Ismet Bellova dhe Bejkush Birçe, kuadro dhe edukatorë të rrallë

673
Sigal

Në kuadër të 28 marsit, ditës së themelimit të Shkollës së Mesme të Përgjithshme Ushtarake “Skënderbej”

Duke e ndjerë veten të privilegjuar, që sot, në ditën e festës së shkollës tonë, në emër të shokëve të mi skënderbegas, të shpreh mirënjohjen e përhershme për mësuesit tanë të nderuar Ismet Bellova dhe Bejkush Birçe, të cilët në një farë kuptimi janë përfaqësues nga më dinjitozët të radhës së atyre burrave dhe grave që shkrinë gjithë talentin, dijet dhe aftësitë e tyre profesionale për edukimin dhe formimin tonë qytetar dhe atdhetar, nuk e di pse m`u kujtuan ato fjalët e arta të Viktor Hygoit se: “Ekziston një pamje më madhështore se qielli: kjo pamje është thellësia e shpirtit”. Ndofta më erdhi ndërmend kjo shprehje, se të gjithë ata, para se të ndiheshin nëpunës të shtetit, ishin edukatorë me forcë të madhe shpirtërore që nuk e harruan për asnjë çast parimin e madh pedagogjik të formuluar nga Leturno se “Në se i njeh mjetet për të forcuar trupin, për të kalitur vullnetin, për të fisnikëruar zemrën, për të përsosur trurin dhe për të ekuilibruar arsyen, do të thotë se je edukator i vërtetë.”

   Si në të gjitha lëndët e tjera edhe përgatitja fizike e skënderbegasve ka zënë një vend të veçantë jo vetëm në orët e diktuara nga programet mësimore, por edhe në veprimtaritë sportive që organizoheshin dhe drejtoheshin nga pasioni i mësuesve tanë të paharruar si: Rexhep Rama, Zyber Konçi, Izet Çani, Dilaver Toptani, Ali Kastrati, Vasil Shaka, Petrit Murzaku, Todi Koçi, Amir Gania, Bujar Bujari, Xhavit Xhani, Gani Berberi, Alush Abdihoxha, Pleurat Tahiri, Sokol Morina, Sherif Çiçiku e ata të më pasmit. Dhe natyrisht, një kontribut të rëndësishëm në kalitjen tonë fizike, aq të domosdoshme për detyrat që na prisnin si kuadro të ushtrisë, por edhe në sukseset e mëdha individuale apo ekipore në lloje të ndryshme sporti, ka luajtur puna plot mençuri, frymëzim dhe përkushtim e profesorëve të shquar Ismet Bellova dhe Bejkush Birçe, lavdia e të cilëve qysh herët i kaloi muret e asaj shkolle dhe u përhap anë e mbanë Atdheut e më gjerë.

FENOMENI “BELLOVA”

    Fenomeni Bellova, institucioni Bellova, shkolla Bellova, enciklopedia Bellova apo legjenda e papërsëritshme e mikrofonit sportiv. Bellova është lindur më 1 qershor të vitit 1934, çka do të thotë se pas dy muajve, ai feston tetëdhjetë vjetorin e tij. Në qoftë ashtu siç thotë dikush se jeta nuk matet me vite, por me jetën në vite, atëherë duhet pranuar, pa pasur nevojë për kalkulime, se Ismet Bellova në 1 qershor mbush disa qindra vjet, paçka se ai ruan një kondicion mendor dhe fizik, një freski gjykimi dhe qëndrimi që do ta kishin zili edhe djemtë e rinj.

