Ismet Bellova, “Profesori” dhe “emblema” e mikrofonit sportiv në Shqipëri

3245
Sigal

PËRVJETORI/ Si dje, 80 vjet më parë ai lindi, ndërsa 64 vite i ka kaluar në transmetimet për  rekordin “Guinnes”

– Profesor, një urim i veçantë në krye të kësaj interviste, do t’i plotësonte më shumë këto radhë në gazetën e Sportit.

Ju faleminderit ju që më kujtoni e më respektoni! Gjej rastin të falënderoj të gjithë kolegët, që për vite me radhë janë treguar të afërt me mua, në mikrofon e jashtë tij, por edhe institucionet shtetërore e sportive që kanë vlerësuar kontributin tim ndër vite.

– Por sot në 80-vjetorin tuaj, ju duhet të tregoni se kur “lindët” në mikrofonin sportiv?

– Kur nuk e prisja. I madhi Anton Mazreku më dha mikrofonin shumë shpejt në dorë, që kur isha nxënës. Ka qenë data 29 nëntor e vitit 1950, në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, ku luanin Dinamo-Partizani 1-0, finalja e Kupës së Shqipërisë. Unë kam transmetuar 7 minuta dhe aty kam ndjerë një kënaqësi të jashtëzakonshme.

– E mbani mend profesor se çfarë ju tha Mazreku për atë transmetim?

– E vlerësoi shumë, ndoshta që të më inkurajonte. Më tha se je një mrekulli. Në Komitetin Sportiv ai kishte thënë që e gjeta pasardhësin. Unë pata një shkëputje të detyruar nga transmetimi, sepse me mbarimin e shkollës u emërova përgjegjës i sporteve në Qarkun e Dibrës.

– Me mikrofonin dhe me Anton Mazrekun si vazhduan lidhjet tuaja?

– Lidhjet me Mazrekun vazhduan për  t’u mos u shkëputur deri në ditën e fundit të jetës së tij, pasi ai vdiq i ri në moshën 69 -vjeçare. Atë ditë kam qenë duke shoqëruar dy trajnerë kinezë që do të punonin në Shkodër. Ndoshta nuk besohet sot, por kanë ardhur dhe më kanë marrë me helikopter për në Tiranë.

– Si e organizonit transmetimin e ndeshjeve me teknikën e atëhershme?

– Ne në atë kohë kishim vetëm një transmetim. Ajo që bëhej në Tiranë. Rrallë  shkonim në Shkodër, Kavajë, Durrës, Elbasan dhe shumë rrallë në Korçë. Në Tiranë çdo të shtunë dhe të dielën kishte ndeshje, të cilat transmetoheshin rregullisht. Në Tiranë ishin skuadrat e mëdha si Partizani, Dinamo, 17 Nëntori (Sot Tirana), Spartaku, Kombinati. Të gjithë këto ishin  pjesëmarrëse në Kategorinë e Parë e më vonë erdhi Shkëndija. Ishte një ngarkesë e madhe fiziologjike, ku ishin 90 minuta lojë dhe unë me Mazrekun harmonizoheshim me njëri- tjetrin. Kishte raste me ndeshje edhe në mesjavë dhe na takonte që të transmetonim të mërkurave, të enjteve, të shtunave dhe të dielave.

– Mbani mend profesor ndonjë moment që Mazreku ju ka tërhequr  vëmendjen gjatë transmetimit të ndeshjeve?

– Asnjëherë. Ai ishte një burrë shumë i edukuar, ishte i jashtëzakonshëm.

– Po me udhëheqësit e Partisë së Punës në atë kohë a keni pasur takime?

– Ka pasur plot. Enver Hoxhën e kam takuar në një Kongres të Rinisë. Kishim shkuar nga sporti tre vetë në Kongres të Rinisë, Refik Resmja, një sportiste fierake atlete që e kisha unë në klasë, Sofia Meçe (që ishte Mjeshtre e Sportit), si dhe unë si një nxënës i shkëlqyer i shkollës. Pastaj e kam takuar në vitin 1959 në Teatrin Kombëtar në një konferencë e bashkimit të fizkulturistëve dhe sportistëve të Shqipërisë. Enveri nuk ishte dashamirës i sportit. Ai vinte rrallë, kur kishte manifestime të mëdha.

