Ismail Keta, kampion bote në kikboks dhe humanizëm

793
Sigal

 Kampioni i trefishtë flet për gazetën “Telegraf”: “Kurrë nuk e harrova se jam shqiptar”

Shqipëria i numëron me gishta e njërës dorë kampionët e botës në sport. Ismail Keta përbën një përjashtim: ai është tri herë kampion i botës në kikboks, duke u shndërruar në një legjendë të gjallë. Edhe pse ai është i egër dhe tepër agresiv në ring, jashtë tij ai rrezaton një tjetër dimension, atë të njeriut tepër të butë, të gatshëm të bëjë sakrifica të panumërta për njerëzit që i kërkojnë ndihmë. Dy të tilla janë Ambra dhe Sigi, dy vajza që vazhdojnë të luftojnë me vdekjen, në një klinikë të Gjermanisë. Keta, i lindur në Bulqizë, u largua në vitin 1996 drejt Gjermanisë, ndërsa në aeroportin e Rinasit babai i tij i dha një këshillë: “Ismail, biri im, mos e harro kurrë që je shqiptar. Shqipëria është atdheu yt!”. Ismaili kurrë nuk e harroi këshillën e urtë të të atit, lotët e nënës së tij të dhembshur e të mirë, kur prindërit e përcollën drejt të panjohurës dhe në çdo finale për titullin botëror në kik dhe taiboks ai garon duke pasur simbolet kombëtare, ndërsa kur gjyqtari i ndeshjes i ngre dorën lart si fitues, një flamur i kuq me shqiponjën e zezë dykrenare i qëndron hijshëm mbi shpatullat e forta. “Kjo fitore është për Shqipërinë!” Titulli e tretë kampion bote e fitoi mbrëmjen e 7 dhjetorit në arenën gjigante “Porsche” të Shtutgardit, në praninë e mbi 10 mijë të pranishmëve, teksa mundi me nokdaun në raundin e tretë kikboksierin profesionist tajlandez, Ruan Uej Sor Itfakde. Një sukses i jashtëzakonshëm për Ismail “Xhoni” Ketën, që konfirmohet mbi të gjitha si kampion i zemrave duke rrëmbyer dhe një titull, të cilin e feston ashtu siç mund të bëjë vetëm një njeri i madh si ai duke falënderuar të gjithë shqiptarët për ndihmën dhe kontributin që kanë dhënë për të shpëtuar jetën e dy vajzave, Ambra Medës dhe balerinës së aksidentuar, Sigi Gjinit. Ismail Keta për to, padyshim do të jetë shumë më tepër se kampioni i sportit, do të jetë kampioni i jetës. “Më shumë se për titullin kampion bote, luftova për Ambrën dhe Sigin”, – tha Keta për gazetën “Telegraf”. Keta është një simbol në Shqipëri dhe këtë e tregoi edhe pjesëmarrja e pazakontë, me një numër rekord pjesëmarrësish në aktivitetin kushtuar Ismailit në Hotel “Tirana International”, i moderuar me dashuri e profesionalizëm nga gazetari i mirënjohur sportiv Dëfrim Met´hasani dhe vajza e tij, Lunada. Jo vetëm mediat shqiptare i kanë kushtuar Ismailit artikuj dhe reportazhe të shumtë televizivë, por dhe mediat gjermane duken se janë në garë midis tyre, duke e përcjellë me një kujdes të veçantë historinë e shqiptarit nga Bulqiza, që tashmë është shndërruar në një yll botëror të kikboksit. “Unë e dashuroj boksin”, – thotë me krenari Keta për “Telegraf”. “Sporti është jeta ime, pasi do të vazhdoj të bëj detyrën e trajnerit”. Ismail Keta u nderua me medaljen “Nënë Tereza” nga Shoqata të Drejtave Ndërkombëtare të Njeriut me qendër në Bon të Gjermanisë, seksioni i Shqipërisë, si dhe medalje mirënjohje nga Shoqata e Intelektualëve të Dibrës si dhe nga Shoqata e Gazetarëve Sportivë të Kosovës. Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Viron Bezhani, e vlerësoi me nota maksimale kontributin e Ismail Ketës në sport.

