Sigal

Ish-kapiteni i përfaqësueses shqiptare, Lorik Cana, mendon se Tomas Strakosha është një prej garancive më të mëdha që ka Lacio për të tashmen dhe për të ardhmen, Duke folur për një radio italiane, Cana ka analizuar ndeshjen mes dy ish-skuadrave të tij, Lacios dhe Olimpikut të Marsejës në Ligwn e Kampioneve, duke u ndalur pak te paraqitjet e portierit kuqezi.

“Tomi është një prej portierëve më të rinj që janë në skenën e futbollit evropian. Sigurisht që të kesh mundësinë në moshën e tij të jesh titullar, të kesh besimin e të gjithë ambientit, skuadrës, drejtuesve, gjithë klubit, është një fat i jashtëzakonshëm. Padyshim, nuk mendoj se ia ka vjedhur ndokujt. Ai është një djalë që më kujtohet që kur erdhi në Formelo në 2012 dhe që jetonte për futbollin, jeton edhe tani për futbollin. Ka një baba i cili mundohet ta ndihmojë me eksperiencën që ka. Normalisht çdo pritshmëri për të është e bazuar. Por ndodh që kur je në një klub të madh dhe në një moment të caktuar bën më pak mirë, sigurisht që vijnë edhe kritikat. Kjo është pjesë e bagazhit të tij dhe ai do të mësojë. Megjithatë mendoj se klubi është me fat që ka një portier të atij niveli dhe mendoj se është për moshën e tij një prej 5 portierëve më të fortë në Europë. Ambienti duhet ta mbrojë shumë, ai e di që ka besim e të gjithëve dhe di që mund të luajë pa presion. Mendoj se ka bërë mjaft mirë deri tani. Nëse skuadra arrin katërshen, mendoj se edhe ai do jetë pjesë e suksesit dhe do të vazhdojë kështu edhe në të ardhmen për shumë vite”, ishte parashikimi i Canës.