INTERVISTA/ Kastriot Hysi: Nuk bëhet futboll me “lepura”, por edhe infrastruktura sot është shumë e dobët

3015
Sigal

Nga Agron KAJA

Flet për “Telegraf” ish-mbrojtësi i Labinotit, Partizanit dhe i Kombëtares, ja si e analizon situatën në Superiore, Partizanin dje dhe sot

Sot quheni një ish-futbollist i Partizanit dhe i Kombëtares, cila është jeta juaj private?

Ndoshta do çuditeni, por unë sot jam pensionist i parakohshëm, dhe kjo falë kontributit që kam dhënë te Partizani. Jeta ime sot është jashtë futbollit, sepse ata që e kanë Partizanin aktualisht, nuk kujtohen, as për një biletë në stadium dhe, jo më të na respektojnë për çka i kemi dhënë kësaj skuadre të madhe.

Duke qenë një pensionist i parakohshëm, nuk e gjeni kohën të jeni më pranë futbollit?

Unë shoh futboll në çdo kohë, por në stadium kam shkuar pas 20 viteve. Isha në finalen e Kategorisë së Parë, Tirana-Kastrioti, dhe me nivelin që kishin këto dy skuadra, më krijuan mendimin se Superiorja nuk do të presë shumë prej tyre. Uroj të ndryshojnë gjatë merkatos.

Po Partizanin, si e shikoni në paraqitjet e tij gjatë këtij sezoni që po mbyllim?

E kam parë në ndeshjen me Teutën në javën e 32-të, ku humbi në “Selman Stërmasi” 1-3. Ka qenë një skuadër që e nisi me ambicie, por gjatë garës ka gabuar në disa tregues, dhe sot e ka të vështirë një vend në zonën e Evropës. Nuk bëhet futboll me “lepura”, duhet forcë e trup i përgatitur.

Po skuadrat që renditen në vendet e kreut, mendoni se janë shprehur më mirë se Partizani e skuadrat e tjera?

Natyrisht që për skuadrën e kreut po, por nuk mund të them se skuadrat e tjera kanë qenë më mirë se Partizani. Duke përjashtuar Skënderbeun që bën futboll, të tjerat kanë treguar nivel të ulët për këtë kategori, që sot quhet Superiore. Kështu edhe skuadrat e mesit e fundit të renditjes.

Zona e mbijetesës në renditjen e 34 javëve, e ka futur më shumë në valle Vllazninë, apo duhet të presim dy javët e tjera?

Më vjen keq për Vllazninë që është katandisur kaq keq, madje këtë situatë ajo ka dy sezone që e përjeton. Diçka aty nuk funksionon mirë, ndoshta në menaxhimin e skuadrës, apo edhe në trajnimin e tyre. Në këto dy javë, vetëm surprizat mund ta mbajnë Vllazninë në Superiore.

Si i përshkruani arbitrimet në këto 34 javë, të mira, normale, apo të dobëta?

Edhe arbitrat kanë treguar nivel të dobët në gjykimet e tyre, e këtu kam të drejtën të them se kanë shkuar baras me nivelin që kanë treguar skuadrat. Në disa ndeshje kanë dhënë penallti e faulle të kotë, por duhet të mendojnë se skuadrat derdhin djersë e gjak në fushë.

Në Superioren me 10 skuadra, e kemi këtu në Shqipëri infrastrukturën e duhur për këtë kategori?

Realisht, infrastruktura e stadiumeve të skuadrave që luajnë në Kategorinë Superiore është e dobët. Edhe ato dy stadiume që u ndërtuan në Shkodër dhe Elbasan, nuk janë vënë në funksion të ndeshjeve. Mendoj se duhen më shumë investime, sepse është një tregues themelor për cilësinë.

Nesër (sot) luhen ndeshjet e javës së 34-t, keni ndonjë parashikim për to?

Nuk janë të gjitha të forta, apo të rëndësishme. Vëmendje mendoj se do të ketë sfida Kamza-Laçi që do përcaktojë shumë mbijetesën, ndërsa në Vlorë, Partizani është pranë dhe larg zonës në Evropë. Për ndeshjet e tjera, kalendari favorizon skuadrat pritëse.

 

Partizani e nisi sezonin me ambicie, por gjatë garës ka gabuar në disa tregues, dhe sot e ka të vështirë një vend në zonën e Evropës. Nuk bëhet futboll me “lepura”, duhet forcë e trup i përgatitur që të kërkosh titullin apo Evropën

Ndeshjet-Java e 35-të

Të shtunën, 19 maj 2018

Flamurtari-Partizani    17:00

Vllaznia-Kukësi          17:00

Luftëtari-Skënderbeu  17:00

Teuta-Lushnja             17:00

Kamza-Laçi                 17:00

RENDITJA

Skuadrat        Nd       P

  1. Skënderbeu 34 72
  2. Kukësi 34 62
  3. Luftëtari 34 53
  4. Laçi 34 50
  5. Partizani 34 50
  6. Flamurtari 34 45
  7. Kamza 34 43
  8. Teuta 34 43
  9. Vllaznia 34 38
  10. Lushnja 34 11