Ish-bomberi holandez: Messi është 50 % e kombëtares së Argjentinës

563
Sigal

Lionel Messi “fuqizon gjithçka” për Argjentinën, – thotë Patrick Kluivert, me superstarin e Barcelonës që “është 50 për qind e ekipit kombëtar”, sipas ish-sulmuesit të njohur holandez. Futbollisti 30-vjeçar do të kërkojë të korrigjojë “palmaresin” e shndritshëm këtë verë, me një trofe që i mungon, sikurse është Kupa e Botës.

Çmimet ndërkombëtare deri më tani i ka të panumërta si pjesë e Barcelonës, përfshirë edhe pesë “Topa të Artë”, por me Albiceleste ka provuar jo pak zhgënjime, madje edhe dhimbje, si në “Copa America”, apo finalen e Botërorit të kaluar.

Ish-sulmuesi i Barcelonës, Kluivert, pranon se rëndësia e tij për kombëtaren nuk mund të nënvlerësohet, duke u thënë për “Ole”: “Messi është një lojtar i rëndësishëm, si për Barcelonën, ashtu edhe për Argjentinën. Unë mendoj se Leo është 50 për qind e ekipit kombëtar. Nuk mendoj se gjithçka varet nga ai, por në një ditë të mira, Messi fuqizon gjithçka. Natyrisht, është njerëzore dhe një ditë mund të mos jetë në formën e duhur, shkruan telesport.

Pa të, gjërat mund të jenë të komplikuara për Argjentinën. Në kualifikuese, kur ai nuk ishte aty, ekipi pësoi. Argjentina nuk kishte shkëlqim dhe nuk mundi t’i fitonte lojërat, që me Messin me siguri do t’i kishte mbyllur me sukses”.

Kluivert beson se pavarësisht nga betejat e tij ndërkombëtare, Messi mbetet lojtari më i mirë në planet: “Ai është më i miri në botë, nuk kam dyshime. Messi dhe Cristiano Ronaldo janë shumë më tepër se pjesa tjetër e futbollistëve. Ata janë njëshi dhe dyshi pa asnjë dyshim. “Topi i Artë” do të vazhdojë të shpërndahet mes tyre. Messi, për shembull, është i vetmi lojtar i aftë për të ndryshuar rrjedhën e një ndeshjeje. E kam parë në Spanjë dhe gjithashtu me Argjentinën, për shembull kundër Ekuadorit”.

Messi dhe Argjentina do ta ngrenë siparin e Botërorit të Rusisë kundër Islandës, më 16 qershor, para se të sfidojnë Kroacinë dhe Nigerinë në ndeshjet e tjera të Grupit D.