INTERVISTA/ Shpëtim Duro: Fitorja në Lushnjë, një çlirim psikologjik për gjysmëfinalen e Kupës me Skënderbeun

623
Nga Agron KAJA
Flet për “Telegraf” trajneri i Flamurtarit, më shumë se tri pikët në Kampionat, vëmendjen e ka te ndeshja që i çon në Evropë 
Të shtunën Flamurtari ka gjetur fitoren e munguar prej disa javësh, dhe për këto tri pikë, trajneri Shpëtim Duro u shpreh dje për gazetën “Telegraf” se, edhe pse fitorja u sigurua vetëm në fundin e takimit, me një Lushnjë që u soll mjaft mirë në fushë. Ai deklaroi se e rëndësishme është fitorja, dhe se Flamurtari vëmendjen tashmë e ka te ndeshja e dytë gjysmëfinale e Kupës së Shqipërisë, të mërkurën në Vlorë ndaj Skënderbeut.
Skuadra juaj kishte kohë pa fitore, këtë në Lushnjë e kishit pritur të tillë?
Sinqerisht po ja u them edhe ju, sikundër mediave të tjera të shtunën, se për ne kjo ishte një ndeshje që e parashikonim të vështirë, sepse ka qenë një periudhë shumë e ngarkuar për ne. Gjetëm golin e parë, duhej të shënonim më herët golin e qetësisë, por rëndësi ka që morëm pikët.

Çfarë veçoni tjetër nga kjo fitore në Lushnjë?
Unë e përgëzova Lushnjen për lojën që bëri, pasi ndaj nesh mu duk shumë dinjitoze dhe me karakter. Lushnja sapo ka ndërruar trajner, dhe është normale që ai të kërkojë të motivojë skuadrën në maksimum, por ne duhej të fitonim. Ky ishte synimi ynë, të cilin e arritëm me meritë.

E keni kaluar krizën e rezultateve pozitive me këtë tri pikësh?
Në këtë ndeshje ne ia dolëm të merrnim tri pikët, por kurrsesi ajo nuk është një ndeshje ku mund të flasim për dalje nga kriza. Ka ardhur në një moment që skuadra e kishte të nevojshme për të rritur besimin në forcat e saj, sepse ka shumë ndeshje në fundin e këtij sezoni. 

Paraqitja e Ndeljkoviç në sulm, ishte e vonuar për të në këtë sezon?
Si trajner, mua më vjen mirë që shënoi Nedeljkoviç. Ai ka pasur mundësi edhe në ndeshje të tjera, por ka qenë shumë i ngarkuar psikologjikisht, dhe i duhej ky gol. Edhe te goli i dytë ai ishte vendimtar me pasimin e tij, e mendoj se i ka shërbyer mirë skuadrës në këtë fitore ndaj Lushnjes.

Skuadrën e rreshtuat të përforcuar në mbrojtje, apo bëtë ndryshime në raport me kundërshtarin?
E kam lexuar edhe dje (të dielën), se Flamurtari ndaj Lushnjes ka luajtur me tre mbrojtës. Jo, sepse Bici me Pollozhanin kanë luajtur në qendër dhe Deliaj ishte i spostuar në mesfushë. Kisha mendim që të luaja tre mbrojtës në pjesën e dytë, por kundërshtarit iu largua një futbollist me karton të kuq.

Nga Superiorja te Kupa, kanë filluar “ethet” tuaja për ndeshjen e dytë gjysmëfinale me Skënderbeun në Vlorë?
Për Flamurtarin, ndeshja më e rëndësishme është të mërkurën ndaj Skënderbeut. Ne do të luajmë në fushën tonë, por asnjëherë nuk mund të mendojmë se fituam takimin e parë dhe jemi të siguruar. Kupa ka specifikë tjetër nga Kampionati, ndërkohë që luajmë me Skënderbeun, skuadrën më të mirë në Shqipëri, ndaj vlerësimi ynë mbetet maksimal.

Që do të thotë se Flamurtari e sheh Evropën nga Kupa e Shqipërisë?
Vetë pozicioni ynë në tabelën e renditjes në Kampionat, e bën edhe më të domosdoshëm kualifikimin tonë për në finalen e Kupës. Natyrisht që ne nga Kupa mendojmë që të luajmë në Evropë, por asnjëherë nuk e kemi nënvleftësuar Skënderbeun në këtë gjysmëfinale.

Kështu mbyllni edhe “gojët e liga” për një pakt tuajin me Skënderbeun?
Këto janë lodra fjalësh që dalin në media. Po jua them edhe juve të gazetës “Telegraf”, se nuk ka asnjë pakt me Skënderbeun. Unë dhe Flamurtari nuk jemi pjesë e konjukturave, dhe sinqerisht ju them, se në ndeshjen e parë Skënderbeu ka bërë lojën e tij, ndërsa ne na nderoi goli që shënuam.
Po jua them edhe juve të gazetës “Telegraf”, se nuk ka asnjë pakt me Skënderbeun. Unë dhe Flamurtari nuk jemi pjesë e konjukturave, dhe sinqerisht ju them, se në ndeshjen e parë Skënderbeu ka bërë lojën e tij, ndërsa ne na nderoi goli që shënuam
KATEGORIA SUPERIORE
Rezultatet-Java e 29-të
Datë 14 prill 2018 
Luftëtari-Laçi 2-1
Lushnja-Flamurtari 0-2
Kukësi-Partizani 4-0
Skënderbeu-Kamza 3-2
Dje, datë 15 prill 2018 
Teuta-Vllaznia 2-0

RENDITJA
Skuadrat Nd P
1. Skënderbeu 29 66
2. Kukësi 29 54
3. Partizani 29 45
4. Luftëtari 29 44
5. Laçi 29 42
6. Flamurtari 29 40
7. Kamza 29 34
8. Vllaznia 29 33
9. Teuta 29 33
10. Lushnja 29 10

Ndeshjet-Java e 30-të
Datë 21 prill 2018 
Kamza-Lushnja 16:00
Datë 22 prill 2018 
Vllaznia-Luftëtari 16:00
Laçi-Kukësi 16:00
Flamurtari-Teuta 19:00
Datë 23 prill 2018 
Partizani-Skënderbeu 19:00
Sigal