INTERVISTA/ Prof. Dr. Sazan Guri: Ndeshjet në Botëror mos t’i shohim me emocione fiktive, tradita e fituesve mbetet bukuria e këtij eventi

618
Sigal

Nga Agron KAJA

Ja si vjen atmosfera e prag-Botërorit “Rusi 2018” nga një personalitet i shkencës, historia e finaleve që ka ndjekur nga Meksikë 1970 dhe aktualiteti sipas tij në këtë prag të finaleve

Jeni bërë edhe ju pjesë në atmosferën e prag-Botërorit “Rusi 2018”?

Natyrisht që po. Unë futbollin e kam luajtur, e dashuroj dhe e ndjek në çdo nivel të mundshëm, dhe nuk mund të qëndroja larg Botërorit. Që kur u hodh shorti, kam marrë informacion për skuadrat, ndërsa në ditët e fundit kam ndjekur gjithçka që flitet e shkruhet në mediat shqiptare.

E mbani mend Botërorin e parë që ju keni ndjekur në jetën tuaj?

Po, rreth 50 vite më parë në Botërorin e 9-të që u zhvillua në Meksikë, ndeshjet i kam ndjekur fshehurazi, në televizorin e tezes sime, Qanie Xhindoli. Atëhere nuk kishte shumë televizorë, por unë e kam ndjekur atë së bashku me Sokol Sejkon dhe Gim Tuken, e kam të “gjallë” në kujtesë.

Po për Botërorin “Rusi 2018”, çfarë të veçanta vlerësoni në këtë prag?

Ka shumë, por ky në Rusi duket se do të ketë më shumë hijeshi, modernizim e kostum. Por ka disa Botërorë që u ka munguar natyraliteti, si më parë në kostumet e futbollistëve, në trupat e tyre shumë të formuar fizikisht e të bukur, që dukeshin si atletët e Greqisë së lashtë.

Cili është sipas jush atmosfera qytetare e mediatike në këtë prag të Botërorit të Rusisë?

Në gjithçka që thuhet e lexohet, mendoj se është më tepër se ç’duhet. Në tërësinë mediatike, kjo formë e propagandimit të Botërorit, duket sikur atij i jep artificialitet. Ndërsa në ambientet qytetare mbizotërojnë tifozët e basteve, të cilët do bërtasin për lekët, jo për natyralitet.

Ju, për cilën skuadër do të bëni tifo në këtë Botëror?

Që nga Botërori i Meksikës në vitin 1970, bëj tifo për Anglinë, sepse mësuesi i Anglishtes, Pandeli Ndreçka që kishte studiuar jashtë, ishte pikërisht tifoz me anglezët, që vinin si Kampionë në vitin 1966. Kjo është një skuadër e madhe, me një histori të tillë.

Në këtë Botëror mungon Italia 4 herë Kampione e Botës dhe Holanda 4 herë finaliste në Botërorë, do të krijojnë boshllëk elitar këto dy skuadra?

Patjetër që po, sepse me mungesën e Italisë në Botërorin “Rusi 2018”, them se do na mungojë forca dhe energjia e tyre në lojë. Ndërsa me mungesën e Holandës, mendoj se do të mungojë shkolla e Krujfit, do të mungojë ngjyra e vitaminës C në këtë Botëror.

Mendoni se, që në ndeshjet e grupeve do të përvijohen skuadrat gjysmëfinaliste të këtij Kampionati Botëror?

Ndoshta jo të gjitha skuadrat gjysmëfinalistet mundet të zbardhen që pas ndeshjeve në grupe, sepse në turin 1/8 mund të ketë edhe ndonjë befasi. Besoj se Brazili, Gjermania, Argjentina, Spanja, Belgjika, ndërsa si surprizë mendoj vendasit e Rusisë.

Po fituesja e Kupës së Botës “Rusi 2018”, mendoni se do të dalë nga skuadrat e traditës si fituese në këtë event?

Besoj se kështu do të ndodhë, ndryshe do të thoshim se tradita e fitueseve ka humbur. Ndërsa unë qëndroj larg ndonjë skuadre surprizë, dhe fituesin e kësaj Kupe të Botës unë e pres vetëm nga ato skuadrat gjysmëfinaliste që i përmenda më sipër.

Ju si keni menduar që ti ndiqni finalet e këtij Kampionati Botëror?

Nuk do kem një vend fiks, sepse të tilla evente shikohen më mirë me shokë e miq. Natyrisht që edhe në familje, por pjesa më e madhe do të jetë në shoqëri, dhe jo me tifozë bastesh, por me ata natyralë.

Çfarë do të këshillonit ju për një ndjekshmëri më të mirë të finaleve në këtë Botëror?

Të gjithë ti shohin dhe ti shijojnë këto finale me dëshirën e pasionin e tyre. Mediat të jenë më të matura në transmetime dhe emisione, për të na dhënë realitetin real, jo atë virtual.

Me mungesën e Italisë në Botërorin “Rusi 2018”, them se do na mungojë forca dhe energjia e tyre në lojë. Ndërsa me mungesën e Holandës, mendoj se do të mungojë shkolla e Krujfit, do të mungojë ngjyra e vitaminës C në këtë Botëror

Orakulli Ibraimoviç, ja pesë skuadra kandidate për Kupën e Botës!

