INTERVISTA/ Klodian Duro: Kamza ka kualitete në skuadër, por i duhet të shënojë më shumë

515
Sigal

Nga Agron KAJA

Flet për “Telegraf” trajneri i kamzalinjve, debutoi me fitore që në sfidën e tij të parë në Kampionat

Fitore që në ndeshjen e parë në bankinën e Kamzës, si ndjeheni në këtë start?

Natyrisht që kjo fitore është një ndjesi shumë e mirë, jo vetëm se skuadra u rikthye te fitorja, por edhe pse ka reaguar shumë mirë në treguesit më kryesorë të lojës. Të gjitha ndeshjet në Superiore janë të forta, unë nuk bëj dallim për asnjë kundërshtar.

Ju si trajner jeni i kënaqur në tërësi me skuadrën, apo tri pikët e mbyllin çdo kritikë?

Jo, nuk është ashtu. Çdo fitore ka brenda anët pozitive të saj që dominojnë, por ka edhe mangësi. Asnjëherë nuk ka perfeksion, kështu do të gaboja nëse do ta thosha këtë fjalë. Unë e përsëris, se jam i kënaqur që e nisëm me këmbën e mbarë në Kupë dhe Kampionat.

Në këtë hapësirë një-javore në stolin e Kamzës, çfarë keni ndryshuar te kjo skuadër?

Për mua kryesore është se kam gjetur te skuadra një dëshirë për të punuar, ashtu siç e mendoj unë futbollin. Futbollistët kanë dhënë gjithçka, pasi unë mund të zhvilloj më shumë taktika, por në fund ata janë interpretuesit në fushë. Fitorja me Kastriotin ka shumë vlera.

Ju e morët drejtimin e Kamzës pas javës së tretë, si e gjetët skuadrën në këtë periudhë?

Them se jam me fat që gjeta një ekip të mirë organizuar, si në instancat e klubit, ashtu edhe te futbollistët, të cilët për mua janë të duhurit për të shprehur idetë që unë kam për futbollin. Skuadra është në rritje, dhe gjërat do të vijnë duke punuar, jo se erdhi Duro.

Çfarë mendoni se duhet të rregulloni për të arritur objektivat si skuadër?

Natyrisht që kemi ende për të rregulluar, por në fitoren me Kastriotin ne hodhëm hapin e parë, dhe tani do shohim për hapat e tjerë, sepse na duhet më shumë përqendrim. Do doja që skuadra ta shijonte këtë fitore, por jam i bindur se do të bëjmë gjëra të bukura në këtë sezon.

Mendoni se Kamza ka nevojë për përforcime të reja në merkaton e janarit?

Skuadra mendoj se ende nuk është shprehur në vlerat e plota të saj, ndaj duhen edhe disa javë për ta parë harmonizimin e plotë të saj në lojë. Deri në merkaton e muajit janar, besoj se do të jemi kështu, por edhe atëherë nuk është se do të rregullojmë shumë gjëra.

Keni një dyshe me eksperiencë në sulm, Plaku-Martinena, pse Kamza nuk del me në rrugën e golit?

Të dy janë sulmues që e njohin golin, dhe ata plotësojnë mirë njëri-tjetrin. Por unë si trajner do isha shumë i kënaqur nëse do shënonin të dy, pasi ndaj Kastriotit i patën mundësitë. Në takimet e radhës, besoj se edhe Martinena do jetë në listën e golashënuesve te skuadra e Kamzës.

Cilët janë objektivat e Kamzës në këtë sezon, kanë ndryshuar me ardhjen tuaj në bankinë?

Kategoria Superiore është një kampionat i vështirë, dhe na pëlqen që objektivat tona ti shohim ndeshje pas ndeshje. Na duhet që në vazhdimësi të jemi më të plotë dhe të sigurt në ndeshjet tona. Në karrierë jam mësuar që të fitoj, këtë dua ta bëj edhe këtu te Kamza.