Intervista/ Sinan Idrizi: Gjoka pretendon shumë, harron se ka për t’i kthyer Flamurtarit

730
INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” Administratori i FK “Flamurtari”, hedh më shumë dritë rreth debatit financiar për shlyerjen e ish-trajnerit
Nga Agron KAJA
Ka kohë që, mes Administratorit të Flamurtarit, Sinan Idrizi, dhe ish-trajnerit të kësaj skuadre Ernest Gjoka, ka një debat të vërtetë, i cili ka të bëjë me shlyerjen financiare nga klubi vlonjat. Por, në bisedën me gazetën “Telegraf”, Administratori Idrizi, deklaroi se ish-trajneri dhe FSHF-ja kërkojnë të shkelin ligjet financiare të shtetit shqiptar. “Kjo është vija e demarkacionit që na ndan në këtë histori. Çdo njeri mund të ketë të drejtën e tij të kërkojë, mund të ketë mendimet e tij, dhe ky është problem i tij, jo i imi si Administrator i klubit, sepse kemi qenë korrektë dhe seriozë në pagesat e detyrimet ligjore ndaj çdokujt”, kështu deklaroi mes të tjerash Sinan Idrizi, dje në bisedën me gazetën “Telegraf”.
Sa shumë që po e zgjatni këtë pagesë të ish-trajnerit Gjoka, jeni në vështirësi financiare, apo ka diçka tjetër?
Dje më erdhi me SMS një njoftim, se duhet t’i paguaj Gjokës 26 mijë euro. Më çuditi! Sepse, kjo është një tjetër histori, veç 45 mijë eurove që ai kërkon nga Flamurtari,e që i takojnë periudhës kur klubi administrohej nga bashkia. Ish-trajneri duket se ka marrë miratimin edhe të Dhomës së Zgjidhjes së Konflikteve në FSHF për hapjen e këtij gjyqi. Ne nuk jemi vend komunist që të mos paguajmë detyrimet me shtetin.

Duke e fituar gjyqin e parë me ju, ndoshta ish-trajneri do t’ju nënshtrojë edhe këtë herë?
Nuk mendoj se do të ndodhë, sepse për atë çka kërkohet, ka një kontratë të paligjshme, për shkak se ajo nuk figuron në Tatime. Në këtë institucion ekziston një tjetër kontratë, ku Gjoka paguhej nga klubi që administrohej nga bashkia me 1 milion lekë të vjetër në muaj. Ndërsa në gjyqin e dytë, ish-trajneri po kërkon pagat për disa muaj të vitit 2014, kur klubin e morën në administrim kompanitë turke dhe pretendon për 26 mijë euro.

Kësisoj, duket sikur Gjoka ka të drejtë në atë çka kërkon?
Absolutisht që nuk është kështu, sepse Gjoka i mbështetur nga FSHF-ja kanë pretendimet e tyre, ndërsa ne zbatojmë ligjin. Kur ke një kontratë milionëshe, dhe nuk do të paguash detyrimet e shtetit, kjo është një shkelje ligjore, dhe ne si klub nuk punojmë kështu. Nëse vërtetohet ajo që thotë zotëria, ne do ta paguajmë këtë detyrim, në të kundërtën ne kemi pretendime të tjera.

Pse, sipas jush, këtë kontratë e ka zyrtarizuar edhe FSHF-ja?
Kjo është edhe një kontratë e zyrtarizuar nga FSHF-ja, po nuk e kuptoj, pse ajo zyrtarizon një kontratë ilegale, për të cilën më kanë njoftuar me anë të një letre. Ne nuk e njohim atë, pa paguar detyrimet në shtet. Madje, Gjoka është mbipaguar dhe duhet t’i kthejë klubit detyrime, dhe në llogarinë tonë, klubi nuk e ka këtë shumë, ndoshta në llogarinë e Gjokës mund të ketë.

Sikur u bë si “telenovelë” kjo pagesa e Ernest Gjokës, mund të ndodhë ndonjë sanksion ndaj klubit tuaj për mospagesën?
Unë nuk kam kohë të merrem me Gjokën, dhe nuk besoj te kjo që paska kërkuar avokati i tij, se Flamurtari mundet që të mos regjistrohet për sezonin e ri, nëse nuk bën shlyerjen e ish-trajnerit. Gjithsesi, kur të më vijë letra, unë do të përgjigjem sërish, pasi në llogarinë tonë, klubi nuk e ka këtë shumë, ndoshta në llogarinë e Gjokës mund të ketë.

