INTERVISTA/ Vasjan Ballço: Kreu duket një çështje e mbyllur, Evropa dhe mbijetesa bëhen “çështje”

771
Nga Agron KAJA
INTERVISTA/ Për situatën në Kategorinë Superiore, flet për “Telegraf” ish-futbollisti i Skënderbeut dhe i Teutës
Si e vlerësoni situatën e skuadrave të Kategorisë Superiore pas ndeshjeve të javës së 23-të?
Situata do të thotë se Skënderbeu nuk ka kundërshtarë që ta ndalin drejt Titullit Kampion, dhe kreu duket një çështje e mbyllur. Ndërsa për skuadrat e tjera, veç Lushnjes që ka dalë nga synimet e saj, të gjitha janë në lojë për synimet e tyre.

Sa ka ndikuar te skuadra e Skënderbeut situata e dënimit nga UEFA për trukimin e ndeshjeve të futbollit në sezone të kaluara?
Më vjen keq që një skuadër e madhe si Skënderbeu të akuzohet për gjëra që nuk mendohet të ndodhin, për deri sa ka dyshime nga UEFA, dhe jo fakte. Dënimi duket i pashmangshëm, por unë do dëshiroja që ai të mos jetë drastik, ndryshe i humbasin shumë vlera futbollit tonë.

Cilat skuadra i mendoni se do të rivalizojnë mes tyre për një vend në zonën e Evropës?
Po të nisemi nga renditja aktuale, ato janë të qarta, ndërsa po të mendojmë se kemi edhe 13 javë për tu luajtur, me 39 pikë brenda tyre, atëherë nuk mund të përjashtohen edhe lëvizje në këtë zonë. Gjithsesi, Kukësi, Flamurtari, Luftëtari e Partizani duken më të angazhuar për këtë synim.

Në zonën e mbijetesës në renditje janë dy skuadra, Vllaznia e Teuta, cilën prej tyre e shikon më të rrezikuar?
Së pari, më vjen keq që në këtë situatë ndodhen dy nga skuadrat më të mira në futbollin tonë, aq më shumë për Teutën, me të cilën kam luajtur rreth tre vite. Cila do të gabojë më pak në këto javë të mbetura, do të jetë e shpëtuara, por unë e kam të vështirë ta përcaktoj.

Partizani këtë javë ka kaluar një situatë ndryshimi në bankinë, ju si e vlerësoni largimin e trajnerit Starova nga ky ekip?
Këto janë punë drejtuesish, por unë Starovën e vlerësoj për çka ai ka dhënë në futbollin shqiptar, ashtu edhe në bankinën e Partizanit. Në dy-tri vitet e fundit, drejtuesit e kësaj skuadre po veprojnë gabim në menaxhim, ndaj skuadra nuk ka qëndrueshmëri në rezultate.

Si e mendoni garën e Superiores në 13 javët e mbetura të saj?
Për mendimin tim, lufta do të jetë e fortë midis Vllaznisë e Teutës për mbijetesë, dhe në këtë garë nuk do të dëshiroja që të dëgjojmë për aleanca për cilën do skuadër. Të mos ndodhë si me Tiranën në sezonin e kaluar, e cila për Kukësin sakrifikoi rënien në Kategorinë e Parë.

Te skuadrat e tjera, çfarë do të veçoni për vazhdimësinë?
Luftëtari duket se do të jetë një ekip i vështirë për të gjitha ato skuadra që ai do të rivalizojë në renditje. Në këtë vazhdimësi, Laçin e Kamzën i mendoj jashtë luftës për zonën e Evropës, por skuadra që nuk do të kenë probleme deri në fundin e Kampionatit.

Çfarë dukurie veçoni në këtë moment të Kategorisë Superiore?
Në raport me sezonet e kaluara, mendoj se niveli është rritur, por që ky të jetë edhe më i mirë, duhet që urgjentisht të privatizohen edhe ato klube që janë nën “sqetullat” e bashkive. Kështu do të jetë më e lehtë që të krijohet sa më shpejt Liga Profesioniste, një domosdoshmëri për futbollin tonë elitar.
Në vazhdimësinë e 13 javëve të mbetura, lufta do të jetë e fortë midis Vllaznisë e Teutës për mbijetesë, dhe në këtë garë nuk do të dëshiroja që të dëgjojmë për aleanca për cilën do skuadër. Të mos ndodhë si me Tiranën në sezonin e kaluar

Ndeshjet-Java e 24-t
E shtunë, 10 mars 2018
Kukësi-Teuta 14:00
Laçi-Flamurtari 14:00
Kamza-Vllaznia 14:00
Partizani-Luftëtari 17:00
Skënderbeu-Lushnja 17:00

RENDITJA
Skuadrat Nd P
1. Skënderbeu 23 53
2. Kukësi 23 39
3. Flamurtari 23 36
4. Luftëtari 23 34
5. Laçi 23 33
6. Partizani 23 32
7. Kamza 23 32
8. Vllaznia 23 25
9. Teuta 23 22
10. Lushnja 23 10
Sigal