë një punë shumë të mirë, futbolli në Shqipëri është rritur shumë.

Që nga tani e tutje, rrugëtimi është ende i gjatë, jemi të rinj dhe duam të bëjmë mirë. Kjo ndeshje do të na ndihmojë që të krijojmë eksperiencë”, deklaroi Tare.