 – Ismail, i rikthyer në Shqipëri si brezin e artë të Kampionit të  Botës, tashmë për herë të tretë. Për lexuesin e gazetës “Telegraf”, le ta nisim nga ai Kampion i Gjermanisë në vitin 1999?

– Po, kam qenë dy herë Kampion i Gjermanisë në vitin 1999 dhe 2000, në Federatën “ËKA”, ndërkohë që në vitin 2001 arrita të shpallesha nënkampion i Botës në Taiboks (“WKA”).

– Titulli u parë Kampion Bote, pas dhjetë vitesh punë të jashtëzakonshme. Kur e morët atë?

– Të bëhesh Kampion i Botës është ëndrra e çdo sportisti dhe unë jam shumë i lumtur, që e arrita atë në vitin 2010. Mposhta në  duel për titullin botëror hungarezin Jozef Diklaund, ai u zhvillua në pallatin e sportit “Cirkus Arena” të Munihut. Titullin jua dedikova tifozëve shqiptarë të pranishëm në arenën e garës, pasi atë me përkrahjen e fuqishme më dhanë kurajë dhe zemër. E humba titullin 2011, por arrita ta rimarr atë menjëherë atë në vitin 2012. Më 1 dhjetor 2012, munda në Dyseldorf të Gjermanisë, në raundin e tetë me nokaut, holandezin Remo Arnst. Ndeshja u zhvillua në sallën “Kastello” të Dyseldorfit, në prani të më shumë se 6000 shikuesve

– Titulli i tretë Kampion Bote, i arritur vetëm pak javë më parë, pikërisht më 7 dhjetor në arenën “Porshe” të Shtutgadit…

– Ishte më shumë se një titull Kampion Bote në Tai-Kikboks, pasi garova edhe në emër të dy vajzave të reja, Ambrës dhe Sigit, të cilat janë duke kaluar momente të vështira shëndetësore. Në fakt, nuk kisha shumë kohë për t´u stërvitur, por ia dola falë dhe mbështetje së jashtëzakonshme ta fitoj ndeshjen dhe titullin. I uroj Ambrës, gëzuar ditëlindjen dhe 100 vjet të tjera jetë.

– Kë do të veçonit nga titujt kampionë?

– Çdo ndeshje ka historinë dhe mbresat e saj, ashtu si çdo titull. Të tre titujt kanë mbresat e tyre, por ky i treti ka një domethënie të madhe për mua, pasi bëhej fjalë për jetën e dy vajzave.

– Ju keni hapur një shkollë sportive në Munih, në Gjermani, ashtu sikundër keni hapur edhe një të tillë në Tiranë…

– Në Gjermani kam disa vite, që e kam hapur shkollën, e cila është shumë e frekuentuar, ndërkohë që në Tiranë ajo është hapur këtë vit. Përveç sportistit unë kam bërë edhe trajnerin. Shkolla jonë në Gjermani, nuk më ka nxjerrë mua si Kampion Bote, por dhe nxënës të tjerë në nivel Kampioni të Europës, kampionë të Gjermanisë. Ajo frenkuentohet edhe nga gjermanë të shtresës së lartë, apo me pozitë, të cilët janë të njohur në Gjermani dhe janë të mirëpritur në shkollën tonë. Na respektojnë dhe është kënaqësi kur thonë “do të ikim të bëjmë sport tek ata shqiptarët”.

– A keni bashkëpunime me autoritete gjermane?

– Po, kemi lidhur kontrata të shumta. Dua të përmend marrëveshjen me kryetarin e Bashkisë së Munihut, me të cilin kemi nënshkruar një marrëveshje që shkolla jonë të japë kontributin e saj për largimin e rinisë gjermane nga veset e rrugës, të mësojnë nga sporti, disiplinën dhe të forcojnë karakterin.

– Sa e ndjen veten shqiptar Ismaili në Gjermani?

