Ish-lojtari blaugran: “Gabimi më i madh ishte të shkoja te Barcelona”

486
Sigal

Aliaksandr Hleb mbërriti në Barcelonë në vitin 2008 me shpresën për të gjetur një vend në mesfushë, që deri atëherë kishte mrekulluar botën me Xavi dhe Iniesta si udhëheqës të orkestrës. Bjellorusi vinte nga vite shumë të mira në Arsenal, por thirrja nga katalanasit ndryshoi gjithçka. “Qëndrimi im te Arsenal ishte fantastik, më i miri i jetës sime. Kam dashur klubin, trajnerët, kisha shumë miq…ishte e mahnitshme, si një ëndërr”, u shpreh ai.

Në një intervistë për “Telegraf”, 37-vjeçari tregon momentin kur u rrëfeu miqve të tij se gjigantët spanjoll kishin treguar interes për të. “Kur u thashë miqve të mirë se Barcelona më kishte ofruar një kontratë, të gjithë më thanë: “ A je i çmendur? Barça është klubi më i mirë në botë, duhet të shkosh atje”. Në Arsenal isha i gëzuar, u zgjoja me buzëqeshje. Cesc, Flamini, Rosicky dhe Van Persie ishin shokët e mi më të mirë. Ne ishim si vëllezër”, shtoi mesfushori, përpara se të tregonte për përvojën e tij në Barcelonë, e cila i rezultoi të ishte krejtësisht ndryshe nga sa e kishte pritur.

Në Spanjë, gjithçka ishte e komplikuar. Ai mbërriti në Barcelonë në kohën që drejtohej nga Pep Guardiola, por nuk u bë kurrë pjesë e formacionit, ai erdhi aty për t’u huazuar më pas në klube të ndryshme, diçka që ndikoi negativisht në karrierën e tij dhe që bjellorusi e konsideron si gabimin më të madh.

“Unë arrita shumë, kam bërë kam bërë shumë gabime, prandaj nuk jam i kënaqur me 100% të karrierës sime. Barça ishte një vendim i vështirë dhe gjithçka që erdhi pas ishte një gabim, kam humbur vitet e mia më të mira, ” rrëfeu ai për gazetën britanike.