INTERVISTA/ Gentian Stojku: Superiorja është në fazën më të vështirë, janë 8 skuadra që diskutojnë sezonin

800
Nga Agron KAJA
Flet për “Telegraf” ish-futbollisti “Legjendë” i Elbasanit Kampion, ja si i përshkruan ecurinë e garës dhe javët e mbetura 
Janë luajtur 28 javë në Kategorisë Superiore, ju si e mendoni ecurinë e garës?
Superiorja ka hyrë në fazën e katërt, që është më interesante për gjithçka që do të prodhojnë 45 ndeshjet që do të luhen. Duke përjashtuar Skënderbeun e Lushnjen që i kanë prekur synimet e tyre, bukuria e këtyre javëve vjen nga fakti se 8 skuadra janë në vallen e synimeve të tyre deri në mbyllje të Kampionatit.

Cila është sipas jush dukuria më evidente e Superiores në këto javë të luajtura?
Ka shumë dukuri, dhe është e natyrshme që nuk mund të citohen të gjitha në këto radhë. Por, evidente janë rëniet që kanë pësuar dy skuadra: Flamurtari më parë, e pas tij edhe Kamza. Të dyja ishin skuadra të kreut të renditjes në dy fazat e para, ndërsa tani duket se më pranë kanë mbijetesën.

Nisur nga renditja aktuale, janë shprehur skuadrat plotësisht në vlerat e tyre?
Unë do të thosha se, me renditjen aktuale, të gjitha skuadrat kanë marrë çfarë kanë dhënë në fushën e lojës. Partizani duhet të ishte më lart në renditje, pse jo, edhe rival me Skënderbeun për Titullin Kampion. Ndërsa të gjitha skuadrat e tjera kanë marrë çfarë kanë merituar, ndoshta jo në pritshmëritë që kanë pasur, por renditja është pasqyra e tyre.

Si i përshkruani rezultatet e kësaj jave, të drejta apo edhe të papritura?
Kanë qenë ndeshje me pak rivalitet, jo vetëm për rezultatet që janë arritur. Niveli i lojës që prodhuan skuadrat në përgjithësi, nuk ka qenë i mirë, por vetëm Skënderbeu bëri diferencën me atë fitore në Vlorë. Fitoret e Kukësit e të Partizanit, ishin të pritshme.

Po situata e krijuar pas vendimit të UEFA-s ndaj Skënderbeut, ka pasur ndikim në ecurinë e garës?
Nga ana psikologjike mendoj se ka pasur ndikim, dhe jo vetëm te Skënderbeu. Sepse të gjithë lojtarët, trajnerët e drejtuesit e skuadrave të tjera presin përfitim nga ky dënim i skuadrës korçare. Nga kjo situatë, mendoj se është rritur rivaliteti për tu ngjitur sa më sipër në renditje.

Nisur nga kjo situatë, çfarë tregojnë më shumë rezultatet e javës së parë të fazës së katërt?
Përveç rivalitetit të munguar, mendoj se rezultatet e kësaj jave ishin të pritshme. Nuk mund të ndodhte ndryshe në fitoren e Skënderbeut ndaj Flamurtarit, dhe Vllaznia ndaj Lushnjes. Barazimi Luftëtari-Teuta nuk pritej, ndërsa fitorja e Partizanit ndaj Laçit tregon rritjen e skuadrës së kuqe. Ndërsa rezultatet e tjera, nuk duken si surpriza.

Në humbjen e Flamurtarit me Skënderbeun, mund të ketë ndikuar ndeshja e Kupës së Shqipërisë në mesjavë, e cila u fitua në transfertë nga skuadra vlonjate?
Duke i krahasuar të dyja ndeshjet mes këtyre dy skuadrave, unë nuk besoj se mund të ketë diçka të paravendosur. Humbja e Skënderbeut në ndeshjen e parë të Kupës, ka qenë nën efektin e vendimit të UEFA-s, ndërsa Flamurtari nuk është skuadra e dy fazave të para, që kryesonte renditjen.

Në grupin e skuadrave që pretendojnë Evropën, ju si i vendosni skuadrat?
Nëse do të nisemi nga dënimi i Skënderbeut, Kukësi e ka vënë kandidaturën për në Ligën e Kampioneve, ndërsa për një vend në UEFA, Partizani duket i padiskutueshëm. Mes Luftëtarit e Laçit do të përcaktohet skuadra e dytë për Evropa Ligë, vend që nga Kupa e Shqipërisë mund ta përfitojë edhe Flamurtari.

Situata e fundit e Kamzës, tregon se kjo skuadër ka hyrë në grupin e mbijetesës, së bashku me Vllazninë e Teutën?
Situata e kësaj skuadre, kryesisht në fazën e tretë, kështu flet, sepse Kamza në fazën e tretë e humbi ritmin e mirë në dy fazat e para. Ndërsa ndeshja e kësaj jave Teuta-Vllaznia, do të përcaktojë shumë për gjendjen e tyre në fundin e renditjes. Të tria këto skuadra do të jenë në lojë deri në ndeshjen e fundit të Kampionatit.

Në fundjavë do të luhen ndeshjet e javës së 29-të, si i mendoni të pesta çiftet?
Duke përjashtuar çiftin Lushnja-Flamurtari, që anon nga vlonjatët, të tjerat i shoh si ndeshje të vështira dhe të paparashikueshme. Kukësi-Partizani do të jetë edhe një kryesfidë e javës, ndërsa ndeshja Luftëtari-Laçi do të afrojë njërën nga këto skuadra më afër Evropa Ligë. Mbijetesa troket fort ndeshja Teuta-Vllaznia, e cila sot mbetet “fjalëkryqi” i kësaj jave.
Duke përjashtuar çiftin Lushnja-Flamurtari, që anon nga vlonjatët, të tjerat i shoh si ndeshje të vështira dhe të paparashikueshme. Kukësi-Partizani do të jetë edhe një kryesfidë e javës, ndërsa ndeshja Luftëtari-Laçi do të afrojë njërën nga këto skuadra më afër Evropa Ligë. Mbijetesa troket fort ndeshja Teuta-Vllaznia, e cila sot mbetet “fjalëkryqi” i kësaj jave

KATEGORIA SUPERIORE
Ndeshjet-Java e 29-të
Datë 14 prill 2018 
Luftëtari-Laçi 14:00
Lushnja-Flamurtari 14:00
Kukësi-Partizani 14:00
Skënderbeu-Kamza 17:00
Datë 15 prill 2018 
Teuta-Vllaznia 17:00

RENDITJA
Skuadrat Nd P
1. Skënderbeu 28 63
2. Kukësi 28 51
3. Partizani 28 45
4. Laçi 28 42
5. Luftëtari 28 41
6. Flamurtari 28 37
7. Kamza 28 34
8. Vllaznia 28 33
9. Teuta 28 30
10. Lushnja 28 10
Sigal