INTERVISTA/ Prof. Dr. Mehmet Spahiu: Në Rusi do të jetë Botërori i “gjahtarëve” të futbollit, do dëgjojmë për kontrata marramendëse

139

Nga Agron KAJA

Ja si vjen atmosfera e prag-Botërorit “Rusi 2018” nga një personalitet i futbollit, i cili këtë herë e ka Kampionatin e 14-të Botëror që sheh në jetën e tij

Jeni përfshirë edhe ju në atmosferën e prag-Botërorit “Rusi 2018”?

Në mënyrë sistematike marr informacion për ekipet, gjendjen e tyre në këtë hapësirë stërvitore. Por, nuk arrijmë të kuptojmë strategjitë që qëndrojnë brenda mureve të skuadrave. Gjithsesi, kështu jam bërë pjesë e emocioneve dhe pse një Botëror të kënaqshëm.

E mbani mend Botërorin e parë që keni ndjekur në jetën tuaj?

Po, ka qenë ai i vitit 1966 që u zhvillua në Angli. Luaja me të rinjtë e Dinamos, dhe në klub ishte vendosur një televizor që e administronte futbollisti i madh Iljaz Çeço, që atëherë flinte në zyrtar e klubit. Kujtoj si tani finalen Angli-Gjermani 4-2.

Këtë Kampionat Botëror që do të nisë së shpejti në Rusi, në çfarë këndvështrimi e shikoni?

E shoh me 32 skuadra pjesëmarrëse, të cilat i kanë ngushtuar shumë diferencat mes tyre, e ndoshta kjo më bën që të besoj se do të kemi edhe rezultate, të cilat mund t’i kemi menduar ndryshe. Por, në Rusi do të jetë edhe Botërori i “gjahtarëve” të futbollit, për kontrata marramendëse.

Po atmosferën mediatike e qytetare në këtë prag-Botëror, ju si e vlerësoni?

Në këto rrethana, mendoj se do të ketë edhe ekipe surprizë në këtë Botëror, por jo në studiot televizive. Sepse në to po shohim të flitet si në ambiente tifozësh, dhe me gjuhën e specialistit. Ndaj kjo atmosferë para Botërorit nuk ka sjellë ndonjë emocion të veçantë.

Ju, për cilën skuadër do të bëni tifo në këtë Botëror?

Unë jam “gjerman i vjetër” që në vitin 1966 kur pashë për herë të parë një Kampionat Botëror në ekranin e televizionit. Edhe një herë po e përmend atë emocion, pasi ajo finale Angli-Gjermani 4-2 më ka mbetur në kujtesë për më shumë se 50 vjet.

Mendoni ju se, mungesa e Italisë 4 herë Kampione e Botës, apo edhe e Holandës katër herë finaliste në Botërorë do të krijojë një boshllëk elitar?

Për mendimin tim, emrat e skuadrave të mëdha e risin nivelin dhe emocionin në një Kampionat Botëror. Të ishin edhe ato në këtë Botëror, do të ishte një veshje më e plotë për të gjitha skuadrat e tjera, por ndoshta është momenti që të mësohemi edhe pa to.

Do të përvijohen skuadrat gjysmëfinaliste që nga ndeshjet e para në tetë grupet?

Them se, rreth 80% e skuadrave që do të shkojnë deri në gjysmëfinale, do ta pasqyrojnë gjendjen e nivelin e tyre që në grupe. Gjithsesi, nuk mund të shmanget edhe ndonjë skuadër surprizë, që në çdo Kampionat Botëror të zhvilluar ka ndodhur.

Po fituesja e Kupës së Botës “Rusi 2018”, mendoni se do të dalë nga skuadrat e traditës si fituese në këtë event?

Besoj se deri në gjysmëfinale do të shohim skuadra të traditës, si Brazili, Gjermania, Argjentina, Spanja apo Franca. Por gjithmonë në të tilla parashikime, nuk mund të nënvleftësohen edhe skuadra të tjera që do të sjellin çudirat e radhës në këtë Botëror.

Finalet e këtij Kampionati Botëror, si keni menduar që t’i ndiqni?