   Duke folur me një entuziazëm të pashoq për mjeshtrin e mikrofonit dhe mikun e tij më të paharruar, profesor Bellova është shprehur se, “Anton Mazrreku u përket atyre figurave të shquara të kulturës fizike dhe sporteve tona, që e kanë filluar jetën e tyre me sportin qysh në moshë të njomë, në fëmijëri, i kanë dhënë rininë sportit dhe e kanë mbyllur jetën e tyre po me sportin”. Dhe sikur Plutarku t`i kishte njohur këta dy viganë inteligjentë të lëvizjes tonë sportive, padyshim që do t`i kishte shtuar veprës së tij “Jetët paralele” edhe atë të këtyre dy njerëzve me aq vlera dhe aq të ngjashëm. Madje, do të shtoja se kjo ngjashmëri arrin deri tek kultura e tyre e lartë letrare. Dhe ashtu sikurse vëren i ndjeri dhe i dituri Jup Kastrati për Antonin, duke e quajtur atë një poet të vërtetë, po kaq poet në prozën e tij paraqitet në nektarin që nxjerr nga goja edhe Ismeti ynë i cili përherë ka ditur të qëndisë aq bukur me metafora, krahasime dhe figura letrare të gjitha transmetimet në mikrofon apo në artikujt e pafund dhe librat që ai ka shkruar. Profesor Ismeti, bashkoi në një sportin me artin, duke i dhënë atij rëndesën që i jepnin grekët e vjetër pas vitit 581 para erës së re, Lojërave Istmike, ku veç garave sportive zhvilloheshin edhe ato muzikore. Kushdo që e ka dëgjuar, vështirë të mos jetë drithëruar nga vibrimet melodioze të zërit bellovian, vështirë të mos jetë emocionuar deri në përlotje dhe vështirë të mos i jetë rritur adrenalina e krenarisë dhe atdhedashurisë.

   “Mësues i Popullit”, “Nderi i Sportit Shqiptar”, “Urdhri Olimpik”, Urdhri i Artë “Naim Frashëri”, Urdhri “Naim Frashëri” i Klasit të Parë, Urdhri i Punës i Klasit të Parë, fitues i disa çmimeve, deri “Mirënjohja e Tiranës” etj., flasin qartë për personalitetin madhor të Ismet Bellovës. Por rruga për të mbërritur këto maja nuk ka qenë aspak e lehtë.

Fillimisht, mësues në gjimnazin “Qemal Stafa” në Tiranë e më vonë, duke qenë fare i ri në moshë, caktohet Kryetar i Komitetit të Fizkulturës dhe sporteve në Qarkun e Dibrës, ku me aftësitë dhe seriozitetin e tij u bë prekursor i mobilizimit për kalimin e mungesave dhe vështirësive të jashtëzakonshme, dhe ku ai la gjurmë të pashlyeshme. Më pas, emërohet mësues për një dekadë në shkollën e mesme të lavdishme “Skënderbej” për të vazhduar në një tjetër shkollë “Politeknikumin 7 Nëntori”, me aq tradita edhe në sporte, ku punoi për dymbëdhjetë vjet të tjera. Kjo ka qenë dhe periudha më shkëlqimtare e gjithë karrierës së tij ose apogjeu i tij pedagogjik, pasi është ashtu sikurse vëren Artur Shopenhaueri se: “Sa më fisnike të jetë puna, aq më e madhe do të jetë kënaqësia.”

   Tani, ai kishte eksperiencën e vyer të Dibrës, të Korçës ku kreu shërbimin ushtarak dhe Elbasanit, duke organizuar mjaft mirë punën për paraqitjen e ekipeve në spartakiadat që zhvilloheshin, por edhe atë të drejtimit të ekipit të atletikës së sport-klubit “Partizani”, ku arriti të caktohet edhe kryetrajner i ekipeve të atletikës dhe që u kurorëzua me shumë e shumë rekorde dhe fitimin e kupave të kampionit.

   Në fillimin e viteve 60, kur unë dhe shokët e mi kapërcyem pragun e shkollës “Skënderbej”, profesor Ismeti, kishte fituar autoritetin e një njeriu shumë të dashur, të aftë dhe punëtori të palodhur dhe fjala e tij dëgjohej me të njëjtin respekt si nga nxënësit, ashtu dhe nga kolegët apo eprorët e asaj shkolle. Dhe për habinë tonë, ky autoritet nuk e largonte aspak nga ne, përkundrazi, ai dinte të fitonte zemrat tona dhe të futej në botën tonë të brendshme apo në ëndrrat tona. Duke e ndjerë veten krejtësisht të shpenguar në marrëdhëniet me ne, mbaj mend se njëherë, kur nisëm të flasim për teoricienët pararendës të marksizmit, na tha se ky Fransua Noel Babëfi juaj të gjithë doktrinën babuviste, mund ta ketë ngritur mbi një kështjellë rëre, por diçka, që ju “begsit” duhet ta dini mirë, e ka thënë tmerrësisht saktë: “Në shoqërinë e ardhshme, personaliteti kryesor do të jetë mësuesi, jo gjenerali”. Dhe ndofta pse e kishte kuptuar kështu dhe para kohe, ai ndihej i barabartë me gjeneralët që nuk mungonin asnjëherë në mjediset dhe stadiumet tona, pasi ishte me të vërtetë një gjeneral pa spaleta në profesionin e tij fisnik. Sugjerimet dhe kërkesat e Bellovës, ata i merrnin përherë si të mirëqena, ndaj dhe e përkrahën atë pa rezerva si për sigurimin e bazës së nevojshme materiale, ashtu edhe për krijimin e terreneve sportive, aq sa te ne vinin e stërviteshin ekipet e para të “Partizanit” në futboll, basketboll, volejboll, atletikë, gjimnastikë, boks etj. ku natyrisht, kishin vendin dhe rolin e tyre edhe sportistët e shumtë skënderbegas.

