Intervistë me Gerti Çarçanin: Nuk preferoj pjesën delire për audiencë maksimale. Sporti ne Ora News, jeta dhe familja

44

SPORTISTËT E EKRANIT / Flet për “Telegraf” gazetari sportiv
i RTV Ora News, Gerti Çarçani, starti në gazetarinë sportive, jeta, karriera,
familja

 

Nuk preferoj
pjesën delire për audiencë maksimale

 

Nga Agron KAJA

 

Një karrierë e gjatë në gazetarinë
sportive e, në veçanti në televizion, si drejtues emisionesh sportive a e
kishit menduar të tillë rrugëtimin?

Të them të drejtën, e kam menduar që kur
nisa rrug
ëtimin e bukur të sportit si një diçka që do të shkonte gjatë, dhe kështu
shkoi. Formati analitik SKANER, dikur Skaner Kampionat, tashmë Ora-SKANER, ka
hyrë në edicionin e 17-të, vetëm me futbollin dhe kryesisht mbi futbollin. Një
përvojë, e cila është një pasuri më vete, një investim i cili të bën të njohësh
deri në qelizë, manovra, karaktere, mekanizma, grintë dhe të gjitha linjat
tendencioze që prodhon dhe ka prodhuar futbolli shqiptar.

 

Si ndjehesh sot
në pozicionin e një drejtuesi emisioni sportiv në televizion?
Ndihem komod.
Ndihem si në shtëpinë time. Ndihem përpara publikut tim konstant. Nuk para
preferoj të futem në pjesën delire
të menduarit për audiencë maksimale, por jam i kënaqur me të gjithë ata që janë
pjesë e futbollit, ata që janë aktorë të familjes së futbollit dhe që janë prej
vitesh edhe partnerë me Skanerin.

E kujton Çarçani nisjen e kësaj
karriere në gazetarinë sportive shqiptare?

Natyrisht që po, por ka nisur në Radio
“Koha” si gazetar pranë Adriatik Dostit në emisionin radiofonik. Më pas Dosti
kaloi në TV Koha dhe trasmetimi radiofonik më mbeti mua, kështu që aty ishte
hapi i parë, ankthioz, kurajoz, por shumë i bukur dhe emocional. Pastaj, disa
vite në shtypin sportiv si “Koha Jonë” apo “Sport Ekspres”, dhe paralelisht me
një produksion sportiv në TV Koha, si formati debat “Handikap Sport”. Por, tërësisht
dhe specifikisht me futbollin kam nisur në 2001 në Alsat me startin e rrugëtimit
të Skaner Kampionat.

Çfarë kujton si moment që ju ka lënë më
shumë mbresa, kujtime apo emocione më të veçanta: shkrimi në gazetë apo drejtim
emisioni sportiv?

Janë emocione diametralisht të kundërta:
Natyrisht transmetimi TV është një dozë emotive më vete, edhe pse kjo që përcjell
në TV kalon, ndërsa ajo që shkruan në gazetë mbetet. Sidoqoftë, transmetimi televiziv
mbetet gjithmonë një adrenalinë më vete. Dhe besoj se nuk e them vetëm unë këtë.

Si gazetar sportiv, si e shikoni sot
atmosferën në hapësirën sportive shqiptare?

Nuk mund ta shikoj as gri, por as madhështore.
Progresi ishte prezent me prezencën e Kombëtares në Evropian. Kishim një përfaqësim
mjeran në Lojërat Olimpike, shoqëruar me banalitete drejtuesish që edhe sot e kësaj
dite e harruan. Por kryesisht shikoj që futbolli ka prodhuar një tjetër
dimension besimi. Dhe nuk është pak.

Çfarë veçoni në
këndvështrimin tuaj se ka ndryshuar për mirë, dhe çfarë mendoni se ende nuk
është në nivelin e kohës, kryesisht në futbollin shqiptar?
Çfarë ka
ndryshuar për mirë? Në nivelin e
kombëtares besimi është rritur ndjeshëm dhe kemi hedhur hapa që kanë ndryshuar
tërësisht fizionominë tonë. Në futboll, sërish niveli nuk është në pritshmëritë
cilësore, por investimi është. Ka një fytyrë tjetër në aspektin e infrastrukturës,
ka një sjellje tërësisht ndryshe në aspektin e ndërtimit dhe funksionimit të
klubeve elitare profesioniste, por shpesh ka edhe shumë baltë mbi këtë futboll,
ka shumë grushte mbi këtë produkt, ku shpesh tendenca nuk është aspak e vështirë
të dallohet dhe konstatohet.

Emisioni juaj në TV Ora News është i fokusuar
vetëm tek futbolli, me çfarë vështirësi ndesheni deri në ditën e transmetimit?