Atëherë, duket se ndaheni mes një realiteti të kaluar, që sipas jush ka shkelje ligjore?
Kjo është vija e demarkacionit që na ndan në këtë histori. Çdo njeri mund të ketë të drejtën e tij të kërkojë, mund të ketë mendimet e tij, dhe ky është problem i tij, jo i imi si Administratori i klubit, sepse kemi qenë korrektë dhe seriozë në pagesat e detyrimet ligjore ndaj çdokujt. Cilido që pretendon se nuk ka marrë pagën te Flamurtari, është i lirë që t’u drejtohet gjykatave, dhe ne do të përballemi ligjërisht me këtë.

Tashmë duket se “shpatat” janë të “mprehura”, dhe ju në shtator do të nisni një tjetër betejë ligjore me ish-trajnerin Ernest Gjoka?
Më shumë se sa figuracioni juaj me shpata, unë do të thosha se kjo është një “shpatë” ligjore, është ajo vija e demarkacionit që ju përmenda më sipër. Sepse te çështja e parë, kemi konstatuar një evazion fiskal të madh, por nuk ka mbaruar këtu, pasi gjyqet tona fillojnë në muajin shtator me të gjithë. Ne na rezulton se nuk kemi asnjë detyrim ndaj Gjokës, por jemi të qartë se e kemi mbipaguar, ndërsa ai vetë ka lekë për të na kthyer. Do t’ju nxjerr edhe letrat që tregojnë që i ka marrë, dhe si i ka marrë ato lekë.

Pse kaq i “ftohtë” me mediet, duket sikur nuk doni të na qartësoni sinqerisht?
Nuk është ashtu, ju keni mendimin tuaj. Po, a e dini se çfarë ka ndodhur? Çudia më e madhe është që, një media shqiptare ditë më parë, kur unë kam deklaruar në gazetë për gjyqet, ka dalë me shkronja të mëdha një ditë më pas si kundërpërgjigje ndaj meje, dhe ka paralajmëruar gjyqin e radhës të Flamurtarit për Gjokën. Unë kam një pyetje, përgjigjen le ta japë vetë lexuesi juaj: Si ka mundësi që, një dokument, i cili ka lidhje me Flamurtarin, nëse është i vërtetë, fillimisht i jepet medies? 

Diçka për skuadrën e Flamurtarit, për merkaton dhe përgatitjet për sezonin e ri?
Kjo është një temë tjetër, por tashmë është bërë publike, se ne si klub kemi punuar fort në këtë merkato, e së bashku me trajnerin Duro, jemi munduar të kompletojmë një skuadër me elementë cilësorë. Ka seriozitet gjatë këtyre përgatitjeve, si në Maqedoni dhe në Greqi, kjo tregon se Flamurtari do të ndryshojë në raport me sezonet e shkuara, ne funksionojmë si një klub evropian.
2 Sezone
Në sezonet 2012-2014, Ernest Gjoka ishte trajneri i Flamurtarit, me të cilin fitoi Kupën e Shqipërisë në sezonin 2013-2014
Pretendimet e Ernest Gjokës
Edhe pse dje, ish-trajneri i Flamurtarit Ernest Gjoka, nuk foli për gazetën “Telegraf” rreth këtij problemi që ai ka me pagat kur ishte në stolin e kësaj skuadre, mësohet se, ai ka depozituar padinë e re në ngarkim të Flamurtarit. Bëhet fjalë për kontratën e dytë me skuadrën vlonjate, atë pas kalimit të Flamurtarit në duart e administratorëve turq. Kujtojmë se, Ernest Gjoka e ka fituar një çështje me Flamurtarin dhe pret 49 mijë euro nga FSHF-ja, ku kjo e fundit, në bazë të rregullores së miratuar muaj më parë, ka vendosur që të bllokojë vetë llogaritë e klubeve dhe do të shlyejë nga fondi i saj borxhet, për të evituar heqjen e pikëve në renditje. Gjoka pret vetëm lëvrimin e shumës që i detyrohet Flamurtari, dhe se pagesa ndaj tij do të kryhet së shpejti.
Sigal