Ora e mësimit me Ismet Bellovën, pritej nga të gjithë ne me një gëzim të veçantë, pasi ajo më shumë se mësim, shndërrohej, me shpirtin e garës që ai nxiste, në spektakël, ku aktivizimi qe maksimal dhe përfitimi po ashtu. Profesori ynë, njëkohësisht na jepte shumë informacione nga kultura e tij e gjerë, deri edhe për zhvillimet dhe përparimet e sporteve në botë, pasi ai nga ana tjetër, ishte dhe komentatori zyrtar rodiofonik dhe gazetari i pandarë i gazetës së mezipritur “Sporti Popullor”.

Në këtë sallë, më duket e tepërt që të përmend emrat e të gjithë atyre sportistëve të shkollës tonë që nxori puna plot efikasitet dhe përkrahja e palëkundur, veç të tjerash edhe e profesor Bellovës.

Dhe është kjo punë në radhë të parë, kjo konsideratë që ai ka për ne, që na detyron t`i shprehim me gjithë zemër dhe në çdo rast mirënjohjen tonë atij edhe tani që jemi bërë disa herë gjyshër. Se Ismet Bellova, ka mbetur po ai “…që ka ditur e di të lidhë kaq bukur brigjet e sportit me brigjet e shpirtrave njerëzorë.”

Takova këto ditë  një mikun tim, doktorin e shkencave Enver Isufi dhe kur i fola për këtë veprimtari, më tha: “Të lutem, pyete Bellovën që po pati ndonjë CD me transmetime ndeshjesh, t`i nxjerrë në treg, se do t`i dëgjonim me shumë dëshirë, pasi ato ishin këngë hipnotizuese. Ne, kur ishim të rinj edhe kur flisnim për gjëra të rëndomta, mundoheshim ta imitonim atë, por pa sukses, se ai ishte i paimitueshëm.”

Edhe në shtëpi atë e konsiderojnë kryetar të familjes sportive, pasi nga të gjithë njihet fakti se bashkëshortja e tij Bukuroshja, kapitenia emblematike e kombëtares së basketbollit tonë, djemtë Sokoli dhe Enisi kanë studiuar në Institutin e Kulturës Fizike dhe së bashku me Edisonin, Arminin dhe me tri mbesat, pa bërë fjalë për vëllezërit e tij e më tej, janë përfaqësuar denjësisht në lloje të ndryshme sporti. Profesor Ismeti është nga ata që nuk do t`ia dijë për moshë. E shihja jo shumë kohë më parë, të vinte shumë shpesh në Durrës për të takuar kryetarin e Bashkisë për një veprimtari ndërkombëtare që do të zhvillohej mes atyre me aftësi të kufizuara dhe zhvillim të vonuar mendor që i drejtonte Ismeti. Ruante po atë energji dhe entuziazëm, ndaj kur e pyeta se ku e gjen këtë forcë, më tha: “Ti je dhe shkrimtar, dhe duhet ta dish se Ernest Heminguej ka thënë se “Pensioni” është fjala më e shëmtuar në gjuhë.” Por në këtë rast, unë e dija pak më mirë se nobelisti Heminguej, ai që ngriti në piedestal forcën morale të njeriut; se entuziazmi dhe energjia e profesor Bellovës, qëndron pikërisht te dashuria e pafund që ai ka për njerëzit.

Dhe kur i lodhur nga ngadalësia e veprimeve financiare po kthehej në Tiranë, ai më tha: “Hajt mor, se do t`i paguaj vetë shpenzimet, se ata fatkeq nuk i zë gjumi derisa të shkojnë atje”.