Aspak vështirësi, thjesht një akordim
punësh. Vështirësi, apo më saktë një lloj ritmi më shumë për panelin, nisur
edhe nga fakti që e diela ka një inflacion të vërtetë transmetimesh për hir të
së vërtetës. Dhe zgjedhja e njerëzve është një histori më vete. Kam bindjen, se
të dielën njerëzit bëjnë më shumë zapp-ing me telekomandë, për të gjetur vendin
ku mendojnë se realisht u përshtatet. Të ftuarit janë pjesa më akute, por
natyrisht që nuk lihet për ditën e shtunë apo të diel. Edhe pse ka gjithmonë një
plan B apo plan C, për njerëz që pasi janë mundur dhe kanë dhënë më parë
konfirmimin, befas të telefonojnë dhe të thonë: “Më fal e kam të pamundur të
vij se paska një dasmë…”.

Ja u vështirësojnë punën edhe emisionet
analoge të televizionet e tjera?

Është reciproke vështirësia për të katër
formatet e ditës së diel. Sidoqoftë,  gjithsecili ka alternativat e tij dhe operon
sipas mënyrës së tij. Sido që të ndodhë, në ekran do të dalin në orarin që kanë
të katër emisionet.

Sa ju ndihmon prania e tyre (të
ftuarve) në ecurinë e emisioneve?

Kontributi i tyre është i domosdoshëm
dhe që shpesh duhet të vërë ekuilibrat. Në formatin tim, kolegët e ndryshëm që
kanë ardhur kanë folur çfarë kanë menduar të thonë, si kanë dashur dhe për këdo
kanë dashur. Për këtë nuk dua të them që s’ka ndodhur te të tjerët, por i referohem
vetëm transmetimit tim.

Ndonjëherë ndesheni edhe me të ftuar që
pak e njohin hapësirën sportive, ndikojnë këta në uljen e shikueshmërisë?

Mendoj se ulja dhe ngritja e shikueshmërisë,
kryesisht për të dielën e sportit, është tërësisht një diçka subjektive. Të
ftuarit që e njohin pak, unë arrij ti konstatoj vetëm aty, sepse kur i kam
ftuar, CV-ja e tyre ka qenë e tillë që plotëson tagrin për të folur. Pastaj, a
e kanë ulur apo ngritur audiencë, kjo do kohë e duhet të flitet me fakte. Është
e vështirë ta konstatosh, për të thënë që kjo gjë nuk varet nga një i ftuar,
por nga një tërësi komponentësh të emisionit. Ajo që vlen më shumë është ndërhyrja
direkt e moderatorit kur ndonjë prej të ftuarve “lajthit” dhe ofendon.
Kryesisht përdor ekranin për të ofenduar. Pasiviteti i moderatorit në këtë pikë
konfirmon qenien dakord e tij më fyerjen.

Formati i emisionit tuaj duket i avancuar
në raport me të tjerët, por, ju pengon fakti që nuk keni ekskluzivitetin në
ekranin e televizionit tuaj?

Së pari, nuk mendoj që është më i avancuar,
apo më pak i avancuar. Këtë e vendos publiku, por e ri përsëris se, unë jam i kënaqur
që aktorët kryesorë të kampionatit dhe të garës, presidentë, trajnerë, arbitra
e zyrtarë, janë pjesë e programit, si me prezencë ashtu edhe me SMS.

Le të qëndrojmë këtu edhe tek fakti që nuk
keni ekskluzivitetin, ndikon në emisionin tuaj?

Nuk më pengon, por do të ishte
natyrisht një plus më shumë. Edhe nëse e ke një të tillë, duhet ta përcjellësh
sa më mirë. Dhe në këtë pikë kolegët e Super Sport janë brenda të gjitha
pritshmërive të mia.

Janë disa emisione sportive në TV Ora
News, për momentin keni ndonjë ide të re për ti përsosur ato?

Jemi në mes sezoni, por gjithsesi, çdo
ide e projekt tjetër sportive që do të kërkohet brenda televizionit, natyrisht
që do të shikohet nga Departamenti i Sportit me seriozitetin maksimal. Sporti në
ORA News ka mbuluar një gamë të madhe, si në informacion, ashtu edhe në
formatet televizive, dhe jo vetëm te futbolli.

 

Më shumë nuk kam çfarë t’ju them. Më
duhet të më thoni ju mua… Jashtë ekranit, cila është jeta private e Gerti
Çarçanit?

Jeta jashtë ekranit? E zakonshme,
intensive, si gjithë të tjerët. Bëj shumë jetë profesionale, por natyrisht që i
jap kohën sa mundem edhe vajzës time të vogël, Nikolës. Sidoqoftë, investoj
shumë në jetën profesionale, një element shumë thelbësor për të gjithë ata që bëjnë
këtë punë.

