INTERVISTA/ Hysen Dedja: Jemi në pikun e Kampionatit, skuadrat të mos besojnë te aleancat, të respektojnë garën

609
Nga Agron KAJA
Për herë të parë pas largimit nga Lushnja, flet ish-trajneri, ja si e përshkruan situatën në 26 javët e Kategorisë Superiore
Pas largimit nga bankina e Lushnjes, e keni ndjekur ritmikën e ndeshjeve në Kategorinë Superiore?
Patjetër që po, madje Lushnjen me shumë vëmendje. Kategoria Superiore është në pikun e saj, dhe jo vetëm profesionalizmi, por edhe kureshtja e dritëhijeve që krijon vetë loja e futbollit, më mbajnë të mbërthyer java-javës, në stadium, por edhe në ekranin e televizorit.

Si e përshkruani situatën e skuadrave në renditje, pas 26 javëve të luajtura?
Më bën përshtypje kryesisht Flamurtari, pasi është një skuadër që ka potenciale për më lart në renditje. Ndoshta do të veçoja edhe Vllazninë, që nuk ka marrë aq sa mundësi ka, kjo për arsye nga më të ndryshmet, ndërsa skuadrat e tjera çfarë kanë dhënë, kanë marrë.

Që sipas jush, të gjitha janë shprehur plotësisht në vlerat e tyre?
Është e natyrshme të thuhet kështu, pasi mendoj se çdo skuadër ka marrë atë që ka merituar, me ulje e ngritje javë pas jave. Por këmbëngul edhe një herë te Flamurtari e Vllaznia, sepse të dyja kanë potenciale për më shumë në renditje. Në 10 javët e mbetura besoj se do ti shohim ndryshe.

Për cilën skuadër mendoni se pritej më shumë dhe ka zhgënjyer?
Zhgënjim ishte edhe Lushnja, sepse ka djem shumë të talentuar, por faktorë të tjerë bënë që ajo do saldohej në fund të tabelës së renditjes që mesin e Kampionatit. Ndërsa Partizani mbetet skuadra më zhgënjyese e këtyre 26 javëve, ndoshta edhe Kukësi si Kampion në fuqi i Superiores.

Kjo është java e fundit e fazës së tretë, mund të priten ndryshime të dukshme në renditje?
Jo vetëm gjatë kësaj jave, por deri në fundin e Kampionatit, do të ketë shumë lëvizje në tabelë. Sepse janë në lojë tetë skuadra, përjashto Skënderbeun që e ka siguruar vendin e parë, dhe Lushnjen në vendin e dhjetë. Të paktën në tre ndeshje të kësaj jave priten rezultate interesante.

Mendoni se do të ketë zbehje të garës nga dy skuadrat e renditura në ekstremet e tabelës?
Unë mendoj se edhe në fazën e katërt, gara do të jetë shumë e fortë. Sepse Skënderbeu po e respekton maksimalisht garën, kështu edhe Lushnja, por më e dobët në rezultate. Duke qenë tetë skuadra në ethet e garës, natyrisht që zbehje nuk mund të presim, por edhe nuk mund ta “vëmë dorën në zjarr”.

Për vendin e tretë janë në lojë katër skuadra, ju cilën e shikoni më pranë kësaj renditjeje?
Deri tani, Laçi, Partizani, Luftëtari e Partizani duket se do të jenë pjesë e kësaj “arene” për vendin e tretë që të çon në Evropë. Duke qenë se tre prej këtyre skuadrave janë edhe gjysmëfinaliste të Kupës, mendoj se do të kenë edhe ato ndikim për renditjen në vendin e tretë. Por, nuk mendoj se ndonjëra skuadër do të besojë te aleancat për të kapur synimet.

Një prognozë e juaja për javën e 27-të, si do të sillej në këtë bisedë?
Parashikimet sot janë të vështira, sepse e përmenda edhe më sipër, duke qenë në lojë tetë skuadra, rezultatet asnjëherë nuk marrin garanci absolute. Duke përjashtuar fitoren e Luftëtarit me Lushnjen, shoh duele të forta Flamurtari-Kukësi, Kamza-Partizani dhe Vllaznia-Skënderbeu. Për Teuta-Laçi jam skeptik në parashikim.
Nuk mendoj e besoj, se ndonjë skuadër do të mbështetet te aleancat për të kapur synimet. Laçi, Partizani, Luftëtari e Partizani duket se do të jenë pjesë e “arenës” për vendin e tretë që të çon në Evropë. Dhe, duke qenë se tre prej tyre janë edhe gjysmëfinaliste të Kupës, mendoj se do të kenë edhe ato ndikim për renditjen në vendin e tretë
Ndeshjet-java e 27-të
E shtunë, 31 mars 2018 
Teuta-Laçi 14:00
Vllaznia-Skënderbeu 17:00
Flamurtari-Kukësi 17:00
E diel, 1 prill 2018
Luftëtari-Lushnja 14:00
Kamza-Partizani 14:00

RENDITJA
Skuadrat Nd P
1. Skënderbeu 26 60
3. Kukësi 26 45
5. Laçi 26 42
6. Partizani 26 39
7. Luftëtari 26 37
2. Flamurtari 26 37
4. Kamza 26 34
8. Vllaznia 26 27
9. Teuta 26 26
10. Lushnja 26 10
Sigal