INTERVISTA/ Hysen Zmijani: Keqardhje kur dy skuadra të mëdha diskutojnë mbijetesën, Vllaznia e Teuta nuk e meritojnë

556
Nga Agron KAJA
Flet për “Telegraf” ish-mbrojtësi i Vllaznisë dhe i Kombëtares, ja përshkrimi i tij për situatën e skuadrave në 29 javë
Të enjten u përcaktuan dy skuadrat finaliste të Kupës së Shqipërisë, si e shikoni në finale çiftin Laçi-Skënderbeu?
Dy gjysmëfinalet, realisht dolën ndryshe nga se ishin pritshmëritë, por edhe kështu, çifti finalist i Kupës së Shqipërisë Skënderbeu-Laçi, do të jetë shumë interesant. Sepse skuadra korçare gëzon një formë shumë të mirë, ndërsa Laçi është bërë specialist i Kupës në 10 sezonet e fundit.

Nga Kupa te Kampionati, jemi në 7 ndeshjet e fundit, si e përcaktoni këtë periudhë të mbetur?
Kategoria Superiore tashmë është në pikun e saj, në periudhën më të vështirë. Në këto 7 ndeshjet që kanë mbetur, është mundësia që të “skaliten” synimet e çdo skuadre për sezonin 2017-2018. Në 35 ndeshjet që do të luhen, do të shohim ndeshje e rezultate surprizë, por të mos presim për ndeshje të bukura.

Si e përshkruani situatën në renditjen e skuadrave për 29 javët e luajtura?
Një renditje ku skuadrat janë aty për atë që kanë dhënë në fushën e lojës. Ndoshta Partizani, Flamurtari e Vllaznia, duhet të kishin një renditje më të mirë nga ajo ku janë aktualisht, por që në javët në vazhdim, ndryshimet do të jenë prezent.

Duke qenë një ish-futbollist i Vllaznisë, si e shikoni skuadrën tuaj të zemrës, dhe të tjerat që luftojnë për mbijetesë?
Nisur nga renditja, llogaritë mbeten të hapura për të gjitha skuadrat, por duke përjashtuar në këtë “lojë” dy ekstremet e renditjes: Skënderbeun e Lushnjen. Vllaznia nuk është në renditje të mirë, dhe kjo do ta bëjë që të vuajë deri në fund, e po kështu Kamza me Teutën.

Si e parashikoni rrezikshmërinë e rënies nga Superiorja për të tria këto skuadra?
Të tria janë të rrezikuara, por Vllaznia e ka më evident rrezikun dhe ai do ta shoqërojë deri në ndeshjen e fundit. Duke qenë se mes të triave: Kamza-Teuta-Vllaznia, diferenca është me 1 pikë, në Superiore do të qëndrojë ajo skuadër që do të gabojë më pak jashtë fushe, dhe që do ti fitojë të gjitha ndeshjet në fushën e saj.

Në veçanti për Vllazninë, çfarë mendoni se duhet të ndryshojë që të arrijë synimin për mbijetesë?
Nëse Vllaznia do që të qëndrojë në Superiore, nuk duhet që të diskutojë aspak fitoret në fushën e saj. Në të kundërt, e ka të humbur luftën për mbijetesë. Por, duke qenë se edhe pa tifozërinë e saj, ajo ka bërë paraqitje bindëse, këtë shpresoj se do ta bëjë edhe në takimin me Luftëtarin. 

Dhe ju mendoni se, për ndeshjen me Luftëtarin do të arrihen tri pikët për skuadrën shkodrane?
Në përballjet në fushën e saj, Vllaznia ka zhvilluar lojëra të bukura dhe ka marrë rezultate të mira. Ndaj unë shpresoj dhe besoj në një rikthim te fitorja me Luftëtarin. Çdo rezultat tjetër ja komplikon shumë situatën në fundin e renditjes, për të mos thënë se rrezikohet seriozisht.

Si i shikoni ndeshjet e javës së 30-të: Të vështira, të zakonshme, apo edhe me surpriza?
Futbolli është i bukur kur ka surpriza, por duke qenë se këto janë ndeshje që luhen me llogari për pikët, jo për lojën, do ti quaja të gjitha të vështira, duke përjashtuar takimin Kamza-Lushnja. Janë ndeshje “hakmarrjeje”, vijnë si sfida rivalësh, por edhe përcaktuese për renditjet e tyre.
Vllaznia e ka më evident rrezikun dhe ai do ta shoqërojë deri në ndeshjen e fundit. Duke qenë se mes të triave: Kamza-Teuta-Vllaznia, diferenca është me 1 pikë, në Superiore do të qëndrojë ajo skuadër që do të gabojë më pak jashtë fushe, dhe që do ti fitojë të gjitha ndeshjet në fushën e saj
Skuadrat e mbijetesës
Kamza: Vendi i 7-të me 34 pikë
Në 7 ndeshje, 4 i luan në fushën e saj, 3 ndeshje jashtë fushe
Teuta: Vendi i 8-të me 33 pikë
Në 7 ndeshje, 3 i luan në fushën e saj, 4 ndeshje jashtë fushe
Vllaznia: Vendi i 8-të me 33 pikë 
Në 7 ndeshje, 4 i luan në fushën e saj, 3 ndeshje jashtë fushe
Ndeshjet-Java e 30-të
Datë 21 prill 2018 
Kamza-Lushnja 16:00
Vllaznia-Luftëtari 16:00 
Datë 22 prill 2018 
Laçi-Kukësi 16:00
Flamurtari-Teuta 19:00
Datë 23 prill 2018 
Partizani-Skënderbeu 19:00

RENDITJA
Skuadrat Nd P
1. Skënderbeu 29 66
2. Kukësi 29 54
3. Partizani 29 45
4. Luftëtari 29 44
5. Laçi 29 42
6. Flamurtari 29 40
7. Kamza 29 34
8. Teuta 29 33
9. Vllaznia 29 33
10. Lushnja 29 10
Sigal