 

Gerti Çarçani

Datëlindja:
06.03.1978

Vendlindja:
Tiranë

Arsimimi: I Lartë,
Juridik

Profesioni:
Gazetar sportiv, TV Ora News

Hyrja në
gazetari: Viti 1999 në gazetën “Koha Jonë”

Karriera në
Gazetarinë Sportive: “Koha Jonë”, “Sport Ekspres”, TV Koha, TV ALSAT, RTV Ora
News

Jashtë
gazetarisë: Studimet për drejtësi

Jashtë ekranit:
Tifoz me Juventus/Italia

Në Shqipëri:
Tifoz me futbollin e bukur

Statusi: I martuar
me një vajzë

 

 

Ajo që vlen më shumë gjatë një
emisioni, është ndërhyrja direkt e moderatorit kur ndonjë prej të ftuarve “lajthit”
dhe ofendon, kryesisht kur përdor ekranin për të ofenduar. Pasiviteti i
moderatorit në këtë pikë konfirmon dakordësinë e tij me  fyerjen

 

 

 

VLERËSIME

Fatmir Mneri

“Nuk është e vështirë të flasësh për një koleg të mirë, madje unë do të thosha,
se më e vështirë është që mund të harrosh diçka profesionale. Gerti Çarçanin e
kisha në gazetë dhe gjatë gjithë kohës thuajse na “sfidonte” me këmbënguljen e
tij, duke iu shkuar gjërave deri në fund. Në gazetën “Sport Ekspres”, ai ka qenë
një gazetar punëtor që asnjëherë nuk u bëri bisht punëve. Do ta quaja të veçantë
në stilin e tij të trajtimit e të interpretimit të çdo lloji materiali në gazetë,
ndërsa në televizion duket që ndjehet më mirë. Ka krijuar një profil të vetin,
duke drejtuar me profesionalizëm dhe bukuri në ekran. E mbush, e plotëson dhe e
komandon ekranin”.

 

 

Bedri Alimehmeti

“Me Gerti Çarçanin kemi qenë kolegë në gazetën Sport Ekspres. Ai erdhi aty
nga gazeta “Koha Jonë” ku bënte sportin , njëherësh edhe në Radio “Koha”. Që atëherë
ka qenë gjithë pasion, një koleg bashkëpunues dhe respektues. Gjatë gjithë kohës
që punuam bashkë, unë Gertin e veçoj për stilin e tij, pasi kapte tema të forta
dhe të vështira, i trajtonte me kujdes profesional dhe u shkonte gjërave deri në
fund. Ky është misioni i një gazetari elokuent e me aftësi të mira si Çarçani,
i cili nga viti në vit, mendoj se ka një rritje në profesionalizmin e tij. Ndoshta
një shembull që meriton të quhet si një vlerë dhe se duhet parë si i tillë nga
të gjithë homologët”.

 

 

Ndeshjet/
Java e 17-të


dielën, 18 dhjetor 2016

Kukës-Skënderbeu         14:00

Flamurtari-Laçi    14:00

Tirana-Luftëtari    17:00

Partizani-Korabi   17:00

Teuta-Vllaznia      17:00

RENDITJA

Skuadrat             Nd     Pikë

1.Kukësi               16      32

2.Skënderbeu       16      32

3.Partizani            15      29

4.Tirana               16      23

5.Luftëtari            16      21

6.Vllaznia             16      19

7.Flamurtari                   16      14

8.Laçi                             16      14

9.Teuta                 16      12

10.Korabi             16        8

 

 

FSHF/ DISPLINA

“Provokatori” i Korabit dënohet dy ndeshje

Ajo që veçohet më shumë nga vendimet që ka dhënë dje Komisioni i Disiplinës
Sportive në FSHF, është masa disiplinore që ka dhënë për portierin e Korabit,
Erkand Spahia. Portieri i Korabit është dënuar me dy ndeshje pezullim,  pasi ka provokuar tifozët gjatë ndeshjes
Korabi-Kukësi, në momentin kur ai u zëvendësua pas dëmtimit. Këtë veprim të tij
e dalloi gjyqtari kryesor i asaj ndeshjeje që e ndëshkoi me kartonin e kuq,
ndërkohë që Spahia ishte jashtë fushës së lojës.

 

Ja të gjitha
vendimet e dhëna nga KDS në mbledhjen e ditës së djeshme:

1. Lojtari i KF “Korabi” Erkan Spahija, për provokim të publikut,
në bazë të Nenit 53 të KDS, dënohet me 2(dy) ndeshje pezullim nga aktiviteti.

2. Lojtari i FK “Skrapari”, Klevis Jaho për sjellje jo
sportive ndaj zyrtarit të ndeshjes, në bazë të nenit 49/1/a) të KDS, dënohet me
4 (katër) ndeshje pezullim nga aktiviteti.

3. Lojtari i KF “Domosdova”, Ermir Llojko për provokim të
publikut, në bazë të Nenit 53 të KDS, dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga
aktiviteti.

4. Zyrtari i FK “Tirana” U-17, Ergis Shameti për sjellje jo
sportive ndaj kundërshtarit, në bazë të nenit 48/2/a) të KDS, dënohet me 3(tre)
ndeshje pezullim nga aktiviteti.

5. Rrëzimin e kërkesës së lojtarit të KF “Akademia ”, Dejvi
Lutaj, si të pa bazuar në Kodin e Disiplinës Sportive.

Kundër vendimit lejohet ankim brenda 3 (tre) ditëve përpara
Komisionit të Apelit.