– Po nga ish-byroistët, kush ka qenë më dashamirës i transmetimeve tuaja në mikrofonin e Radio -Tiranës?

– Shumë dashamirës ka qenë Adil Çarçani. Një dashamirës i përsosur dhe i qetë. Marrëdhëniet me ‘të i kam pasur shumë të mira.

– Si ndryshoi ritmika e transmetimeve pas vitit 1983?

– Më parë, në vitin 1983 për mua u bënë rreth 5 mijë ndeshje të transmetuara dhe po këtë vit, në muajin tetor ne kaluam në një emision  shumë të ri dhe modern “Nga njëra ndeshje në tjetrën”, i ideuar e drejtuar nga Ahmet Shqarri, duke transmetuar jo vetëm një ndeshje, por të gjitha  ndeshjet e javës. Pikërisht në këtë moment e lashë numërimin.

-Para viteve ‘90-të, keni transmetuar ndonjë ndeshje jashtë Shqipërisë?

– Kam transmetuar një ndeshje në Bukuresht në vitin 1986 kur luajti  Kombëtarja jonë me Kombëtaren e Rumanisë. Na kanë mundur 5-1 në stadiumin e Bukureshtit e mbaj mend që ka qenë një dimër i ftohtë e një dëborë e madhe.

– Cila është për ju ndeshja më e bukur e transmetuar në mikrofonin e Radio -Tirana?

Në vitin 1967, kur Kombëtarja jonë luajti me Kombëtaren e RFGJ-së, një ndeshje që u mbyll me barazim 0-0. Me këtë rezultat ne i prishëm punë Gjermanisë, sepse i hoqëm të drejtën  për të shkuar në finale. Ne kemi shënuar edhe një gol në këtë ndeshje, por arbitri austriak nuk e pranoi. Ky gol është fotografuar nga fotografi i vjetër sportiv, Enver Çobani.

– Ku e keni ndjerë veten më mirë, në transmetime në mikrofon apo kur shkruanit në gazetat sportive?

Në transmetim kam qenë më i fortë se sa në penë. Edhe kur kam punuar në gazetari e kam pasur gazetën në kurriz për një farë kohe. Por transmetimi…

 

Skeda

Ismet Bellova

Datëlindja: 1 qershor 1934

Vendlindja: Tiranë

Arsimimi: Të lartën ILKF “Vojo Kushi” në vitin 1960

Profesioni: Mësues i edukimit fizik, gazetar, komentator futbolli në radio

Statusi: I martuar me Mjeshtren e Merituar të Sportit, Bukuroshe Shtiza (kanë 4 djem)

Fillimet në sport: Në vitin 1948 (atëherë edhe kampion i vendit për të rinj në pingpong)

Fillimi në transmetimet radiofonike sportive: Më 29 nëntor 1950, Dinamo-Partizani 1-0, finalja e Kupës së Shqipërisë

Ndeshje të transmetuara: Mbi 9 mijë ndeshje

Tituj, çmime e dekorata: Mësues i Popullit; Urdhri “Naim Frashëri” Klasi I; Urdhri “Naim Frashëri” i Artë; Urdhri i Punës, Klasi I; Nderi i Sportit Shqiptar; Urdhri Olimpik; Mirënjohja e Tiranës; Nderi i Sportit Dibran, etj.

Nderime: Në vitin 2004 u krijua çmimi “Ismet Bellova” në gazetarinë sportive; Çmimi i Karrierës në TVSH; dy herë Çmimin “Anton Mazreku”; Mikrofoni i Artë në TVSH

 Për emisionin “Nga njëra ndeshje në tjetrën”

