Sigal

E ardhmja e Francisco Roman Alarcon Suarez   (Isco) tek Reali Madridit duket në pikëpyetje të madhe, sidomos pas gjithë këtyre trazirave që janë krijuar mes lojtarit dhe trajnerit Solari.

Florentino Perez po përgatit një revolucion në skuadër dhe që në verë gjërat do ndryshojnë për Real Madridin. Duke filluar nga lojtarët e deri te stafi teknik. Juventus është ndër skuadrat më të interesuara për të marrë shërbimet e spanjollit, por oferta prej 70 milionë eurosh e dhënë nga italianët është cilësuar si shumë e ulët.

Për më tepër, Florentino Perez nuk do e largonte Iscon për para. Në kokën e tij është një plan tjetër: Paulo Dybala. Argjentinasi pëlqehet shumë nga numri një i “Los Blancos”, madje për të kërkoi informacione edhe në verën që lamë pas.

Tani, për të bërë realitet një mundësi të tillë kartat janë në tavolinë. Isco ka kontratë deri në vitin 2022 me Real Madrid, Dybala ka rinovuar deri në vitin 2023 me Juventus dhe asgjë nuk mund të bëhet pa vullnetin e klubeve dhe të lojtarëve.

Opsioni më i mirë është shkëmbimi, detajet e tij ende nuk dihen. Një gjë është e sigurt, merkatoja e verës do e gjejë në treg fuqishëm Real Madridin dhe ky shkëmbim mbetet ndër pistat më konkrete.