Ismet Varfi: Nderim për mjeshtrit e sportit në vite

37

Me anë të këtij shkrimi modest, dua të tërheq vëmendjen për institucionet e sportit në Shqipëri që jo vetëm të kujtohet por edhe të nderojnë figurat e shquara të sportit në vite. Kjo nuk duhet të bëhet kur ato figura si vlera të çmuara të Kombit largohen nga jeta, por atyre respekti dhe nderimi t’u bëhen sa të jenë gjallë. Personalisht kam marrë përsipër që nëpërmjet shkrimeve të pasqyroj e të publikoj disa figura të shquara të sportit të boksit në vite.

Konkretisht këtë radhë e kam fjalën për mjeshtrin e nderuar të sportit Rahmi Sadushi.

Ishte viti 1963 që boksieri ynë i talentuar Rahmi Sadushi, i cili në atë kohë ishte vetëm 21 vjeç, mori pjesë në lojërat e nivelit botëror në “Ganefo” –Xhakartë, Indonezi dhe mori medalje argjendi, rezultat i cili është arritur për herë të parë në sportin e boksit. Ekipi ynë në këtë aktivitet madhor u përfaqësua me tre boksierë: Martin Çepa, Isen Sharra dhe Rahmi Sadushi.

Rahmiu në këtë aktivitet u zhvilloi katër ndeshje dhe në finale u përball me boksierin koreano-verior, boksier i cili kishte një eksperiencë të madhe dhe ishte shpallur disa herë kampion i Koresë së Veriut.

Në këtë finale, siç tregonte i madhi Ali Kastrati, Rahmiu demonstroi një teknikë të lartë boksimi sa tërhoqi vëmendjen dhe vlerësimin maksimal të specialistëve të huaj.

Ndeshja përfundoi me fitoren e boksierit koreano-verior me rezultat shumë të ngushtë.

Me këtë rast unë dua të tërheq vëmendjen e medias televizive, sidomos asaj sportive, e cila duhet që ndeshjen e zhvilluar nga Rahmiu në lojërat e “Ganefos”, e cila është e filmuar duhet që të jepet, sepse ajo përbën vlerë dhe boksierët e rinj kanë se çfarë të mësojnë. Aktualisht kaseta e kësaj ndeshjeje ndodhet në sirtaret e televizionit shqiptar, të cilën sigurisht që e ka mbuluar pluhuri.

Kjo vërejtje vlen edhe për figurat e tjera të sporteve në Shqipëri. Rezultatin e arritur Rahmiu është nderuar me titullin e lartë Mjeshtër i Merituar i Sportit, si dhe për vitin 1963 do të shpallej edhe në dhjetëshen më të mirë të sportistëve të Shqipërisë.

Po kush është Rahmi Sadushi? Rahmi Sadushi ka lindur në qytetin e Vlorës, më 4 Korrik 1943. Theksoj se Vlora, qyteti ku ai ka lindur, krahas traditave të mëdha patriotike dallohet edhe në fushën e sportit në përgjithësi, por edhe atë të boksit në veçanti.

Nga ky qytet kanë dalë shumë boksierë të shquar si: Idahi Rama, Toli Truja, Pajtim Dauti, Ramadan Çuni “Babi” etj., dhe deri në ditën e sotme që ekipi i Flamurtarit nën drejtimin e trajnerit të pasionuar “Mjeshtër i Madh” Z. Gëzim Zeneli që, jo vetëm ka nxjerrë mjaft boksierë cilësorë, por edhe si ekip për çdo grupmoshe disa herë është shpallur Kampion Kombëtar. Në këtë kuadër kam edhe një mesazh të veçantë për grupin sportiv Flamurtari por edhe për Bashkinë e Vlorës që është mirë që të organizojnë e zhvillojnë aktivitete kushtuar figurave të shquara të boksierëve vlonjat.

Kjo shërben edhe për klubet sportive dhe Bashkitë e qyteteve Korçë, Elbasan, Berat, Durrës etj. Për këtë, këto klube sportive e Bashkitë përkatëse duhet të marrin shembull nga klubi sportiv Vllaznia e në veçanti nga puna e bërë dhe që vazhdon të bëjë Z. Zef Gjoni “Mjeshtër i Madh”, i cili në vazhdimësi ka organizuar dhe zhvillon aktivitete kushtuar legjendave të boksit shkodran, deri atje, sa çdo vit në këtë qytet, në kuadrin e aktiviteteve Evuropiane zhvillohet Kupa “Demokracia”.

Për t’u kthyer tek Rahmi Sadushi, i cili është objekt i këtij shkrimi.

Do të vinte viti 1957 ku ai së bashku me bashkëqytetarin e tij, Mjeshtrin tjetër të boksit Ethem Ibraimi, do të fillonte studimet në shkollën e mesme ushtarake “Skëndërbej”.

Nga vetë konstrukti fizik që kishte Rahmiu do të ishte më afër sporteve të atletikës, volejbollit apo dhe basketbollit. Gjatë orëve të mësimit të boksit që zhvillonte i madhi Ismet Bellova u shfaq talenti i Sadushit dhe Mjeshtri i Madh, Ali Kastrati menjëherë e tërhoqi atë në ekipin e Partizanit. Deri në vitin 1963 kur sporti i boksit u ndalua me ligj nga qeveria e asaj kohe, Rahmiu ka fituar titujt e Kampionit Kombëtar si për të rinj ashtu edhe për të rriturit. Njëkohësisht Rahmiu është shpallur dy herë kampion i ushtrisë. Theksoj se në atë kohë çdo vit zhvillohej spartakiada e ushtrisë për të gjitha sportet që fatkeqësisht sot kjo traditë nga Ministria e Mbrojtjes është zhdukur. Për këtë problem ne kemi kohë që kërkojmë që kjo traditë të ringjallet në forcat e armatosura por që deri tani kërkesat tona kanë rënë në vesh të shurdhët.

Me rifillimin e sportit të boksit në Shqipëri Rahmiu ka dhënë një kontribut të veçantë në drejtim të gjyqtarisë së boksit.

Krahas rolit të tij si gjyqtar ku është dalluar për një arbitrim të nivelit të lartë, prej vitit 2001-2004 ai ka qenë edhe kryetar i kolegjiumit të gjyqtarëve të FSHBO-s.

Krahas meritave që Rahmi Sadushi ka në fushën e sportit ai ka dhënë një kontribut të veçantë edhe si kuadër ushtarak i Forcave të Armatosura. Një meritë të veçantë ai ka në drejtim të edukimit dhe përgatitjes së skënderbegasve, ku në këtë shkollë ai shërbeu për 13 vjet.

Në përfundim të Akademisë së Sporteve, në vitin 1973, ai emërohet pedagog i edukimit fizik.

Gjatë asaj periudhe ai krijoi edhe ekipin e mundjes ku përfaqësoi ekipin e Partizanit për të rinj, i cili u shpall edhe Kampion Kombëtar. Në vitin 1980 Rahmiu përfundoi Akademinë e lartë Ushtarake dhe deri në vitin 2004 kur ai doli në pension ka shërbyer në disa reparte të ushtrisë ku ka lënë gjurmë mjaft pozitive në drejtim të përgatitjes ushtarake të Forcave të Armatosura. Për punën e bërë në FA, ai është nderuar me medalje dhe urdhra të ndryshëm. Për sa më sipër unë e kam për nder, dhe madje jam shumë i privilegjuar, që me anë të këtij shkrimi ta përshëndes atë publikisht dhe ta uroj atë familjarisht shëndet dhe jetë të gjatë!