INTERVISTA/ Rrapo Taho: Kalendari në pesë javët e fundit është “kapriçioz”, jo vetëm te skuadrat për mbijetesë

526
Nga Agron KAJA
Flet për “Telegraf” ish-qendërmbrojtësi i Flamurtarit dhe i Kombëtares, i vlerëson të vështira pesë javët e mbetura të Superiores
Pesë javë para përfundimit të Kategorisë Superiore 2017-2018, si e shikoni ju situatën e skuadrave në tabelën e renditjes?
Një renditje që për disa skuadra është normale, ndërsa për disa të tjera është edhe e padrejtë. Ndoshta të 10-ta skuadrat kanë pretendimet e tyre për më shumë pikë, apo për më pak pikë për rivalët e tyre, por kjo situatë në renditje tashmë është fakt dhe duhet pranuar.

Po renditjen e Flamurtarit, e quani të drejtë, apo të padrejtë?
Për deri sa them se kjo renditje e 31 javëve të luajtura është fakt, natyrisht që aty është edhe Flamurtari, por me një përjashtim. Sepse kjo skuadër duhej të ishte më lart, nëse nuk do të kishte padrejtësi në vendimmarrjen e arbitrave në disa ndeshje me rivalët e drejtpërdrejtë për kreun.

Çfarë mendoni se nuk shkoi mirë te Flamurtari, kryesisht në dy fazat e fundit të këtij Kampionati?
Unë nuk mund të them shumë gjëra, por më evidente ishte mënyra e të luajturit nga skuadra. Sepse nuk ishte ajo që duhej, sepse i mungonte grinta dhe ishte shumë e dobët para portës së kundërshtarëve. Këto janë momentet më të dukshme të kësaj rënieje që pësoi Flamurtari.

Me largimin e Duros nga bankina dhe afrimin e Beharit, çfarë ka ndryshuar te Flamurtari?
Me ndryshimin e trajnerit, te Flamurtari unë shikoj një situatë ndryshe, shikoj se ka një angazhim e vlerësim maksimal nga të gjithë lojtarët. Ndoshta kjo ka qenë edhe në drejtimin e Duros, por tani po jep shenjat pozitive, diçka që i ka munguar më parë Flamurtarit në këtë sezon.

Pse ndodhi që, Flamurtari nga pretendent për në Evropë, është kthyer si një pretendent i largët për mbijetesë?
Pse ndodhi, besoj se unë e qartësova paksa më sipër, por, si do të vazhdojë në këto pesë javë, unë them se kalendari e favorizon Flamurtarin, jo vetëm për mbijetesë. Do të luajnë 3 ndeshje në Vlorë dhe 2 të tjerat jashtë, e nëse do të ketë këtë përqendrim, mendoj se shkon edhe në zonën e Evropës.

Sa kanë ndikuar arbitrat në këtë ecuri të Flamurtarit?
Flamurtari ka qenë i penalizuar nga arbitrat, për të cilët ka shumë vend për të kritikuar në këto 31 javë të luajtura. Në disa raste gabimet e tyre kanë qenë fatale, me ndikim direkt në rezultate të ndeshjeve, por do ti këshilloja që, ta mbajnë mirë bilbilin kur sinjalizojnë vendimet.

Sipas jush, cilat skuadra kanë mundësinë e përfaqësimit në Evropë?
Pa u treguar egoist, ju ritheksoj edhe një herë Flamurtarin si njërin nga kandidatët për të luajtur në Evropë. Kukësi e Luftëtari thuajse kanë kaluar në këtë zonë, dhe në këto 5 javë, nga Partizani, Laçi e Flamurtari do të dalë skuadra e dytë për në UEFA Europa Ligë.

Cila skuadër është më e rrezikuar që të zbresë në Kategorinë e Parë së bashku me Lushnjen?
Nëse do t’i referohemi kalendarit në këto 5 javë të mbetura, ai është “kapriçioz”, jo vetëm te skuadrat për mbijetesë. Teuta mbetet skuadra më e rrezikuar, por nuk i dihet se çfarë surprizash mund të ndodhin në këto 5 javë. Kamza, Vllaznia e Teuta do ta ndajnë mes tyre këtë ankth dhe luftë për mbijetesë.
Në fazën e katërt të Superiores, gjithmonë kanë ekzistuar aleancat, dhe mos shkojmë më larg nga sezoni i kaluar, prej të cilave e pësoi Tirana 24 herë Kampione e Shqipërisë. Këto janë fenomene që e shoqërojnë futbollin kudo, por për Flamurtarin, në këtë sezon nuk janë të nevojshme 

Ndeshjet-Java e 32-të
Të shtunën, 5 maj 2018 
Kamza-Luftëtari 16:00
Kukësi-Lushnja 16:00
Laçi-Skënderbeu 16:00
Flamurtari-Vllaznia 19:00
Partizani-Teuta 19:00

RENDITJA
Skuadrat Nd P
1. Skënderbeu 31 69
2. Kukësi 31 55
3. Luftëtari 31 50
4. Partizani 31 46
5. Laçi 31 43
6. Flamurtari 31 43
7. Kamza 31 38
8. Vllaznia 31 36
9. Teuta 31 34
10. Lushnja 31 11
Sigal