Ky ishte mësuesi im, humanisti Ismet Bellova, për të cilin me të drejtë ndihesha krenar. Ndaj u ula dhe shkrova për të, këto vargje të thjeshta:

Zëri yt i ëmbël, hyn në çdo shtëpi,

Duke mrekulluar gjith`sa të dëgjojnë,

Ti në shpirtin tonë, solle poezi,

Ndaj dhe njerëzit ty, kurrë s`të harrojnë.

Ti erdhe te ne, i freskët përherë,

Si muzik` hyjnore, me hare e paqe,

Ti ishe piktor që vetëm pranverë

Kishe në album, nga faqja në faqe.

Me fjalët e tua që s`shterrojnë kurrë,

E bëre futbollin art edhe magji

Ti elektrizove çdo djalë e çdo burrë

Dhe e bëre plakun, për ca orë të ri.

Ti, në një bashkove, shpirtin njerëzor

Me  një fint të bukur, me një roveshjatë.

Të gjith` të urojmë, i madhi profesor:

Të kesh jet` të lumtur dhe të rrosh gjatë.

Nuk dua të shtoj tjetër, pasi një poezi mjaft të goditur do deklamojë për ‘të, poeti i mirënjohur Agim Bajrami, veç dua të shtoj se profesor Ismet Bellova që mbeti gjithë jetën, ashtu sikurse e thotë emri i tij; i pamëkate e ka ngritur vetë piedestalin i cili pret bustin e tij, kurse tetëdhjetë vjetori i lindjes, duhet ta gjejë me titullin më se të merituar “Nderi i Kombit”. Dhe sido që të jetë, ai, do të mbesë mbi të gjitha, një shqiptar i shquar që me fjalën, veprën, shembullin dhe miqësinë e tij, përhapi kudo që punoi, vetëm dashuri dhe vëllazërim, gjë që duket fare qartë edhe në librat që shkroi.

  ARTISTI I FUTBOLLIT

    Shkrimtari natyralist francez Gi de Mopasan, diku në krijimtarinë e tij ka vërejtur se “Mosha dhe përvoja e bëjnë njeriun gjakftohtë dhe të matur.” Kjo është dhe përshtypja që të lë profesori tjetër i edukimit fizik, sportisti shumëplanesh dhe trajneri i disa ekipeve në lloje të ndryshme sporti, deri dhe i atij kombëtar, Bejkush Birçe. Por, tjetërsoj ka qenë ky burrë trupvogël e shpirtmadh në rininë e tij, kur erdhi si mësues i përgatitjes fizike në shkollën “Skënderbej”, aty nga viti 1957. Në qoftë se do na duhej ta përcaktonim atë vetëm me një fjalë, më e gjetura do të ishte: I zjarrtë!

I lindur në 15 dhjetor të vitit 1936, në fshatin e vjetër Markovic që më pas u quajt Bolenë dhe që mesa duket e mori këtë emër nga një perëndi lufte e ilirëve, Bejkushi, u rrit dhe edukua deri në shtator të vitit 1944, sikurse shkruan në librin e tij Servet Tartari, mes atyre njerëzve ku “kushtet e vështira të jetesës, për shkak edhe të terrenit të vështirë malor, si dhe lufta me të huajt, kanë zhvilluar … ndjenjën e solidaritetit, të miqësisë e mirëkuptimit, të mikpritjes e besnikërisë ndaj njeri – tjetrit.” Atje, asnjëherë nuk u shuajt jehona e shtatë Leskodukajve që herë i quanin male që kthejnë stuhi, herë lisa që presin vetëtima, herë lumenj që zbresin me furi, herë shtatë yje që i shkruan emrat me germa ari në gjithë krahinën e Kurveleshit e tërë Labërinë. Veç të tjerash, thuhet se edhe vetë mbretëresha e Anglisë, Ana Bolena, gruaja e Henrit të VIII, ishte me origjinë nga ky fshat. Trimërinë që vijoi nga brezi në brez, Bejkushi qysh fëmijë e përjetoi dhe e nguliti në mendje gjatë Luftës Nacional- Çlirimtare, ku fshati i tij nxori aq luanë dhe aq dëshmorë.

