INTERVISTA/ Redi Jupi: Ngjeshja e Kampionatit krijoi lodhje e stres, rënia e Vllaznisë nuk është surprizë

938
Sigal

Nga Agron KAJA

Flet për “Telegraf” ish-futbollisti e trajneri në Kategorinë Superiore, në analizën e tij të sezonit, veçon Luftëtarin si skuadrën më të mirë

Çfarë treguan ndeshjet e javës së 36-të, futboll apo matematikë (pazare)?

Për mendimin tim, teknikisht nuk kishte si të shkonte ndryshe situata e ndeshjeve të javës së 36-të. Në këtë këndvështrim, këto ishin rezultate të pritshme, pastaj, nëse do t’i shohim në të tjera gjykime, ka shumë për të folur në të dyja anët e medaljes.

Kampionati nisi në mesin e shtatorit 2017 dhe përfundoi në fundin e majit 2018, ndikoi kjo ngjeshje në performancën e skuadrave?

Hollë-hollë, edhe mund të ketë pasur ndikim në skuadra të veçanta, sepse kryesisht për stafet teknikë, kjo ngjeshje e Kampionatit ka krijuar situatë lodhjeje e stresi. Ka pasur planifikim jo të plotë për të gjitha skuadrat njësoj, ndaj kjo ngjeshje e ka ulur performancën në fushë.

Çfarë veçoni nga Superiorja e sezonit që u mbyll: Organizimin e FSHF-së dhe të klubeve, përbërjet, ndeshjet…?

Çdo element i garës është për t’u veçuar, por duke qëndruar te organizimi, ka një zhvillim pozitiv nga FSHF-ja dhe disa klube, si Skënderbeu, Luftëtari, Kukësi, Partizani e Flamurtari. Por, tashmë duhet menduar se ka ardhur koha që edhe në fushë, treguesit të jenë në raport me këto organizime.

Si ish-trajner në Superiore, sa ndikim ka pasur te skuadrat që i ndërruan trajnerët disa herë gjatë këtij sezoni?

Puna e trajnerëve është duke u parë me një mentalitet jo normal. Sepse, po të kishin presidentët projekte më serioze dhe afatgjata me trajnerët, ata nuk do të trajtoheshin sikundër ky sezon që u mbyll. Nëse gabon një trajner, me faj është edhe klubi që ka bërë këtë zgjedhje.

Po arbitrat, kanë qenë faktor në përcaktim rezultatesh në ndeshje të veçanta?

Nëse flasim për javët e fundit, arbitrat nuk kishin ndonjë punë të madhe, sepse ndeshjet më shumë kanë qenë llogari. Nëse i referohemi një krahasimi në raport me sezonin e kaluar, ka një përmirësim, por duke e parë performancën e tyre me të gjitha hallkat e garës, pati edhe mangësi.

Si e përshkruani rënien e Vllaznisë në Kategorinë e Parë, surprizë apo vazhdë e menaxhimit të dobët në disa sezone radhazi?

Mendoj se të gjithëve na vjen keq për këtë rënie të Vllaznisë në Kategorinë e Parë, ndoshta përveç 180 mijë banorëve të Kamzës. Kjo nuk ishte dinjitoze për Vllazninë dhe për shkodranët, por ka një dorë brenda saj që ia solli këtë situatë zbritjeje, pa luftuar fare. Nuk ishte surprizë.

Skënderbeu fitoi titullin e 8-të Kampion, sa vlerë ka ai kur skuadra është e përjashtuar nga Evropa?

Që të mos pranohesh në Evropë, natyrisht që kjo është një humbje e madhe për çdo klub futbolli, sepse kanë humbje të mëdha financiare. Kështu edhe për Skënderbeun ky është një penalizim për tregun e jashtëm, sepse në tregun e brendshëm, skuadra e tregoi veten.

Duke e vështruar në tërësi Kategorinë Superiore 2017-2018, cilën skuadër e veçoni si më të mirën, pa marrë shumë parasysh renditjen?

Duke veçuar Skënderbeun, për mua suksesin më të madh në çdo drejtim e ka Luftëtari. Me organizimin që ky klub i bëri skuadrës, me performancën e saj dhe të individëve shumë të spikatur, shtuar edhe drejtimin e mirë nga bankina, për mua mbetet skuadra më e mirë e sezonit që u mbyll.

Edhe në këtë sezon të Superiores, golashënuesi më i mirë ishte futbollist i huaj, jo shqiptar, çfarë tregon ky rast?

Sulmuesit e mirë është shumë e vështirë të prodhohen, në raport me pozicionet e tjera në fushën e lojës. Edhe nëse do të ishte Guri i Kukësit, nuk do të ishte ndonjë gjë e madhe, por këtu duhet parë problemi më gjerë, që në ekipet e moshave dhe të akademive.

Është e nevojshme që të ndryshojë struktura me 10 skuadra e Kategorisë Superiore?

Formula me 10 skuadra nuk është e keqe, por ka vend edhe për më shumë, kryesisht për të shmangur tolerimet në fundin e garës. Sepse ka skuadra të traditës që mund të japin më shumë në këtë futboll, ndaj një shtim i numrit nuk do t’i bënte keq këtij futbolli.