INTERVISTA/ Sinan Idrizi: Arbitrat e huaj nuk janë shenjtorë, por jo si Kridensi, që po baltosin Kampionatin

684
Nga Agron KAJA
Flet për “Telegraf” Presidenti i skuadrës vlonjate, ja si i përshkruan rastet e gjykimit që, sipas tij, e kanë dëmtuar Flamurtarin
Keni javë që, ju si Flamurtar mbeteni të fokusuar pas kritikave për arbitrat, pse ky “fiksim”?
Së pari, ne nuk kemi ndonjë fiksim të veçantë për rolin e arbitrit në një ndeshje futbolli. Por, duke ju referuar rasteve konkretë që janë shfaqur në dëm të skuadrës së Flamurtarit, atëherë ne kemi të drejtën të flasim për çka nuk shkon mirë dhe na dëmton në garë.

Të shtunën në Laç, pretendimet tuaja për arbitrin Kridens Meta kanë qenë më të forta, pse ky deklarim?
Si pse ky deklarim? Po se të gjithë e kanë parë se çfarë arbitrimi bëri ai në këtë ndeshje, çfarë dha ai në favor të Laçit, dhe në dënim e Flamurtarit. Kridens Meta tregoi se nuk ka lidhje me arbitrimin, e se si ka ngrënë bukë ai në këtë sektor në FSHF, nuk arrij ta kuptoj!

E keni bërë ju ankesën tuaj zyrtare për pretendimet që keni ndaj gjykimit në ndeshjet tuaj ndaj Laçit?
Ka ankesë më të mirë se kur e shikon në ekran një gabim me dashje. Unë nuk i paragjykoj, por këta arbitra si Kridensi, shiten e blihen se janë të paaftë. Kjo paaftësi e tyre na ka dëmtuar shumë ne si skuadër, por edhe na e prishur garën e ndershme që ne bëjmë.

Ju si FK Flamurtari i keni quajtur arbitrat edhe “kamikazë”, kaq pa dinjitet profesional i konsideroni?
Ne kemi thënë për çka ata kanë dhënë në fushë, në kundërshtim me rregulloren. Kur trajneri ynë i quajti “kamikazë” arbitrat, FSHF-ja e dënoi, ndërsa kur këta e tregojnë hapur në fushë se janë të tillë, kjo federatë tregon dy standarde, që këtë herë kanë dëmtuar Flamurtarin.

Dhe për ju, zgjidhja më e mirë është që të gjykojnë arbitra të huaj?
Kjo është zgjidhja më emergjente, sepse me arbitrime të tillë si ai i Kridens Metës në Laç, nuk bëhet fjalë për garë të ndershme. Ekipi ynë ka disa ndeshje që po luan dobët, por kur penalizohet kështu, na godet shumë rëndë, ndaj mendojmë arbitra të huaj.

E sipas jush, arbitrat e huaj janë më të aftë profesionalisht se tanët, apo edhe pse ata nuk mund të blihen kollaj?
Arbitra e huaj nuk janë shenjtorë, se edhe ata gabojnë. Por nuk shiten e blihen si këta “Kridensat” në Laç. Të gjithë në skuadrën tonë e thonë me zë të lartë, se me këta arbitra asgjë nuk është e sigurt në ndeshje. Këta po e baltosin Kampionatin.

E përballoni ju koston për të patur arbitra të huaj?
Unë jam gati të marr përsipër çdo shpenzim, që të kemi gjyqtarë të huaj në çdo ndeshje, deri në fund të këtij sezoni. Më mirë të huaj dhe i paguajmë, sepse në fund të fundit, nuk do të akuzojmë njeri. Kjo është një histori e përjavshme që po na penalizon shumë rëndë.

Java e 25-të luhet të mërkurën, do ta keni mundësinë që me Kamzën në Vlorë të jetë një arbitër i huaj?
Nëse FSHF-ja e arrin këtë, do të tregojë më shumë përgjegjshmëri në menaxhimin e garës në Kategorinë Superiore. Unë i trembem edhe arbitrave, edhe ekipit tim, sepse historia e tyre këtu në Shqipëri kështu ka vazhduar. Skuadra jonë do të bëjë detyrën, si në çdo ndeshje tjetër, dhe nëse do të jetë arbitër shqiptar, në psikologjinë e lojës sonë nuk do të ketë ndikim për mirë.
Unë i trembem edhe arbitrave, edhe ekipit tim, sepse historia e tyre këtu në Shqipëri kështu ka vazhduar. Skuadra jonë do të bëjë detyrën, si në çdo ndeshje tjetër dhe, nëse do të jetë arbitër shqiptar, në psikologjinë e lojës sonë nuk do të ketë ndikim për mirë
Ndeshjet-Java e 25-të 
E mërkurë, 14 mars 2018
Luftëtari-Kukësi 14:00
Lushnja-Laçi 14:00
Teuta-Skënderbeu 17:00
Vllaznia-Partizani 17:00
Flamurtari-Kamza 17:00

RENDITJA
Skuadrat Nd P
1. Skënderbeu 24 56
2. Kukësi 24 42
3. Laçi 24 36
4. Flamurtari 24 36
5. Partizani 24 35 
6. Luftëtari 24 34
7. Kamza 24 33
8. Vllaznia 24 26
9. Teuta 24 22
10. Lushnja 24 10
Sigal