 Drejtuesit e RTSH-së nuk kanë vlerësim serioz

Komentatori Ismet Bellova, është edhe një nga themeluesit e emisionit “Nga njëra ndeshje në tjetrën”, i krijuar më 2 tetor 1983. Në kujtimet e shkurtra të tij, duket sikur ai na e paraqet atë që nga krijimi e deri më sot si më të gjallë e të dashur. “Në tetorin e vitit 1983 u krijua emisioni “Nga njëra ndeshje në tjetrën”, që u drejtua me shumë kulturë e profesionalizëm nga gazetari i njohur sportiv Ahmet Shqarri, kaluam në një standard të ri transmetimi për kohën. Ka qenë një fillim i vështirë, pasi në mikrofon duhet të flisnin edhe njerëz të panjohur e të padëgjuar, pse jo edhe të paditur për atë çka duhet të sillnin në mikrofon. Kanë kaluar vite dhe unë ndoshta nuk mund të kujtoj listën e gjatë të emrave që hynë e dolën në këtë emision, por më kryesorja është se ai u bë si një shkollë, ku fillimisht nuk mund të hyje pa kritere, pa kulturë e zotësi në përballje me mikrofonin. Sot, nga drejtuesit e RTSH-së dhe të Radio -Tiranës, nuk ka një vlerësim serioz për emisionin, jo vetëm se ai po kalon dorë më dorë e po drejtohet nga emra të vegjël për ta bërë këtë punë, por edhe pse sot kanë hyrë mjete të tjera të informimit elektronik që realisht kanë sjellë një rënie interesi për dëgjuesit radiofonikë”.

Ahmet Shqarri: “Ismet Bellova, një Mjeshtër i gazetarisë së mikrofonit sportiv”

 “Emisioni “Nga njëra ndeshje në tjetrën” është dashuria ime e parë që më nderon edhe sot e kësaj dite dhe nuk ndjehem tradhtar ndaj tij. Atëherë, kur u krijua ky emision (2 tetor 1983), vetëm Enver Hoxha fliste drejtpërsëdrejti. Ky u bë një realitet i bukur, edhe pse ka qenë shumë e vështirë, thuajse e pa mundur dhe gati e pabesueshme. Ishte koha kur edhe një lajm që të transmetohej duhej të kontrollohej nga drejtori i Përgjithshëm dhe jo të flisje direkt nga një fushë futbolli. Dhe këtu dua të veçoj kontributin e madh të Ismet Bellovës, një Mjeshtër i gazetarisë së mikrofonit sportiv në Shqipëri, njeriu me jetëgjatësinë më të madhe në mikrofon. Ai me përvojën e tij, me karakterin e kulturën e tij si një profesionist i mikrofonit, u bë referenca e emisionit, ku pjesa më e madhe e radiokronistëve kërkonin t’i ngjanin atij në ritmikën e transmetimit. Në këto pak radhë, gjej rastin ta uroj për 80-vjetorin e lindjes, e njëherësh t’i uroj edhe vite të tjerë në mikrofon”.


Ndeshje të transmetuara

Në vitin 1983, u bënë rreth 5 mijë ndeshje e më pas ne kaluam në  një  emision shumë të ri dhe modern për kohën, duke transmetuar jo vetëm një ndeshje, por të gjitha ndeshjet e javës me copëza. Pikërisht, në këtë moment e lashë numërimin. Deri në vitin 1960 ne kemi qenë dy veta dhe kjo vazhdoi deri në vitin 1965, kur u afruan Ahmet Shqarri, Aleko Gjergo, Ymer Sterniqi në Shkodër, Ymer Kurti, pastaj hyri Veli  Rada. Më vonë, ky numër radiokronistësh erdhi duke u rritur.

Ndeshja më e bukur

Për mua që ka mbetur si një legjendë është ajo e 17 Nëntorit të vitit 1967, Shqipëri-RFGJ, 0-0. Me këtë rezultat ne i prishëm punë Gjermanisë  sepse i hoqëm të drejtën për të shkuar në finale. Ekipi gjerman në atë kohë  ka sjellë në Shqipëri, yjet e futbollit të vet, ka ardhur në Tiranë mbas Kampionatit Botëror 1966 në Londër, ku u mundëm në finale nga Anglia. Ne kemi bërë edhe një gol, por arbitri austriak nuk e pranoi, por ky sulm është fotografuar nga fotografi sportiv Enver Çobani.