– Shumë. Fakti që, unë e kam ndjerë veten gjithmonë shqiptar më ka ndihmuar të arrij deri këtu. Gjithmonë kam pasur ndërmend fjalët e babait kur më përcolli në aeroportin e Rinasit: “Ismail, mund të bëhesh dikush në Gjermani, por kurrë mos e harro Shqipërinë tënde!”. Këto fjalë nuk do t´i harroj kurrë.

– Dinastia “Keta” në kikboks vazhdon me Gjetanin dhe Feritin, por ndërkohë ju jeni babai i një djali 3 vjeç e gjysmë, Gjergjit. A besoni se ai një ditë do të jetë një kampion bote si i ati i tij?

– Djali më ndjek shpesh në stërvitje, por nuk ia urroj që të ndjekë këtë profesion. Unë jam prind dhe e di sesa të dhemb te fëmija çdo goditje që merr. Gjithsesi, unë do t’ia imponoj atij, pasi ky sport është një traditë në familjen tonë. Në këto sporte mëson të humbasësh, të fitosh, por dhe të kesh dashuri e respekt për njerëzit.

– Gjermania është një arenë e madhe europiane dhe botërore e boksit profesionist, duke marrë në konsideratë se atje janë ndeshur emra të tillë si Luan Krasniqi, Nuri Seferi, etj.. A keni marrëdhënie me ta?

– Po, kam njohje të drejtpërdrejtë me Luan Krasniqin, ndërkohë që me Nuri Seferin nuk kam pasur kontakte. Sigurisht, që kam dëgjuar për të dhe flas me respekt, pasi dhe ai garon me flamurin shqiptar. E respektoj çdo sportist, që garon me flamurin shqiptar. Nëpër botë, emri i sportistëve shqiptarë që garojnë në boks është i njohur, pasi shqiptarët janë njerëzit që guxojnë dhe rrezikojnë. Shqiptarët janë të talentuar në këto sporte. Dua të ofroj përvojën time falas për rininë shqiptar, për stërvitjen në kikboks, pasi jam i bindur se këtu ka shumë talente e disa të tillë janë edhe në shkollën tonë në Tiranë.

– Ismail, ju jeni i vetmi shqiptar që keni dalë tri herë kampion bote. Deklaruat se, do të tërhiqeni zyrtarisht nga ringu, për të vazhduar atë të trajnerit. Vëllain tuaj, Gjetanin, kur do ta shohim me brezin e artë të Kampionit të Botës?

– Unw vendosa tw ndahem nga ringu, jo se ndihem i dobwt, por ka ardhur momenti qw t’i hap rrugwn vwllait tim, Gjetanit. Jo, se është vëllai im, por e them me plot bindje se Gjetani është një talent. Jo, më kot mediat mediat dhe ekspertët në Gjermani i kanë vendosur emrin “Mike” dhe kanë bërë kontrata televizive me të. Për Gjetanin do të dëgjojmë shumë shpejt, madje ai do të rimarrë ndeshjen e humbur me Tilo Shnajderin, me këtë të fundit që tani është Kampion Bote. Gjetani dëshiron një rikthim dhe ta fitojë titullin.

 E ëma, Fiqja: “Ende nuk u besoj syve”

 Fiqe Keta është nëna e Kamponit të Botës, Ismail Keta. Ajo tregoi për “Telegraf” djaloshin e vogël, që rritej rrugëve të Bulqizës. “Ismaili lindi shumë i mbarë. Qysh i vogël ishte një djalë i fuqishëm, por tepër i dashur. Ishte shumë i sjellshëm dhe komunikues, tepër aktiv. Kur iku në Gjermani, në moshën 18 vjeç nuk mendoja se një ditë ai do të bëhej kampion bote, pavarësisht se qysh i vogël atij i pëlqente të stërvitej me vëllezërit e tij. Gjithë punët e rënda fizike i bënte Ismali. Djali tjetër, Gjetani, gjithmonë më thoshte se dëshironte të bëhej si Ismaili. Kam shkuar shpesh në Gjermani, por nuk i kam parë ndeshjet në stadium. I kam ndjekur një ditë më pas, pasi si nënë nuk mund ta duroj dot kur e godasin”. Nëna e Ismailit tregon se, së bashku me bashkëshortin e saj, Asllanin, e ndjekin me vëmendje çdo gjë që bëjnë Ismaili, Gjetani dhe Feriti, duke qenë të lumtur për sukseset e tyre.

