Sigal

Nga Agron KAJA

Sot do luhen 90 minuta ferri e parajse në Kategorinë Superiore, flet për “Telegraf” ish-trajneri i Lushnjes në këtë sezon, ja parashikimet e tij

Sot luhen pesë sfidat e fundit të Superiores 2017-2018, i parashikoni të vështira, apo të paravendosura?

Referuar kalendarit të kësaj jave të 36-të, dhe në raport me renditjen e 35 javëve të luajtura, mendoj se dy janë skuadrat që ende nuk i kanë arritur synimet. Partizani që luan me Kamzën do të luftojë për një vend në Evropë, dhe Vllaznia që luan në Korçë, ka 90 minutat e fundit për mbijetesë.

Kalendari i javës së 36-të, ka ndonjë ndeshje që mund të ketë aleanca apo tolerime mes skuadrave?

Nga takimi Partizani-Kamza, do të vendosen dy objektiva, fitorja e çon skuadrën e kuqe në UEFA Evropa Ligë, dhe e shpëton Vllazninë që të mos zbresë në Kategorinë e Parë. Barazimi apo humbja e Partizanit është dështim për të e Vllazninë, dhe kjo është ndeshja me më shumë interes.

Po në katër ndeshjet e tjera, do të shohim estradë apo ekipe me moshë të re?

Unë nuk e them se do të ketë estradë në fushë në katër ndeshjet e tjera, sepse e kuptoj ndryshe. Si trajner, mendoj që kolegët e mi do të aktivizojnë futbollistë të rinj, duke qenë se nuk kanë asnjë motiv për objektivat. Kësisoj, do të kemi futbollistë të rinj në fushë, jo estradë.

E ka prishur Skënderbeu garën, pasi e siguroi Titullin Kampion pesë javë para mbylljes së Kampionatit?

Gara nuk prishet asnjëherë nga një skuadër kampione. Gjatë gjithë sezonit, Skënderbeu aktivizoi futbollistët më të mirë dhe ja arriti synimit në Kampionat. Në këto ndeshje të fundit po aktivizon më shumë të rinjtë, sepse titullarët i duhen për finalen e Kupës së Shqipërisë.

Po dënimi që skuadra korçare ka marrë nga UEFA, ka ndikuar në ecurinë e garës te skuadrat e tjera?

Unë nuk mendoj se ka ndikim negativ një dënim i Skënderbeut, që uroj të mos ndodhë. Skuadrat e tjera do të përfitojnë nëse ndodh, ndaj kështu është nxitur më shumë lufta sportive për vendet e kreut që luajnë në Evropë. Do të shkojë në Evropë edhe vendi i 4-t në renditjen e Superiores.

Çilat skuadra i mendoni se, pas javës së 36-të do të jenë pjesë e Evropës?

Nëse flasim Skënderbeun të pa dënuar, do të jenë edhe Kukësi me Luftëtarin, por edhe Laçi nga Kupa. Nëse flasim për Skënderbeun e dënuar në Evropë, atëherë mbetet Partizani që të marrë pjesë në UEFA Evropa Ligë.

Sa shanse ka Vllaznia që të mbijetojë në Kategorinë Superiore?

Shanset e Vllaznisë varen vetëm nga ndeshja Partizani-Kamza, duke menduar se në Korçë i ka të sigurta tri pikët. E rëndësishme për të thënë është se, pse kjo skuadër e madhe arriti deri në këtë situatë, për të cilën veç lojtarëve, të gjithë aktorët në klub kanë fajin e tyre.

Të dielën luhet finalja e Kupës së Shqipërisë Skënderbeu-Laçi, e mendoni me ndikim për ndeshjet sot të javës së 36-të?

Jo, absolutisht. Për fatin e mirë, janë dy finaliste që i kanë kapur synimet. Skënderbeu është zyrtarisht Kampion dhe Laçi, si do që të renditet, luan në Evropa Ligë si finalist i Kupës. Kështu që na mbetet vetëm t’i urojmë këto dy skuadra, që të shohim një finale të mirë të dielën.

 

Shanset e Vllaznisë varen vetëm nga ndeshja Partizani-Kamza, duke menduar se në Korçë i ka të sigurta tri pikët. Partizani me Kamzën lufton për një vend në Evropë, ndërsa Vllaznia që luan në Korçë, i ka 90 minutat e fundit për mbijetesë, e varur vetëm nga sfida në “Selman Stërmasi”

KATEGORIA SUPERIORE

 Ndeshjet-Java e 36-të

Të shtunën, 19 maj 2018

Laçi-Teuta                   17:00

Lushnja-Luftëtari        17:00

Skënderbeu-Vllaznia   17:00

Kukësi-Flamurtari       17:00

Partizani-Kamza          17:00

RENDITJA

Skuadrat        Nd       P

  1. Skënderbeu 35 72
  2. Kukësi 35 62
  3. Luftëtari 35 56
  4. Partizani 35 53
  5. Laçi 35 53
  6. Teuta 35 46
  7. Flamurtari 35 45
  8. Kamza 35 43
  9. Vllaznia 35 41
  10. Lushnja 35 11

 

PARASHIKIMI I GAZETËS “TELEGRAF”

Java e 36-të/ Sot, datë 23 maj 2018

NDESHJET               1          X         2

Laçi-Teuta                   80%     20%     0%

Lushnja-Luftëtari        0%       80%     20%

Skënderbeu-Vllaznia   10%     0%       90%

Kukësi-Flamurtari       25%     50%     25%

Partizani-Kamza          80%     0%       20%