INTERVISTA/ Hysen Zmijani: Panuçi po tregohet modern në menaxhimin e Kombëtares, De Biazi ishte talent për Shqipërinë

721
Nga Agron KAJA
Flet për “Telegraf” ish-futbollisti i Vllaznisë dhe i Kombëtares, vlerëson lëvizjet e fundit të trajnerit kuqezi
Superiorja do të ndërpritet për shkak të miqësores së Kombëtares sonë me Norvegjinë, është normal ky rast?
E nevojshme nuk është, sepse do të ishte më mirë që Kategoria Superiore të kishte vazhdimësi. Një shtyrje dy apo tri-ditëshe është, mund ta largojë paksa adrenalinën e Kampionatit, por gjithsesi, profesionizmi i ka të tilla situata në ecurinë e garës.

Nga Kampionati shqiptar janë grumbulluar vetëm tre futbollistë për këtë miqësore, ndërsa janë larguar disa “veteranë”, është kjo një formë largimi për ta?
Unë mendoj se kjo që po bën Panuçi me të vjetrit, është një punë e mirë nëse mendojmë një të ardhme. Sepse tani është mundësia logjike që ai të provojë lojtarë të rinj, sikundër bëri edhe në miqësoren e fundit me Turqinë. Këtë e kanë të qartë të gjithë lojtarët me moshë të vjetër.

Për të qenë më konkretë, Agolli ruan një formë të mirë në fushë, edhe pse është 36 vjeç, pse ai duhet të largohet kështu?
Edhe Agolli këtë e ka të qartë. Nuk është as i pari, dhe as i fundit futbollist që luan në Kombëtare dhe do të largohet prej saj edhe prej moshës. Unë kam një eksperiencë në futbollin jashtë Shqipërisë, pasi trajnerët vendosin vetë për zgjedhjet që bëjnë.

Nga miqësorja e fundit me Turqinë kanë kaluar disa muaj, ishte kjo një hapësirë e gjatë pa u mbledhur Kombëtarja?
Janë shumë gjëra në këtë hapësirë që kanë ndikuar për mos u mbledhur kombëtarja. Natyrisht që në muajt e parë të çdo viti dominojnë kampionatet, Liga e Kampioneve dhe Evropa Ligë, nga ku nuk mund të gjesh data të lira për Kombëtaren. Ky është një grumbullim që i shërben skuadrës për të mbajtur në nivele normale harmoninë në fushë e jashtë saj.

Sa ekziston mundësia, që Panuçi në miqësoren me Norvegjinë të testojë edhe tre prurjet e reja?
Rregullorja e lejon që, në ndeshje miqësore aktivizohen edhe pesë apo gjashtë rezerva. Për repartet e tjera nuk do të ketë probleme, por mbrojtja ka lënë boshllëk. Sepse ka ikur Cana, po ikën edhe Agolli, të cilët për Panuçin janë bërë dhimbje koke që kur e mori drejtimin e Kombëtares.

Ju mendoni se Panuçi ka bërë zgjedhjet më të mira për këtë miqësore, edhe për të plotësuar emrat e mësipërm?
De Biazi ishte talent për Shqipërinë, por ai nuk ishte shumë i hapur në lojë se deri ku mund të shkonte. Panuçi është më shumë modern, rrezikon shumë për spektaklin dhe lojën e mirë. Me sa e shoh, deri në ndeshjet eliminatore të Evropianit dhe Ligës së Kombeve, i ka të gjitha hapësirat që të provojë elementë të tjerë.

Deri në shtator që fillojnë ndeshjet eliminatore, çfarë mendoni se do të ndryshojë Panuçi në lojën e Kombëtares sonë?
Ndryshime të mëdha ai nuk ka mundësi të bëjë, por që do të ketë ndryshime, këtë e shohim kryesisht nga lista e futbollistëve që ka grumbulluar. Panuçi do të provojë një formacion më sulmues, dhe gjatë miqësores me Norvegjinë besoj se do të kenë shans edhe të rinj.
Rregullorja e lejon që, në një ndeshje miqësore aktivizohen edhe pesë apo gjashtë rezerva. Për repartet e tjera nuk do të ketë probleme, por mbrojtja ka lënë boshllëk. Sepse ka ikur Cana, po ikën edhe Agolli, të cilët për Panuçin janë bërë dhimbje koke që kur e mori drejtimin e Kombëtares
SHQIPËRI-NORVEGJI
Përballjet direkte
Eliminatore Evropiani 1998
Datë 14 tetor 1998 
Norvegji-Shqipëri 2-2
Datë 5 qershor 1999 
Shqipëri-Norvegji 1-2
Eliminatore Botërori 2014
Datë 22 mars 2013
Norvegji-Shqipëri 0-1
Datë 7 qershor 2013
Shqipëri-Norvegji 1-1

BILANCI
Nd 4, F 1, B 2, H 1, G 5:5
Sigal