Rrethanat familjare bënë që ai fill pas lufte, të dërgohej në Shtëpinë e Fëmijës në Tiranë, ku qëndroi deri në vitin 1951. Këtu, ai u njoh e miqësua me shokë të rinj dhe u mësua me jetën kolektive. Pasi kreu shkollën e mesme, në vitin 1960, duke parë rezultatet e tij, e dërgojnë për studime të mëtejshme në Institutin e Kulturës Fizike “Lezgaft” në Leningrad, sot Shën Petërburg së bashku me Naim Pilkun, Napoleon Llallën etj. Kuptohet që djaloshit të ardhur nga Tirana e atyre viteve, ky qytet i krijuar me aq merak e sqimë nga Pjetri i Madh qysh në vitin 1703, i la mbresa të veçanta.

Por, as shkëlqimi i Prospektit Nevskij, as gurgullima e shatërvanëve të pafund, as gjelbërimi i pyjeve pranë liqenit Ladoga, as lulishtet që ende ruanin sharmin e kohës së carëve, as arti hyjnor i Ermitazhit, as vezullimi i Petrodvorecit, as kumbimi i kambanave të katedrales së Shën Pjetrit, as enigma dhe zymtësia e Petropavllovskut, as madhështia e skulpturave vigane dhe as vetë hija e rëndë e historisë së pallatit të Dimrit me jehonën e pashuar të topave të Aurorës, nuk mundën t`ia cenonin sado pak dashurinë për vendlindjen. Për të, Lumi i Bardhë i Kaonisë, pra Shushica, kullotat alpine të vargut malor Çipin- Bego-Kunjovë, rrethuar me ato kodra plot me pyje shekullore, këmbora e cjapit që prin kopenë, njerëzit e asaj ana me virtytet e tyre apo historia që ata shkruan me gjak, shtëpitë e tyre të thjeshta që sikur qeshnin kur vinte miku, dhe rrugët gjithë gurë e gropa të fshatit, ishin shumë më të shtrenjta, ndaj dhe porsa ndodhi ajo prishja e madhe me ish-Bashkimin Sovjetik, pa asnjë mëdyshje, u kthye së bashku me shokët në Atdhe. Në Tiranë, Bejkushi, studimet i vazhdoi dhe i përfundoi në Institutin e Kulturës Fizike në degën e futbollit. Pas një viti si mësues në Vlorë, ai fillon punë në shkollën e mesme ushtarake “Skënderbej”, ku qëndroi deri në vitin 1985, me ndonjë ndërprerje të vogël, për shkak të angazhimeve të tij si trajner i ekipeve të futbollit.

Bejkushi, këtu vinte pas një përvoje të gjatë sportive: ai qysh në vitin 1951 ishte aktivizuar me skuadrat e të rinjve në boks, ku ka marrë pjesë edhe në spartakiadën e ushtrive të vendeve mike në Lajpcig dhe ka arritur të jetë edhe anëtar i ekipit përfaqësues. Gati në të njëjtën kohë, ai është marrë me futboll, ku është shpallur edhe kampion kombëtar, ka qenë pjesëtar i ekipit “Puna” të Vlorës dhe ekipeve të tjera si “Shpresa” e “Partizanit”. Por ai, ka qenë mjaft aktiv edhe në volejboll, basketboll, not, kërcim nga trampolina dhe gjimnastikë, duke mos harruar se Bejkush Birçen e mbajnë mend edhe si shahist, skiator, atlet etj.. Është për t`u shënuar se edhe pse nuk kishte ndonjë shtatlartësi, përsëri Bejkushi në volejboll dhe basketboll, ka arritur të jetë pjesëtar i ekipit të kategorisë së parë, gjë që ilustron më së miri atë konstatimin se ai ishte i zjarrtë nga brenda.

