INTERVISTA/ Klevis Dalipi: Në Kamzë kemi një sfidë të vështirë, por Partizani synon vetëm fitoren

497
Nga Agron KAJA
Rikthehet Superiorja, të dielën Partizani është “mysafir” në Kamzë, ja si e vlerëson trajneri i të kuqve transfertën e javës së 27-të
Sa ju ka shërbyer hapësira dyjavore pa ndeshje zyrtare në Kampionat?
Për Partizanin, kjo ndërprerje erdhi pas dy fitoreve, e në një farë mënyre, jemi duke e pritur me emocion rifillimin. Njëherësh, kjo ndërprerje na mundësoi më shumë kohë për rikuperimin e disa futbollistëve që ishin të dëmtuar, si Telushi e Fejzullahi, por edhe për disa të tjerë që kishin nevojë për këtë ndërprerje.

Gjatë kësaj periudhe ju luajtët edhe një ndeshje me Partizanin B, cili është përfundimi për skuadrën tuaj?
Nga kjo ndeshje, unë si trajner morra mendime shumë pozitive për skuadrën në tërësi, sepse të gjithë lojtarët që u aktivizuan, treguan formë shumë të mirë gjatë lojës. Madje edhe për ata futbollistë që kanë qenë të dëmtuar, apo edhe në formë jo të plotë gjatë javëve të kaluara.

Në këndvështrimin tuaj teknik, si është gjendja e Partizanit sot?
Partizani ka 22 lojtarë në dispozicion, dhe në përzgjedhje është e vështirë për të përcaktuar titullarët, sepse të gjithë janë të gatshëm dhe gëzojnë formë shumë të mirë. Në miqësoren me Partizanin B, Çani, Telushi, Fejzullahi, Abdurramani e Sulejmani treguan përmirësim. Deri të dielën besoj se do të rikuperohen të gjithë.

Të dielën, Partizani luan në transfertë ndaj Kamzës, cili është synimi juaj për këtë sfidë?
Natyrisht që kjo është një transfertë e vështirë për ne, pasi edhe Kamza i ka shumë jetike pikët. Është një ndeshje ku do të na duhet maksimumi për të arritur synimin tonë, tri pikët. Ne vetëm me këtë objektiv do të hyjmë në fushë, dhe kemi besimin se grupi është në gjendje që ta arrijë këtë synim.

Cilët janë emrat, që ju i quani më të mundshëm të rikthehen në ndeshjen ndaj Kamzës të dielën?
Unë ja u përshkrova më sipër situatën në skuadrën e Partizanit, ku këtë javë presim disa rikthime titullarësh. Vetëm për mesfushën kam ndonjë dilemë, pasi për një titullar më duhet të zgjedh mes tre lojtarëve. Kulum ka treguar formë të mirë dhe do të jetë i gatshëm në Kamzë, ndërsa Çani ka treguar se është në gjendje të luajë 90 minuta në këtë takim.

Pas Kamzës, në kalendar Partizani ka edhe dy transferta, në Laç dhe në Kukës, i keni parashikuar vështirësitë për ti kaluar pozitivisht këto sfida?
Natyrisht që janë ndeshje të vështira, por duke qenë se kemi përpara këtë transfertë në Kamzë, psikologjikisht nuk mund të ngarkohemi me ndeshjet pasardhëse. Të gjitha ndeshjet do të kenë vlerësimin tonë maksimal, deri në mbylljen e këtij Kampionati, pa nënvleftësuar, apo pa mbivlerësuar asnjërën prej skuadrave.

Kjo është ndeshja e fundit e fazës së tretë, si e përmblidhni situatën te Partizani?
Unë mendoj se faza e tretë ka qenë një reflektim shumë pozitiv për Partizanin, ndërsa për një përfundim më të plotë, besoj se duhet të mbyllim ndeshjen e javës së 27-të me Kamzën. 
Kjo është një transfertë e vështirë për ne, pasi edhe Kamza i ka shumë jetike pikët. Është një ndeshje ku do të na duhet maksimumi për të arritur synimin tonë, tri pikët. Ne vetëm me këtë objektiv do të hyjmë në fushë, dhe kemi besimin se grupi është në gjendje që ta arrijë këtë synim
Ndeshjet-java e 27-të
E shtunë, 31 mars 2018 
Teuta-Laçi 14:00
Vllaznia-Skënderbeu 17:00
Flamurtari-Kukësi 17:00
E dielë, 1 prill 2018
Luftëtari-Lushnja 14:00
Kamza-Partizani 14:00

RENDITJA
Skuadrat Nd P
1. Skënderbeu 26 60
3. Kukësi 26 45
5. Laçi 26 42
6. Partizani 26 39
7. Luftëtari 26 37
2. Flamurtari 26 37
4. Kamza 26 34
8. Vllaznia 26 27
9. Teuta 26 26
10. Lushnja 26 10
Sigal