INTERVISTA/ Sefedin Braho: Mbrojtja, reparti që duhet kolauduar mirë në miqësoren me Norvegjinë

988
Nga Agron KAJA
Flet për “Telegraf” ish-sulmuesi i Luftëtarit, Partizanit dhe i Kombëtares, ja këndvështrimi i tij për sfidën në “Elbasan Arena”
Si një ish-futbollist i Kombëtares, si ndjeheni sot kur bëhet fjalë pikërisht për skuadrën kuqezi?
Nostalgjia e bën të vetën dhe ajo duket se do të më shoqërojë gjithë jetën. Gjithsesi, unë ndjehem mirë, sepse për sa luajta në Kombëtare, besoj se kam lënë emër të mirë. Ndërsa për skuadrën sot, them se kemi futbollistë të mirë që luajnë në kampionate prestigjioze në Evropë.

Nga miqësorja e fundit me Turqinë, e deri më 26 mars në një miqësore me Norvegjinë, është kjo një hapësirë kohe e madhe pa u mbledhur Kombëtarja?
Periudha në çdo fillim viti është e ngarkuar shumë me datat e kampionateve e kupave të vendeve me futboll në Evropë, me ndeshjet e Ligës së Kampioneve e të Evropa Ligë, gjë që nuk mundëson data të lira. Ndaj dhe është krijuar kjo hapësirë katër mujore pa u mbledhur Kombëtarja, dhe kjo jo vetëm për ne.

Si e vlerësoni listën që trajneri Kristian Panuçi ka shpallur me 24 të grumbulluar për miqësoren me Norvegjinë?
Në të tilla raste, listat janë kompetencë e trajnerit, e besoj se ai i ka studiuar paraqitjet e gjendjen që kanë 24 futbollistët e grumbulluar prej tij, për miqësoren me Norvegjinë. Aty ka emra të vjetër e të rinj, ndoshta ai ka menduar edhe një alternim mes tyre.

Po mosgrumbullimi i kapitenit Ansi Agolli për të dytën herë, si e shikoni?
Edhe këtë unë e shikoj nga këndvështrimi i trajnerit. Nëse do të isha unë, do ta mbaja Agollin qoftë edhe në stol, sepse është një lojtar i domosdoshëm për Kombëtaren. Ai ka një formë të shkëlqyer, dhe i ka sfiduar vitet e moshës së tij. Kësisoj, në Kombëtare duhej të ishte i pazëvendësueshëm.

Në tërësi, çfarë synimi mendoni se ka trajneri Panuçi për miqësoren me Norvegjinë?
Çdo ndeshje miqësore ka një specifikë të veçantë, sepse lejon shumë zëvendësime gjatë lojës. Kështu trajneri e ka mundësinë të provojnë sa më shumë elementë, e besoj se kështu do të ndodhë edhe të hënën me Norvegjinë. Por, në mbrojtje duhet të ketë më shumë zgjedhje.

Pse pikërisht në repartin e mbrojtjes mendoni lëvizjet më evidente në këtë miqësore?
Sepse aty janë mungesat më të mëdha. Pas largimit të Lorik Canës, tashmë edhe të Ansi Agollit, mbrojtja sikur po bën firo. Me sa di unë, edhe Gjimshiti nuk është stërvitur për një arsye familjare, ndaj them se në mbrojtje do të kemi kujdesin më të madh gjatë miqësores me Norvegjinë.

Mendoni se kjo do të jetë Kombëtarja shqiptare për Ligën e Kombeve dhe Euro 2020?
Nga muaji mars që jemi aktualisht, e deri në shtator që nisin ndeshjet kualifikuese, besoj se do të gjenden të tjera mundësi që Kombëtarja jonë të luajë ndonjë miqësore tjetër. Ndoshta duhet një kundërshtar më i fortë se Norvegjia, sepse mundësohet më qartë evidentimi i gjendjes që ka skuadra. 

Nga Kombëtarja te Luftëtari, si e shikoni skuadrën deri në fundin e Kampionatit?
Me këtë ecuri që ka, Luftëtari duhet të kapë zonën e Evropës. Këtë sezon, skuadra ka bërë investime të fuqishme e cilësore, dhe në këto tre faza të luajtura ka pasur nivel në ngjitje. Edhe pse ka rivalitet mes katër skuadrave, duhet që të jetë pjesë e Evropës.
Çdo ndeshje miqësore ka një specifikë të veçantë, sepse lejon shumë zëvendësime gjatë lojës. Kështu trajneri e ka mundësinë të provojnë sa më shumë elementë, e besoj se kështu do të ndodhë edhe të hënën me Norvegjinë. Por, në mbrojtje duhet të ketë më shumë zgjedhje 
Sigal