Por këtë zjarr, profesor Bejkushi e shkriu gjatë punës si mësues i edukimit fizik në shkollën tonë, ku punoi me një përkushtim të spikatur, me vullnet e këmbëngulje dhe sidomos me shembull personal, sikur ishte i prerë për atë parimin e madh pedagogjik të Ralf Vvaldo Emersonit se: “Njeriu që është i aftë, t`i bëjë gjërat e rënda të ndjehen të lehta, është edukator.” Bejkush Birçe u lartësua në sytë tanë, jo vetëm pse u bë njësh me skënderbegasit, jo vetëm pse e çoi më përpara veprimtarinë sportive të asaj shkolle, duke propozuar që edhe në programe, përgatitja fizike nga dy orë, të bëhej gjashtë orë, por se edhe mori përsipër dhe kreu me sukses të plotë detyrën e vështirë të përgatitjes së disa ekipeve të futbollit, si ai i të rinjve të “Partizanit” që ishte i gjithi me skënderbegas, nga i cili në vitin 1969 u fitua titulli kampion, me ekipin e të rriturve të “Partizanit”, ku kishte shumë nga nxënësit e tij, me atë të “Naftëtarit” të Kuçovës, “Flamurtarit” të Vlorës, “Lokomotivës” së Durrësit, “Dinamos” së Tiranës, trajner i ekipit kombëtar “Shpresa”, i të rinjve e deri atij përfaqësues të Shqipërisë nga viti 1990 deri në 1994. Trajner, Bejkushi ka qenë edhe me ekipet e basketbollit, volejbollit, gjimnastikës të kategorisë së parë apo të boksit të “Partizanit” që përfaqësohej nga skënderbegasit dhe që ka dalë nën stërvitjen dhe drejtimin e tij, dy herë kampion kombëtar. Të gjithë i kujtojmë me nostalgji ato ndeshje dinjitoze të skuadrave tona me trajner Bejkush Birçen: katër herë me ekipin e “Partizanit”, dy herë me atë të “Dinamos” dhe një herë me atë të “Flamurtarit” në Kupat e Evropës dhe në vitin 1992 – 1994 ato të ekipit kombëtar, në eliminatoret e kampionatit botëror.

Trofetë e tij janë domethënëse: me “Partizanin”, kategoria e parë dy herë kampion dhe një kupë Republike, me “Dinamon” një herë kampion, dy herë fitues i kupës së Republikës dhe një herë fitues i Superkupës, kurse me “Flamurtarin”, finaliste e kupës së Republikës. Emri i profesor Bejkushit është parë shpesh në shtypin tonë dhe në dy librat që ka botuar, njeri nga të cilët i kushtohet pasionit të tij të madh, futbollit. Por, duke parë punën, rezultatet dhe vlerat e tij si kuadër dhe njeri, ai është dekoruar edhe me Urdhrin “Naim Frashëri” i klasit të III, Urdhri “Ylli i Kuq” i klasit të II, medaljen e Artë për merita në fushën e sportit, është shpallur “Simbol i Vlerave Humane” dhe “Nderi i Sportit Shqiptar”. Gjithashtu, Presidenti i Republikës e ka nderuar profesor Bejkushin edhe me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh i Punës”.

 Yje të mëdhenj

 Duke i hedhur një vështrim të shpejtë dinamizmit të jetës së dy profesorëve tanë Ismet Bellova dhe Bejkush Birçe, m`u kujtua një thënie e Leo Buschialias se: “Të jetosh do të thotë të bësh duart pis. Të jetosh do të thotë të hidhesh në ujë me kurajë. Të jetosh do të thotë të biesh e të thyesh hundën. Të jetosh do të thotë të synosh të shkosh larg mundësive të tua… Të fluturosh mes yjeve.”.

Dhe ata, me atë që bënë për atdheun e tyre, do të mbesin përherë në qiellin e kujtesës tonë, si shpirtra të mëdhenj që fluturojnë mes yjeve.

Zëri “bellovian”

 Kushdo që e ka dëgjuar, vështirë të mos jetë drithëruar nga vibrimet melodioze të zërit “bellovian”, vështirë të mos jetë emocionuar deri në përlotje dhe vështirë të mos i jetë rritur adrenalina e krenarisë dhe atdhedashurisë.

“Muzeu” i Ismetit

 Ismet Bellova është nderuar me shumë tituj: “Mësues i Popullit”, “Nderi i Sportit Shqiptar”, “Urdhri Olimpik”, Urdhri i Artë “Naim Frashëri”, Urdhri “Naim Frashëri” i Klasit të Parë, Urdhri i Punës i klasit të parë, “Mirënjohja e Tiranës”, etj..

 Trofetë e Birçes

 Janë domethënëse me “Partizanin” doli dy herë kampion si dhe fitoi një Kupë Republike, me “Dinamon” një herë kampion, dy herë fitues i kupës së Republikës dhe një herë fitues i superkupës, kurse me “Flamurtarin”, finaliste e kupës së Republikës.

 “Muzeu” i Bejkushit

 Birçe është dekoruar me Urdhrin “Naim Frashëri” i klasit ë III, Urdhri “Ylli i Kuq” i klasit të II, medaljen e Artë për merita në fushën e sportit, është shpallur “Simbol i Vlerave Humane” dhe “Nderi i Sportit Shqiptar”, “Mjeshtër i Madh i Punës”, etj..