Më shumë në familje, radha 1, karrigia 1. Por nuk e përjashtoj edhe ndonjë rast që emocionet e kënaqësinë e këtij Kampionati Botëror t’i kem në ndonjë ambient të zgjeruar familjar e shoqëror. Të gjitha mundësitë janë në këtë periudhë 1-mujore, rëndësi ka që do shohim futboll.

Çfarë do të këshillonit ju për një ndjekshmëri më të mirë të finaleve në këtë Botëror?

Në mediat shqiptare duhet të dominojë mendimi dhe opinioni i specialistit, duke pranuar nëpër studio edhe personalitete të fushave të ndryshme të jetës. Sepse të krijuarit e një fryme tifozllëku në studio, nuk jep kënaqësinë e duhur për ta ndjekur me emocion këtë Botëror.

Skuadrat i kanë ngushtuar shumë diferencat mes tyre, e ndoshta kjo më bën që të besoj, se do të kemi edhe rezultate, të cilat mund t’i kemi menduar ndryshe. Por, në Rusi do të jetë edhe Botërori i “gjahtarëve” të futbollit, për kontrata marramendëse

5 ditë

Nga starti i nisjes së ndeshjeve finale të Botërorit “Rusi 2018”, duhen edhe 5 ditë, ku në ora 17:00 do të luhet Rusi-Arabia Saudite

Gjermani dhe Kroacia marrin fitore të vuajtura, dje mbyllën miqësoret

Gjermania luajti miqësoren e fundit para startit të Kupës së Botës, ku në Leverkuzen mundi Arabinë Saudite 2-1. Një ndeshje shumë e lehtë në letër, por rezultati është paksa befasues.

Gjermanët dominuan, shënuan dy gola në pjesën e parë me Verner dhe një autogol të Hausavit në fundin e pjesës së parë. Në minutën e 84-t, Khedira dhuroi një penallti, që Ter Stegen e grushtoi, por Al-Jasim shënoi duke u treguar më i shpejtë se mbrojtësit gjermanë.

Në shtesë Gjermania ishte me fat, sepse Arabia Saudite humbi një rast të pabesueshëm në kundërsulm. Edhe Kroacia dje fitoi në miqësoren me Senegalin, ku në miqësoren e luajtur në Osijek, ishin miqtë ata të cilët befasuan vendasit, duke e bërë të vuajë skuadrën e Daliç. Senegalezët kaluan të parët në avantazh me anë të Ismaila Sarr, por pas 1 ore lojë, goditja e dënimit e gjuajtur nga Perisiç, u devijua nga muri i rivalëve dhe përfundoi në rrjetë.

Kur duheshin edhe 12 minuta lojë, Kramariç shënoi golin e fitores. Kroatët tashmë janë në pritje të ndeshjes me Nigerinë më 16 qershor, ora 21:00.

 

Skuadrat e Grupit D

ARGJENTINA

Themelimi: 21 shkurt 1893

Pjesëmarrje: 16 herë

Në gj/finale: 5 herë

Në finale: 5 herë

Fituese: 2 herë

President: Klaudio Tapia

Trajner: Horge Sampaoli

Ylli në ekip: Lionel Mesi

Renditja në FIFA: Vendi 5-të

Slogani: Të bashkuar për një ëndërr!

 

ISLANDA

Themelimi: Viti 1947

Pjesëmarrje: 1 herë

Botërori 2018

President: Godni Bergson

Trajner: Heimir Hallgrimson

Ylli në ekip: Gylfi Sigurson

Renditja në FIFA: Vendi 22-të

Slogani: Të bëjmë realitet ëndrrën tonë

 

KROACIA

Themelimi: 13 qershor 1912

Pjesëmarrje: 5 herë

Suksesi në gj/finale: 1 herë

President: Davor Shuker

Trajner: Zllatko Daliç

Ylli në ekip: Luka Modriç

Renditja në FIFA: Vendi 20-të

Slogani: Vend i vogël, ëndrra të mëdha

 

NIGERIA

Themelimi: 21 gusht 1933

Pjesëmarrje: 5 herë

Suksesi në gj/finale:

President: Amaju Pinik

Trajner: Gernot Rohr

Ylli në ekip: Xhon Obi Mikel

Renditja në FIFA: Vendi 48-të

Slogani: Krahët e krenarisë afrikane