INTERVISTA/ Gentian Mezani: Luftëtari ka elementë cilësorë, i mungonin organizimi dhe morali

184

Nga Agron KAJA

Flet për “Telegraf” trajneri i ri i skuadrës gjirokastrite, debutoi me fitore që në sfidën e tij të parë në Kampionat

E kishit parashikuar një fitore që në startin tuaj në stolin e Luftëtarit?

Unë erdha këtu te Luftëtari, i bindur se ka një grup shumë të mirë që nuk e meriton vendin në fundin e renditjes. Sinqerisht nuk e prisja një fitore të tillë, pasi kishim tre mungesa të rëndësishme. Por, skuadra tregoi se ka elementë cilësorë, ka kapacitete që bëjnë diferencën.

Në dy ditë përgatitje, çfarë ndryshuat te skuadra, taktikën apo motivimin?

Në dy ditë, taktikisht kemi punuar shumë pak, por skuadra në fushë përdori taktikën që unë i kisha kërkuar para ndeshjes. Për dy ditë, unë nuk mund të përdorja shkop magjik, por duke qenë se skuadra ishte në një shok psikologjik, këtu u punua më shumë nga gjithë stafi.

Këtë fitore e quani reflektim kthese të Luftëtarit, apo një triumf të një loje 90-minutësh?

Unë do të doja fitore të tjera në vazhdimësi, dhe shpresoj që, në radhë të parë kjo fitore t’i ketë çliruar futbollistët, dhe të mos jetë një ëndërr që kalon shpejt. Skuadrës i kam kërkuar që të vazhdojnë kështu, duke qenë të motivuar në çdo ndeshje vetëm për fitore.

Në këto tri ditë në bankinën e Luftëtarit, sa u është dhënë mundësia që të njiheni me kapacitetet e lojtarëve?

Unë kam katër javë që e ndjek Luftëtarin, dhe aktualisht ai ka futbollistë cilësorë nga sezoni i kaluar. Por në këto javë, ka pasur edhe tre mungesa cilësore për shkak dëmtimesh, si Rroca, Jakovljeviç e Aleksi. Me ardhjen e tyre, skuadra do të ngrihet gradualisht në lojë e rezultate.

Ku u bazuat në ndërtimin e formacionit anti-Teuta, tek ai i Kostiç, apo e ndërtuat me idetë tuaja?

Realisht, në skuadrën e Luftëtarit nuk ka shumë mundësi për të bërë zgjedhje, pasi dominojnë lojtarët e rinj. Ndryshimi pozitiv unë mendoj se erdhi nga motivimi i tyre dhe nga mirë-organizimi i reparteve në fushën e lojës. Këto janë dy kolonat e fitores me Teutën.

Me këtë kontingjent, kur mendoni se do të jetë gati skuadra e Mezanit, në kuptimin e formatimit të saj, të taktikës dhe të rezultateve?

Kur të rikthehen në skuadër tre futbollistët e dëmtuar, atëherë Luftëtari do të jetë i kompletuar plotësisht me kontingjentin që ka. Hap pas hapi, unë do të shoh gjendjen e secilit futbollist, dhe mbi këtë bazë do të ngre idetë e mia për formacionin ndeshje pas ndeshjeje.

Ndeshja më e afërt është ajo e ditës së mërkurë në Kupë me Vorën, veç kualifikimit, për çfarë do të vlejë kjo ndeshje?

Në fakt, kur ka ndeshje Kupe në mesin e Kampionatit, na jepet mundësia që të aktivizojmë lojtarë me pak minuta aktivizimi, por edhe të tjerë që nuk kanë pasur mundësi. Kështu që veç fitores, në këtë ndeshje do të shoh edhe gjendjen e futbollistëve të veçantë.

Të shtunën luani në transfertë me Kukësin, keni menduar edhe për këtë ndeshje?

Ndeshja e Kupës do të jetë test për skuadrën, e gjatë javës do të punojmë edhe për mangësitë që u vërejtën në ndeshjen me Teutën. Java e 6-të na ve përballë një kundërshtari të fortë, me ambicie për titullin, por nuk do të shkojmë për të humbur. Mua do të më pëlqente barazimi.