Sigal

Nga Agron KAJA

Si e shikoni situatën e skuadrave të Kategorisë Superiore në këtë periudhë?

Aktualisht, në Kategorinë Superiore kemi dy grupe skuadrash. Një që po merr pjesë në ndeshjet në Europë, dhe grupi tjetër që po përgatitet për garën e sezonit të ri. Në të dy këto grupe situatat ndryshojnë, por e rëndësishme është që të gjitha skuadrat janë në përgatitje e sipër.

Në grupin e skuadrave që po luajnë në Europë, cilën veçoni si më aktive?

Natyrisht që Kukësi është skuadra që bën të veçantën në këtë periudhë, sepse ka bërë merkato me futbollistë, ka larguar një trajner e ka vendosur një tjetër, ka kaluar edhe një tur në Ligën e Kampioneve. Të tjerat, veç Laçit, si hynë, ashtu edhe dolën nga Europa Ligë.

Sa aktive janë skuadrat në merkato, në atë reale jo në merkaton virtuale me thashetheme?

Duke qenë se niveli i Kategorisë Superiore është në rritje, edhe merkatua e skuadrave ka qenë e tillë. Por, në këtë aspekt, për skuadrat që nuk luajnë në Europë, merkatua është e vonuar, dhe efektet e saj do të ndjehen shumë shpejt prej tyre, ndoshta që në fazën e parë.

Nisur nga këto përgatitje dhe merkato, cilat skuadra i shikoni si më superiore në këtë sezon të ri?

Mendoj se është shpejt për të përcaktuar formën e skuadrave për gjithë sezonin, por gjithmonë në respekt të aktualitetit të tyre, favorit më shumë shikoj Kukësin, më pak Skënderbeun, Tiranën, Laçin e Teutën. Ndërsa Partizani është pak i vonuar nga të tjerat.

Nuk përmendët Luftëtarin, Flamurtarin e ndonjë skuadër tjetër, pse?

Pa asnjë qëllim të keq. Për Luftëtarin do të thoja se me largimin e Likës nga bankina, nuk ka sjellë progres në skuadër, ndërsa Flamurtari duket se po “shkundet” për mirë në këtë sezon. Të tjerat nuk i përmenda, sepse nuk shoh ndonjë ndryshim pozitiv për ti veçuar.

Rikthimi i Tiranës në Superiore, ka risjellë “derbin” tradicional të kryeqytetit, Tirana-Partizani, sa do të ndikojë kjo në ecurinë e tyre?

Së pari, mendoj se rikthimi i Tiranës në Kategorinë Superiore, është rikthim i vlerave të futbollit tonë. Ndeshjet “derbi” mes tyre gjithmonë kanë prodhuar emocione, lojë dhe gola, por edhe talente të mëdhenj. Mendoj se do të jetë një nga pjesët më të bukura të këtij kampionati.

Në këto përgatitje për sezonin e ri që nis më 19 gusht, pse duhet të largoheshin të gjithë trajnerët e sezonit të kaluar?

Ka një paradoks në futbollin shqiptar. Futbollistët janë më të mbrojtur se sa trajnerët, si në paga, ashtu edhe në kontratat që nënshkruajnë. Dhe preferencat që kanë presidentët e skuadrave për trajnerët e huaj anonimë, e bëjnë edhe më informale situatën e bankinave në Superiore.

Po terrenet, duhet të përmirësohen për një garë me ecuri më të mirë?

Në fakt, me terrenet çojnë shumë skuadra në Superiore. Rëndësi kanë terrenet stërvitore, sepse aty është mangësia më e madhe, e cila sjell edhe degradimin e fushave në stadiume. Këtë sezon, të gjitha skuadrat duhet të mendojnë më seriozisht, në shërbim të cilësisë.

Trajnerët e ndryshuar 2018-2019

Skuadrat        Ishte                Vjen

Skënderbeu     I. Daja             O. Shehi

Kukësi             P. Pakult          A. Cungu

Luftëtari          H. Lika            M. Kostiç

Laçi                 G. Mezani       B. Prenga

Partizani          K. Dalipi         S. Gega

Kamza             P.Vierkovud    B. Devolli

Flamurtari        A. Behari         I. Daja

Teuta               G. Begeja        B. Shkëmbi

Tirana              Ze Maria          –

Kastrioti          S. Nikaj           E. Plori