INTERVISTA/ Shpëtim Duro: Çdo gjë ka përfunduar, më evidente në 34 javë mbetet “kasaphana” e arbitrave me Flamurtarin

177

Nga Agron KAJA

Flet për “Telegraf” ish-trajneri i vlonjatëve në këtë sezon, ja fokusi i tij për Superioren e këtij sezoni dhe parashikimet

Si po i kalon ditët Shpëtim Duro, pas largimit nga bankina e Flamurtarit?

Ka një ndryshim ritmi të jetës së përditshme. Kam një muaj që nuk jam aktiv me futbollin, por në çdo moment jetoj me të dhe ndjek çdo detaj, kryesisht për Flamurtarin. Duke qenë më shumë pranë familjes dhe miqve, kështu e plotësoj agjendën e ditës. Kuptohet, pa bankinë.

Janë luajtur 34 javë të Superiores, mos duket se edhe këto kanë ikur shumë shpejt?

Çdo veprimtari që nis, edhe do të përfundojë. Kështu edhe për futbollin tonë në këtë sezon, por skuadrat nuk duhet të shohin në këto ndeshje numrin e tyre. Më shumë duhet që të vlerësojnë dy ndeshjet e mbetura, dhe më pas të bëjnë bilancet e sezonit në Kampionat e Kupë.

Në tërësinë e ndeshjeve të luajtura deri tani në Superiore, çfarë dukurie veçoni?

Për të qenë më realist, për këto dukuri unë po i referohem Flamurtarit, sepse e drejtova në këtë sezon në rreth 30 ndeshje zyrtare. Dukuri më evidente është se, arbitrat kanë ndikuar negativisht në ecurinë e Flamurtarit. Ata i kanë mohuar penallti dhe kanë dhënë padrejtësisht kundër tij, por më e keqja është se “kasaphana” e tyre vazhdon.

Veç Flamurtarit, cilën skuadër do të veçoni në këto 34 javë që anë luajtur në Superiore?

Natyrisht që unë veçoj Skënderbeun, jo vetëm pse është Kampion dhe finalist i Kupës së Shqipërisë, por sepse realisht është skuadra më e mirë. Të tjerat aty-aty janë, por nuk do pushoj së thëni, se Flamurtari nuk mori atë që dha, vetëm nga arbitrimet skandaloze kundër tij.

Katër skuadra janë duke “sulmuar” Evropën, si e parashikoni situatën e tyre në këto dy ndeshje të mbetura?

Po u përjashtua Skënderbeu, pesë skuadra të tjera do të luajnë në Evropë, dhe kështu nuk do të jetë ndonjë sukses i madh. Do të dëshiroja që në këtë grup të ishte edhe Flamurtari, sepse matematika ia lejon, por gjykimet ia mohuan këtë mundësi.

Po mbijetesa dhe rënia nga kategoria, janë zgjidhur në këto 34 javë të luajtura?

Natyrisht që u zgjidhën në javën e kaluar. Për Teutën as nuk bëhet fjalë, Kamzës i duhet vetëm 1 pikë që të shpëtojë, ndërsa Vllaznia e nxori vetveten, pasi nuk arriti të fitonte as me rivalët për mbijetesë. Kësisoj, unë mendoj se gjithçka është zgjidhur edhe në këtë zonë të renditjes.

Është mundësia që në këto dy javë të kemi ndonjë ndryshim surprizë në renditje?

Nuk besoj se do të ndodhë ndonjë surprizë, për mendimin tim duket e pamundur të mendojmë diçka ndryshe. Sepse duke ju referuar kalendarit të ndeshjeve, ato nuk të japin hapësirën të mendosh se diçka mund të ndodhë në këtë finish, të minimizuar vetëm në 6 pikë.

Si i parashikoni ndeshjet e javës së 35-të?

Mendoj se vetëm në dy prej tyre do të luhet, në Kamza-Laçi e Flamurtari-Partizani, ndërsa ndeshjet e tjera do të duken vetëm si një formalitet zyrtar, thjesht për të respektuar kalendarin. Sepse Skënderbeu, Kukësi e Lushnja nuk kanë asnjë motiv në këtë javë.

Në Superiore po rikthehet Tirana, por po largohet Vllaznia, një tjetër skuadër elitare. Mos janë këto kapriçiot e formulës me 10 skuadra të Superiores?

Mirë do të ishte që skuadra me emër në futbollin shqiptar të ishin pjesë e Kategorisë Superiore. Por secila ka pasur problematikat e tyre që i kanë penalizuar, ndërsa Vllaznia në këtë rast të çudit. Realisht është një skuadër e mirëpaguar, por që po penalizohet për probleme teknike.

 

Dukuri më evidente është se, arbitrat kanë ndikuar negativisht në ecurinë e Flamurtarit. Ata i kanë mohuar penallti dhe kanë dhënë padrejtësisht kundër tij, por më e keqja është se “kasaphana” e tyre vazhdon

Ndeshjet-Java e 35-të

Të shtunën, 19 maj 2018

Flamurtari-Partizani    17:00

Vllaznia-Kukësi          17:00

Luftëtari-Skënderbeu  17:00

Teuta-Lushnja             17:00

Kamza-Laçi                 17:00

RENDITJA

Skuadrat        Nd       P

  1. Skënderbeu 34 72
  2. Kukësi 34 62
  3. Luftëtari 34 53
  4. Laçi 34 50
  5. Partizani 34 50
  6. Flamurtari 34 45
  7. Kamza 34 43
  8. Teuta 34 43
  9. Vllaznia 34 38
  10. Lushnja 34 11