INTERVISTA/ Shkëlqim Muça: Kampionati nuk ka qenë interesant, i ka munguar rivaliteti në gjithë shtrirjen e tij

753
Sigal

Nga Agron KAJA

Flet për “Telegraf” ish-futbollisti i 17 Nëntorit (sot Tirana) e Kombëtares, ja këndvështrimi i tij për Superioren e këtij sezoni, dhe parashikimet

Duke qenë një ish-futbollist, sa emocione ju krijon sot futbolli në përgjithësi, dhe Superiorja në veçanti?

Natyrisht që futbolli nuk mund të konceptohet jashtë pasionit tim, sepse kam një jetë që mbetem “peng” i këtij sporti. Në çdo kohë mundohem që të krijoj mundësi për të ndjekur ndeshje në futbollin shqiptar, edhe pse në pozicionin e punës kam ngarkesë shumë të madhe.

Si i përshkruani 34 javët që janë luajtur në Kategorinë Superiore?

Kampionati nuk ka qenë interesant, sepse i ka munguar rivaliteti në gjithë shtrirjen e tij. Kjo ka qenë evidente më shumë në luftën për Titullin Kampion, ku Skënderbeu thuajse ka luajtur pa rivalë. Ndërsa ekipet e tjera kanë luajtur me shumë oshilacione, më shumë Partizani, Flamurtari e së fundmi Vllaznia.

Cilat i veçoni ju si dukuritë më të spikatura në Superioren 2017-2018?

Ka shumë të tilla, por lufta për Evropën dhe ajo për mbijetesë, janë më evidente, të paktën për fazën e tretë e të katërt. Por, nuk mund të mos ta quajmë një dukuri negative të garës, edhe problemin e gjykimeve pa nivel, pse jo, edhe largimin e disa trajnerëve gjatë Kampionatit.

Nisur nga ky këndvështrim, mendoni se skuadrat e kanë treguar plotësisht fizionominë e lojës së tyre në këto javë?

Ndoshta duhet që të përsërit mendimin e mësipërm për oshilacionet që kanë treguar skuadrat, të cilat kanë nuk i kanë lejuar skuadrat të tregonin plotësisht vlerat e tyre, në raport me përbërjet dhe synimet që kishin deklaruar. Laçi e Luftëtari janë dy skuadrat më pozitive në këtë drejtim.

Nëse e shohim renditjen nga kreu-mesi e fundi, ku ka qenë më komplekse situata e skuadrave?

Mendoj se më komplekse ka qenë e mbetet deri në fund, situata e skuadrave për mbijetesë. Kjo pjesë e renditjes mbetet më interesante, dhe nuk pres që në këto dy ndeshje të mbetura do të kemi ndonjë surprizë. Ndërsa skuadrat e tjera i kanë siguruar objektivat e tyre, duke veçuar vendin e tretë për Evropë.

Po në ndeshjet e tjera, mundet që të kemi ndonjë rezultat të befasishëm?

Zakonisht, në fund të Kampionatit skuadrat bëjnë llogari. Konkretisht, në këto dy ndeshje të mbetura Skënderbeu nuk ka asnjë motiv, e po kështu edhe Kukësi. Ka edhe skuadra të tjera që nuk rrezikojnë e nuk mund të pretendohet se do mungojnë tolerimet, apo aleancat.

Ju mendoni se fenomeni i favoreve në ndeshje do të jetë prezent në këto dy javë?

Kjo është normale, dhe nuk hyn në atë fenomen që sot e quajnë trukim. Unë ja u përmenda më sipër, se duke qenë që disa skuadra nuk kanë motiv në këto dy ndeshje, do të provojnë të rinj dhe nuk do të kenë nivelin e lojës që kanë treguar gjatë ndeshjeve të mëparshme.

Po ndeshjet e javës së 35-të, si i shikoni në këndvështrimin e rezultateve të mundshme?

Në Vlorë dhe në Kamzë mendoj se do të luhet fort, sepse Flamurtari e Kamza kanë synime jetike të sezonit. Në tre ndeshjet e tjera besoj se do të fitojnë skuadrat vendase, sepse kalendari ka zhvendosur jashtë fushe në transferta Skënderbeun, Kukësin e Lushnjen, tre skuadrat pa asnjë motiv.

Ndeshjet-Java e 35-të

Të shtunën, 19 maj 2018

Flamurtari-Partizani    17:00

Vllaznia-Kukësi          17:00

Luftëtari-Skënderbeu  17:00

Teuta-Lushnja             17:00

Kamza-Laçi                 17:00

RENDITJA

Skuadrat        Nd       P

  1. Skënderbeu 34 72
  2. Kukësi 34 62
  3. Luftëtari 34 53
  4. Laçi 34 50
  5. Partizani 34 50
  6. Flamurtari 34 45
  7. Kamza 34 43
  8. Teuta 34 43
  9. Vllaznia 34 38
  10. Lushnja 34 11