Dje, Zllatan Ibraimoviç është bërë i “gjallë” në një intervistë të dhënë për fifa.com, në të cilën ka folur në lidhje me Kupën e Botës. “Mua më vjen keq që nuk do të luajë Amerika, pasi do të bëja tifo për të, por si skuadra favorite mendoj se kanë mundësi për të fituar Kupën e Botës disa skuadra. Veçoj Brazilin, Gjermaninë, Spanjën, Argjentinën, por edhe Suedinë. Unë them se këto do të jenë skuadrat favorite, dhe tifozëve u them të kenë durim dhe të presin, pasi unë po vij. Do të jem në Botëror”, kështu ka deklaruar Zlatan Ibrahimoviç në fifa.com, i cili kështu ka bërë parashikimet e tij për fituesit e mundshëm të Botërorit “Rusi 2018.

Federata angleze kujdeset nga hakerat rusë, porosit “kolaudimin” e seksit në telefona

Skandali seksual që përfshiu kombëtaren meksikane vetëm pak ditë më parë, duket se ka bërë që shumë federata të shqetësohen në lidhje me ekipet e tyre. Masa për të evituar ndonjë skandal të mundshëm, po merr Federata Angleze e Futbollit, e cila ka kërkuar nga futbollistët që të fshihet çdo foto, video apo tekst që mund të ketë përmbajtje seksuale. Shkak për këtë kërkesë është bërë fakti që në Rusi ka shumë njerëz të aftë, të cilët mund të bëjnë ndërhyrje kibernetike, duke hakuar telefonat, gjë e cila do të sillte edhe publikimin e gjërave publike dhe intime. Vetëm pak kohë më parë, nga një skandal i tillë u përfshi mesfushori i Totenhemit dhe i kombëtares angleze, Dele Ali, të cilit iu publikua një video me të dashurën e tij, gjë e cila bëri jo pak bujë

Stadiumi “Ekaterinburg Arena”, më moderni i Botërorit dhe më strategjiku për Rusinë

Ekaterinburgu është qyteti më lindor i përzgjedhur për Botërorin “Rusi 2018”, i themeluar më 18 nëntor 1723, që ka marrë emrin e gruas së Pjetrit të Madh, Ekaterinës. Më pas u shndërrua në Katerina, pas vdekjes së burrit të saj që njihet edhe si kryeqyteti i Uraleve. Ekaterinburg është një pikë strategjike mes Evropës dhe Azisë, rol të cilin e luan edhe sot. Në kuadrin e ndeshjeve finale të Kampionatit Botëror të Futbollit “Rusi 2018”, në stadiumin e këtij qyteti ndeshja e parë do të luhet më 15 qershor, Egjipt-Uruguai, ndërsa më 21 qershor do të luhet sfida Francë-Peru. Më 24 qershor do të luhet ndeshja Japoni-Senegal, dhe më 27 qershor luhet Meksikë-Suedi. Stadiumi “Ekaterinburg Arena” ka një kapacitet prej 35 mijë vende.

TË DHËNA GRUPI G

NDESHJET NË GRUP

Në Soçi/ 18.06.2018

Belgjikë-Panama         17:00

Në Volgograd/ 18.06.2018

Tunizi-Angli                20:00

Në Moskë/ 23.06.2018

Belgjikë-Tunizi            14:00

Në Novgorod/ 24.06.2018

Angli-Panama             14:00

Në Kaliningrad/ 28.06.2018

Angli-Belgjikë             20:00

Në Saransk/ 28.06.2018

Panama-Tunizi            20:00

 

BELGJIKA

Themelimi: Viti 1895

Pjesëmarrje: 12 herë

Në gj/finale: 1 herë

Në finale: 0 herë

President: Gerard Linard

Trajner: Roberto Martinez

Ylli në ekip: Eden Hazard

Renditja në FIFA: Vendi 3-të

Slogani: Djaj të kuq me një mision

 

PANAMAJA

Themelimi: Viti 1937

Pjesëmarrje: 0 herë

Në gj/finale: 0 herë

Në finale: 0 herë

President: Pedro Shaluja Arauz

Trajner: Hernan Dario Gomez

Ylli në ekip: Blaz Perez

Renditja në FIFA: Vendi 55-të

Slogani: Jemi forca e dy deteve!

 

TUNIZIA

Themelimi: Viti 1957

Pjesëmarrje: 4 herë

Në gj/finale: 0 herë

Në finale: 0 herë

President: Vadii Jari

Trajner: Nabil Maloul

Ylli në ekip: Uahbi Khazri

Renditja në FIFA: Vendi 21-të

Slogani: Po vijnë Shqiponjat, krah për krah lojtarë dhe tifozë

 

ANGLIA

Themelimi: 26 tetor 1863

Pjesëmarrje: 14 herë

Në gj/finale: 2 herë

Në finale: 1 herë

Fituese: 1 herë

President: Greg Klark

Trajner: Gereth Sauthgei

Ylli në ekip: Herri Kejn

Renditja në FIFA: Vendi 12-të

Slogani: Të kthehemi triumfues!