INTERVISTA/ Ndue Lala: Besëlidhja më dhimbset, ndaj e dua në Superiore

761
Sigal

INTERVISTA/ Ja si vjen në “Telegraf” 85-vjeçari lezhjan, i cili ka
70 vjet që e ndjek skuadrën e futbollit nga shkallët e stadiumit

Nga Preng GJIKOLA

 

Sa vite
ka Ndoi që e ndjek Besëlidhjen nga shkallët e stadiumit?

Unë sot jam 85 vjeç, dhe që në moshën 15 vjeçare e kam
ndjekur Besëlidhjen, së pari në fushën e sajë që ka qenë afër sheshit të sotëm administrativ
të qytetit dhe më pas nga shkallët e stadiumit. Unë mbaj mend ta kem ndjekur që
kur Besëlidhja e sotme quhej “Bardhyl”, emër që ishte themeluar dhe marrë pjesë
nëpër kampionatet kombëtare deri në vitin 1949 kur ju ndërrua përsëri.

Cili nga
trajnerët e shumtë të Besëlidhjes në këto 70 vite ju ka mbetur në kujtesë?

Skuadrën lezhjane të futbollit e kanë drejtuar shumë, por
në memorien time ka mbetur shkodrani Cuf Pelingu, i cili e ka drejtuar
Besëlidhjen për një kohë të gjatë dhe ka pasur suksese të mëdha për atë kohë.
Ai ishte një nga trajnerët e pakët shumë profesionist.

Po nga
futbollistët ndër breza, cilët ju kanë mbetur më shumë në kujtesë?

Janë shumë, por unë po përmend disa prej tyre si, R.
Rama, A. Kraja, N. Lorenci, Sh. Xhabiri, M. Dibra, Gj. Voka, P. Deda, Gj.
Filipi, V. Bici, Xh. Gruda, F. Rama, S. Kaçaj, B. Kola, ku këta të fundit kanë
qenë futbollistë të shquar edhe të Kombëtares sonë. Ndërsa nga futbollistët jo
lezhjanë, përmend Sh. Gruda, V. Kodheli, A. Meta, Gj. Ndoja, S. Pelingu, H.
Skënderi, B. Omuri, Xh. Farruku, etj, etj.

Ju e
ndiqnit Besëlidhjen vetëm në ditët e ndeshjeve qofshin edhe miqësore apo edhe
në stërvitje?

Unë Besëlidhjen e kam ndjekur gjithkund, në ndeshjet
zyrtare po se po, si brenda ashtu edhe në transfertë. Në ndeshjet miqësore dhe
çdo ditë në stërvitje, rrallë se kam munguar, vetëm për shkaqe shëndetësore ose
pune.

Si ka
evoluar Besëlidhja në këto 70 vite që ju e keni ndjekur nga afër?

Unë mbaj mend në vitet ‘50-të, skuadra lezhjane ka pasur
dy pjesëmarrje në Superiore, ndërsa në 
vitet ‘70-të, Besëlidhja ka qenë 5 herë pjesëmarrëse në Kategorinë e
Parë, sot Kategoria Superiore. Gjatë kësaj periudhe ka pasur ulje e ngjitje e
veta, por me rënien e saj nga Superliga në vitin 2008, po luan sezonin e 10-të
radhazi në Kategorinë e Parë, pra një rekord që është për të ardhur keq!

Deri kur
mendoni se do ta ndiqni Besëlidhjen nga shkallët e stadiumit?

Deri sa të kem këmbë e duar për të lëvizur, sy për ta
parë dhe mend për të gjykuar. Shpresoj t’ia arrij ditës që ta shoh Besëlidhjen
në Superligë dhe, nëse gjatë këtij sezoni nuk do të ngjitet atje, do të mbetesha
i zhgënjyer.


fundmi, keni një apel për Besëlidhjen aktuale?

Për mua, Besëlidhja mbetet argëtimi kryesor me të cilin
kam kaluar plot 70 vite të jetës sime, ndaj dhe më dhimbset. Apeli im është, që
për futbollin në përgjithësi dhe për Besëlidhjen në veçanti, të ketë më shumë vëmendje,
si nga shteti për përmirësimin e kushteve në stadium edhe nga Bashkia për ta
menaxhuar më mirë, por edhe nga komuniteti i biznesit për të investuar.

70 vite

Kjo është periudha që 85-vjeçari Ndue Lala e ndjek nga
shkallët e stadiumit ekipin e tij të zemrës, Besëlidhjen