Intervista për “Telegraf”/ Agustin Kola: Futbolli po ecën paralel me politikën e gënjeshtërt

943
INTERVISTA/ Ja si e analizon Kategorinë Superiore syri kritik i ish-futbollistit të 17 Nëntorit dhe Kombëtares

AGUSTIN KOLA

Futbolli po ecën paralel me politikën e gënjeshtërt
Nga Agron KAJA
Cili është këndvështrimi juaj për situatën aktuale në futbollin e Kategorisë Superiore shqiptare?
Nga mediat, kam parë e lexuar se ka rritje, ka ndryshime dhe shumë gjëra të tjera, të cilat për mua janë vetëm gënjeshtra. Unë realitetin e shoh ndryshe, jo kështu, dhe më vjen keq që gjërat nuk thuhen e shkruhen ashtu sikundër janë në realitet.

Cili është sipas jush ky realitet?
Marrim fillimisht merkaton. Thuhet se iku ky lojtar dhe erdhi ai tjetri, por të gjithë përzihen sa në një skuadër në tjetrën, dhe e vërteta në fund del ndryshe. Nga ana tjetër, një lojtar i Partizanit blihet për 20 mijë euro në muaj, kaq sa e kanë buxhetin mujor skuadrat. Është e vërtetë kjo?

Po stërvitshmëria e këtyre skuadrave, si zhvillohet në këtë periudhë?
Me sa shikoj, stërvitja e tyre nuk i shërben shumë cilësisë. Unë sot jam 58 vjeç dhe nuk më del 2 orë stërvitje në ditë, skuadrat e Superiores me 1-2 orë në ditë, kërkojnë të bëjnë futboll cilësor. Për mendimin tim, këta nuk bëjnë sport, këta kalojnë kohën në starvitje.

Ju thatë më sipër, se nuk ju dalin 2 orë stërvitje, po në kohën tuaj, si ishte stërvitshmëria e Kategorisë së Parë atëhere?
Unë atë sistem diktatorial nuk e kam dashur dhe nuk e dua kurrë, por ai sportin e fillonte që me gjimnastikën e mëngjesit, që këtë sot sportistët e fillojnë nga kafenetë. Në kohën time, një futbollist, bënte maksimalisht 4-5orë stërvitje në ditë, por stërvitje ama, jo kalim kohe në fushë. Nga kjo mangësi, shumica e futbollistëve nuk vrapojnë, por shetisin fanelat gjatë stërvitjes dhe ndeshjeve.

Duke ju kundërshtuar, pse ta quani të tillë starvtshmërinë e Skënderbeut e Partizanit, apo edhe të ndonjë skuadre tjetër?
Unë flas konkretisht, jo teorikisht. Skënderbeu me Takajn ka filluar të bëjë futboll, sepse më parë bënte më shumë politikë, e po kështu bën Partizani. Presidenti i Skënderbeut ka fituar me meritë gjithçka te skuadra korçare, dhe këtë unë e vlerësoj se po bën diçka për futbollin, ndërsa te skuadrat e tjera, si politika dhe futbolli, më shumë gënjeshtra.

Kategoria Superiore është në shkallën e profesionistit, ju pse e përshkruani atë as edhe amatore?
Nuk e përshkruaj unë, kështu është realiteti. Sepse në Shqipëri nuk ka futboll profesionist, këtë ta harrojnë të gjithë ata që e shprehin, dhe ata që e besojnë. Te ne futbolli më shumë i shërben politikës, që tek ne ka vite që është e gënjeshtër, dhe ecën paralele me të. Tani më thoni ju mua: Kujt i shërben ky futboll që luhet për deputetë, ministra e kryetarë bashkie?

Duke qëndruar këtu, janë disa skuadra të Superiores që financohen nga bashkitë, si ju duket ky handikap?
Ju po e thoni vetë që është handikap. Për mua është e paimagjinueshme që sot, të pretendojmë se kemi futboll profesionist, por që komandohet nga politika qëndrore e bashkiake. Me aq buxhet sa i jepet sportit, e në veçanti futbollit, sportistët vetëm ajër duhet të marrin. Sepse sot sport janë gënjeshtrat, janë pedonalet, chek-up-et e vjedhje jashtë imagjinatës, ndërsa sportit, e në veçanti futbollit, në të tilla forma, vetëm thërrimet i tepërojnë.

Po FSHF-ja, çfarë roli ka në këtë situatë që ju po e përshkruani kaq gri?
Hë (qesh), FSHF-ja e tregoi veten dhe punën e saj duke e çuar Shqipërinë në Kampionatin Europian, ndërsa kjo politikë që gënjen, qëndron në futboll me ato kthetrat e zeza që vepron totalisht kundër me federatën. Ka ardhur koha që, FSHF-ja të marrë më shumë gjëra përsipër për futbollin, pasi vetëm ajo po punon për futboll, të tjerët gënjejnë.

Duke qëndruar pak te trajnerët, si është roli i tyre në futbollin e sotëm Superior?
Trajnerët sot rrotullohen sa në një skuadër në tjetrën. Diku e zbresin një skuadër nga kategoria, diku dalin kampion, divorcohen shpejt apo janë figurantë të presidentëve, më së shumti ky është roli i tyre sot. Më shumë janë bërë vegla të presidentëve dhe të kryetarëve të bashkive, se sa të jenë zotër të bankinës.

Krahasimisht, gjatë bisedës përmendët edhe artin, pse ky përafrimim me futbollin?
Sepse kemi dëgjuar këngë që e kanë b….n të mirë, ndërsa në sport e në futboll po shohim e po dëgjojmë Presidentë, trajnerë e futbollistë që thonë se kanë futbollin më të mirë! Nëse më kuptoni, ky është përafrimi i artit (këngës në veçanti) me futbollin këtu në Shqipëri. 

Përfundimisht, në këtë këndvështrim tuajin, juve jeni skeptik për situatën në Kategorinë Superiore?
Unë jam realist për çka ju deklarova në këtë bisedë, nuk e quaj skeptiçizëm dënimin e gënjeshtrës. Unë flas kështu se futbollin e kam pasion si profesionist, dhe nëse të gjithë ata që merren me këtë sport do të vendosnin pasionin të parin, futbolli do të kishte shumë rritje cilësore, dhe financat e tyre do të ishin më të mira.
Sigal