INTERVISTA/ Peter Pakult: Kampionati dhe Kupa mbeten prioritete të Kukësit në këtë sezon

595
Nga Agron KAJA
Flet për “Telegraf” trajneri austriak i skuadrës Kampione në fuqi, barazimin me Laçin në Kupë e mendon favor
Nga ndeshja e parë gjysmëfinale e Kupës së Shqipërisë në Laç, keni deklaruar pakënaqësi për skuadrën tuaj, pse?
Sepse ne i kishim të gjitha mundësitë të merrnim fitoren në Laç, dhe që aty të hidhnim hapin e parë për kualifikim. Mendoj se ne nuk luajtëm shumë futboll, por fakti që nuk pësuam gol, vlen më shumë nga ajo ndeshje e barazuar 0-0 në Laç.

Pse Kukësi nuk luajti shumë futboll në Laç?
Sepse gabuam shumë në pasime dhe nuk dolëm shumë në lojën tonë. Unë formacionin nuk e ndërtova në raport me kundërshtarin, por me lojtarët më në formë për momentin, të cilët nuk ishin shumë perfektë, edhe pse ne na u anulua një gol.

Ju e quani barazimin më shumë favor për Kukësin, nuk i trembeni Laçit?
Ndeshja do të jetë e hapur për të dyja skuadrat, por në Kukës ne do të luftojmë më shumë se sa bëmë në Laç. Ndeshjet e Kupës kanë specifikë të veçantë, dhe unë e përsëris faktin që nuk pësuam gol në takimin e parë, që është një plus për ne në ndeshjen e kthimit.

Nga Laçi të mërkurën, shkoni në Kamzë të dielën për Kampionat, si e keni përgatitur këtë ndeshje?
Përgatitja jonë ka nisur si në të gjitha ndeshjet e tjera në Kategorinë Superiore, një ndeshje e radhës. Të gjitha kanë vlerën e tri pikëve, ndaj synimi ynë është maksimal. E dimë që Kamza i ka të nevojshme pikët, por për ne Kampionati dhe Kupa janë prioritet deri në fund të sezonit.

Kukësi ka dy mungesa titullarësh për transfertën në Kamzë, do t’ju pengojnë këto për të arritur synimin e tri pikëve?
Fjala “tremb” mua sikur nuk më shkon, për faktin se do të mungojnë dy futbollistë titullarë, sulmuesi Guri që është lojtari më në formë, dhe Imami që në ndeshjet e fundit ka treguar formë të mirë. Ne kemi potenciale në ekip, dhe kam besim te zëvendësuesit e tyre, se do ta ndihmojnë skuadrën për fitore.

Ju i mbeteni idesë, se në fazën e katërt mundet që edhe Kampionati të jetë një “ruletë” në favor të Kukësit?
Jo ruletë, këtë nuk mund ta pranoj. Janë 9 javë me 27 pikë brenda tyre, dhe në futboll gjithçka mund të ndodhë. Surprizat janë pjesë e lojës, dhe nëse ato do të jenë prezent, pse të mos besojmë në këtë ecuri shumë të mirë të skuadrës sonë. 

Cili trofe ka më pranë Kukësi, Kampionatin apo Kupën?
Unë mendoj se, edhe Kupën, por edhe Kampionatin, ne e kemi mundësi që t’i fitojmë. Ja u deklarova më sipër që i synojmë të dy trofetë e sezonit, dhe kjo nuk është utopi. Situata na favorizon që ne të tregojmë vlerat tona deri në mbyllje të Kampionatit e finalen e Kupës.
Surprizat janë pjesë e lojës, dhe nëse ato do të jenë prezent, pse të mos besojmë në këtë ecuri shumë të mirë të skuadrës sonë. Ndaj unë mendoj se, edhe Kupën, por edhe Kampionatin, kemi mundësi që ti fitojmë 
Ndeshjet-Java e 28-të
Të shtunën, 7 prill 2018 
Vllaznia-Lushnja 14:00
Luftëtari-Teuta 14:00
Të dielën, 8 prill 2018 
Kamza-Kukësi 14:00
Laçi-Partizani 14:00
Të hënën, 9 prill 2018 
Flamurtari-Skënderbe.17:00

RENDITJA
Skuadrat Nd P
1. Skënderbeu 27 60
2. Kukësi 27 48
3. Laçi 27 42
4. Partizani 27 42
5. Luftëtari 27 40
6. Flamurtari 27 37
7. Kamza 27 34
8. Vllaznia 27 30
9. Teuta 27 29
10. Lushnja 27 10
Kupa e Shqipërisë
Gjysmëfinalet 
Takimet e para
Datë 4 prill 2018
Laçi-Kukësi 0-0
Skënderbe-Flamurtari 0-1
Takimet e kthimit
Datë 18 prill 2018
Kukësi-Laçi
Flamurtari-Skënderbeu
Sigal