 Bashkëshortja, Brunilda: “Ismaili, i dashur”

 Brunilda Keta, prej pesë vjetësh është bashkëshortja e kampionit të trefishtë të botës, me të cilin ka dhe një djalë, Gjergjin, 3 vjeç e gjysmë. Por, si është të jesh gruaja një kampioni të sporteve të “dhunshme”? Brunilda thotë për “Telegraf”: “Është shumë bukur, emocionuese, por dhe e lodhshme. Ismaili stërvitet jashtëzakonisht shumë dhe unë e pres me padurim që të ketë një rezultat sa më të suksesshëm, pasi Ismaili e ndjen shumë dhe këtë na e ngjit dhe në të tjerëve. Ka qenë një gëzim i jashtëzakonshëm kur i fitoi ndeshjen me tajlandezin, pasi ishte kurorëzimi i një punë me shumë sakrifica. Pas çdo fitoreje ka qenë një gëzim i jashtëzakonshëm”, Por, sa i butë mund të jetë një sportist si Keta? Brunilda tregon: “Sa i fortë duket Ismaili në ring, e kundërta e tij është jashtë tij. Ai është shumë human dhe shpirtgjerë”. Brunilda thotë se dhe nga shkolla në Shqipëri, Berat Ulqinaku dhe Kristi Caca, janë dy djem me të ardhme në tai-kikboks.

  Beqiraj: “Një model shembullor”

 Zëvendëskryetari i Akademisë së Shkencave, Gudar Beqiraj: “Kisha takuar vetëm Luan Shabanin si kampion bote, por ai garonte për Greqinë. Jam i lumtur që kemi një kampion bote si Ismail Keta, por jo vetëm në kiboks, por dhe në shpirt. Kemi nevojë për modele si Ismaili, është produkt i një pune të palodhshme”.

 K eta, i frymëzuar nga “Roki” i Stalones

 Ismail Keta është lindur, më 1 dhjetor 1976 në Bulqizë, ndërkohë që fillimet e tij sportive i ka në Gjermani, ku mbërriti në moshën 19-vjeçare në vitin 1996. Në vitin 1999 ai u bë Kampioni i Bavarisë në Tai-Boks, në peshën super të rëndë “MTBD”. Në vitin 2000, ai bë Kampion i Gjermanisë në Kik-Boks (“ËKA”). Në vitin 2001 është nënkampioni i botës në Tai-boks (“ËKA”). Nga viti 2002 ai është një sportist profesionist. Ismaili dallohet për mënyrën e tij tërheqëse të goditjeve, është specialist i dyluftimeve dhe me një fizik tepër muskuloz. I njohur me nofkën “Xhoni”, ai e filloi karrierën e tij si kikboksier i kategorisë së parë, K-1, në Këln, ndërkohë që shpërtheu në një turneun e Gelsenkirchenit në vitin 2004. “Unë jam shqiptar në zemër, por gjerman përsa i përket disiplinës dhe respektit”, – ka thënë për mediat gjermane 37-vjeçari, i cili pohon se është frymëzuar nga filmi “Roki” me Silvester Stalonen në rolin kryesor.

 Dinastia “Keta”

 Dinastia Keta vazhdon me Gjetan (Mike) Ketën, dy herë  kampion i Gjermanisë  në  Federatë IKBF. Në  vitin 2007 shpallet Kampion Europe në Thaibox në Federaten WMC. Tani vazhdon karrierën e tij premtuese në boksin profesionist në Federatat, WBA, WBO, IBF dhe DBD. Pretendenti për  titullin Interkontinental  dhe më pas atë Botëror njihet nga mediat gjermane me pseudonimin “Mike” (Tajson) i bardhë  për shkak të numrit të  madh të  ndeshjeve të fituara me K.O.(nok aut). Ferit Keta, sportisti më i ri i familjes Keta, premton një karrierë të gjatë  dhe të  suksesshme.