INTERVISTA/ Stavri Nica: Marrëveshjet dhe aleancat janë të pritshme në ndeshjet e fazës së katërt

656
Nga Agron KAJA
Flet për “Telegraf” ish-trajneri i Laçit e Teutës, vazhdimësinë e Superiores për 9 ndeshjet e mbetura, e shikon me shumë dritë-hije
Pas 27 ndeshjeve në tre fazat e para, si e shikoni ju renditjen e skuadrave në Kategorinë Superiore?
Mendoj se është një situatë e vështirë për çdo skuadër, duke përjashtuar ato që mbajnë ekstremet në tabelën e renditjes. Kjo vjen edhe nga problemi që po kalon Skënderbeu, por edhe nga frika e aleancave, të cilat janë të pritshme në këtë fazë.

Çfarë dukurie veçoni gjatë tre fazave të para në Kategorinë Superiore?
Natyrisht që ka shumë, por për mua më evidente është mungesa e lojtarëve shqiptarë në këtë Kampionat. Ka shumë blerje me lojtarë të huaj, por jo të gjithë kanë nivel, ndaj edhe lojtarët vendas kanë mbetur në plan të dytë. Duhen projekte për këtë dukuri, sepse po e dëmton futbollin shqiptar.

Ka sjellë ndikim në këtë periudhë situata e skuadrës së Skënderbeut?
Unë mendoj se ndikimi që ka sjellë dënimi i Skënderbeut, nuk është ndjerë vetëm në Kategorinë Superiore, por në të gjithë futbollin shqiptar. Kjo ka ndikuar në ekuilibrat e garës, dhe faza e katërt e Superiores, do ta ketë edhe këtë barrë, ndoshta edhe me surpriza të reja.

Po renditja aktuale, i shpreh vlerat reale që kanë treguar skuadrat në 27 javë?
Besoj se Kukësi është skuadra që po luan më mirë futboll, por këtu përjashtoj Skënderbeun e 25 javëve të para. Kuksianët kanë ndryshim cilësor në mënyrën e interpretimit të lojës, ndërsa më ka çuditur rënia e Flamurtarit, ngjitja e Luftëtarit tregon se me pak kujdes do të jenë në zonën e UEFA-s.

Po në zonën e skuadrave që luftojnë për mbijetesë, mendoni se do të jetë edhe Kamza, së bashku me Vllazninë e Teutën?
Varet se si do të shkojnë punët, por këtu Kamza mendoj se ka gabuar vetë. Ose e kanë vënë në rreth skuadrat e tjera për ta dëmtuar që të zbresë në Kategorinë e Parë, ose vetë skuadra është treguar e dobët në fazën e tretë. Por, Vllaznia e Teuta kanë treguar se janë shembulli i keq i futbollit tonë në këtë periudhë, nisur nga emri që ato kanë në historinë e tyre.

Po ndeshjet çerekfinale të Kupës së Shqipërisë, mund të ndikojnë te skuadrat që synojnë një vend në renditje, i cili i çon në Evropë?
Do të ketë shumë ndikim, sepse finalistë janë skuadra që në tabelën e renditjes po synojnë zonën e Evropës. Laçi-Kukësi 0-0, mendoj se u luajt drejt në takimin e parë, ndërsa Skënderbeu-Flamurtari 0-1, është lufta që vlonjatët po bëjnë për në Evropë, ndryshe e “hedhin në erë” këtë sezon që e nisën si pretendentë.

Java e 28-të është e shtrirë në tri ditë, është normale kjo sipas jush?
Për mua është shumë keq me këtë shtrirje në tri ditë, sepse nga FSHF-ja nuk janë bërë mirë llogaritë. Nuk kishte ndonjë arsye, por edhe nuk kemi skuadra që të hapen aq shumë në shtrirjen e kalendarit. Do të uroja që kjo të jetë bërë në ndihmë të skuadrave që luajtën në Kupë mesjavën e kaluar.

Si i shikoni pesë ndeshjet e javës së 28-të, kryesisht në këndvështrimin e nisjes së fazës së katërt?
Të gjitha do të jenë ndeshje të vështira, e këtu nuk përjashtoj edhe atë mes Vllaznisë e Lushnjes. Sepse marrëveshjet dhe aleancat janë të pritshme në ndeshjet e fazës së katërt, sepse është finishi ku skuadrat do të luajnë edhe jashtë fushe për të arritur synimet e tyre.
Të gjitha do të jenë ndeshje të vështira, e këtu nuk përjashtoj as atë mes Vllaznisë e Lushnjes. Sepse marrëveshjet dhe aleancat janë të pritshme në ndeshjet e fazës së katërt, sepse është finishi ku skuadrat do të luajnë edhe jashtë fushe për të arritur synimet e tyre
Ndeshjet-Java e 28-të
Sot, datë 7 prill 2018 
Vllaznia-Lushnja 14:00
Luftëtari-Teuta 14:00
Nesër, datë, 8 prill 2018 
Kamza-Kukësi 14:00
Laçi-Partizani 14:00
Të hënën, 9 prill 2018 
Flamurtari-Skënderbe.17:00

RENDITJA
Skuadrat Nd P
1. Skënderbeu 27 60
2. Kukësi 27 48
3. Laçi 27 42
4. Partizani 27 42
5. Luftëtari 27 40
6. Flamurtari 27 37
7. Kamza 27 34
8. Vllaznia 27 30
9. Teuta 27 29
10. Lushnja 27 10
Sigal