INTERVISTA/ Shkëlqim Muça: Me Norvegjinë, ishte një nga ndeshjet më të dobëta të Kombëtares në të gjitha drejtimet

807
Nga Agron KAJA
Për miqësoren me nordikët, flet për “Telegraf” ish-mesfushori kuqezi, analizon shkaqet e kësaj humbjeje në “Elbasan Arena”
Si e përshkruani teknikisht miqësoren me Norvegjinë, shumë mirë-mirë-mjaftueshëm apo dobët?
Për mendimin tim, kjo ndaj Norvegjisë ka qenë një ndeshje shumë e dobët në të gjitha drejtimet. Skuadra në tërësi m’u duk sikur luajti pa dëshirë dhe i la shumë hapësira kundërshtarit, që nga ana e tij, e dominoi tërësisht ndeshjen dhe e meritoi fitoren.

Në cilin repart mendoni se gaboi më shumë Kombëtarja jonë, në mbrojtje, mesfushë apo në sulm?
Kur them se ishte një ndeshje e dobët në të gjitha drejtimet, nënkuptoj se në të gjitha repartet pati mangësi në lojën e skuadrës sonë. Në tërësi ishte një skuadër e pa kolauduar mirë, ku mesfusha mbeti reparti më i dobët, ndërsa mbrojtja i la më shumë hapësira kundërshtarit, i cili i shfrytëzoi me efektivitet.

Ndikoi në këtë situatë aktivizimi i disa lojtarëve të rinj në formacion?
Natyrisht që për këtë situatë, ndikimi negativ erdhi, së pari nga ky fakt, sepse lojtarët e thirrur rishtas janë në kolaudim dhe nuk mund të harmonizohen kaq shpejt në skuadër. Nëse do t’i referohem kronikës së lojës, edhe tek lojtarët më me përvojë në Kombëtare u shfaqën shumë mangësi, më duhet të përsëris mbrojtjen, sidomos në pësimin e golit.

Kishte mundësi të tjera Panuçi në ndërtimin e një formacioni më rival ndaj Norvegjisë?
Mendoj se ai u përqendrua te idetë e tij në vendosjen e lojtarëve në fushë. Qëllimi i tij ka qenë që të rinjtë të ingranoheshin në lojë me pjesën tjetër, ndoshta pa nënvleftësuar rezultatin. Por, me përbërjen që hodhi në fushë Panuçi, mungoi mentaliteti i fituesit.

Sa ndikim kishte në lojën e Kombëtares sonë mungesa e disa titullarëve, të cilët janë quajtur si të “vjetër” në moshë nga Panuçi?
Drejtpërdrejt ai nuk ka thënë kështu, por duke i larguar lojtarët si Agolli që kanë moshë të madhe, gjithçka është e nënkuptueshme. Si Agolli, ashtu e Basha apo ndonjë tjetër, do të luanin shumë më mirë nga disa futbollistët të rinj. Trajneri ka strategjinë e tij, por këta lojtarë ishin të nevojshëm për miqësoren me Norvegjinë.

Me këtë performancë të Panuçit në drejtimin e skuadrës, garantohet një vazhdimësi drejt suksesit, si në Evropianin 2016?
Është shumë e vështirë që të arrijmë nivelin kur skuadrën e drejtonte De Biazi. Ndoshta e pamundur nuk është, por realisht nuk mund të themi se kemi një skuadër që të orienton drejt një suksesi në Evropian, apo edhe në Ligën e Kombeve. Panuçi duhet t’i përgatitë lojtarët që të japin maksimumin në fushë, kjo nuk ndodhi me Norvegjinë.

E keni një sugjerim për vazhdimësinë e Kombëtares sonë aktualisht?
Mendoj se trajneri duhet të dijë ta menaxhojë më mirë lojën në fushë dhe te lojtarët të futë mentalitetin e fituesit, me çdo kundërshtar. Sepse me këtë gjendje, Kombëtares po i largohen edhe tifozët, të cilët ndaj Norvegjisë kishin bërë shumë firo në shkallët e stadiumit.
Në konferencën e djeshme për shtyp, trajneri Ze Maria i Tiranës, komentoi edhe humbjen e Kombëtares sonë me Norvegjinë. “Rezultati ishte jo i mirë. Unë pashë që Norvegjia kishte një skuadër, e cila luajti futboll të mirë, përballë një Shqipërie që do t’i duhet kohë për t’u përshtatur me mendimet e Panuçit”
SHQIPËRI-NORVEGJI
Përballjet direkte
Eliminatore Evropiani 1998
Datë 14 tetor 1998 
Norvegji-Shqipëri 2-2
Datë 5 qershor 1999 
Shqipëri-Norvegji 1-2
Eliminatore Botërori 2014
Datë 22 mars 2013
Norvegji-Shqipëri 0-1
Datë 7 qershor 2013
Shqipëri-Norvegji 1-1
Ndeshje miqësore
Dje, 26 mars 2018
Shqipëri-Norvegji 0-1
BILANCI
Nd 5, F 1, B 2, H 2, G 5:6
Sigal