Intervista/ Flet për “Telegraf” Lysjen Nurishmi: Futbolli dhe transparenca e FSHF

517
Sigal

Për situatën në futbollin shqiptar, flet për “Telegraf” Shefi i Sektorit të Garave në Institucionin e futbollit, Lysjen Nurishmi

 

Futbolli ynë pa“të fshehta”, garë transparente nga FSHF-ja

 

Nga Agron KAJA

 

Dukeni pak mediatik sa kohë që punoni në FSHF, pse ndodh kështu me një ish-gazetar?

 

Detyra kryesore e Shefit të Departamentit të Garave konsiston në menaxhimin dhe organizimin deri ne detaje e të gjitha kampionateve të futbollit, të të gjitha niveleve në Shqipëri. Pasqyrimi final i punës tonë të përditshme është produkti që kërkohet të shihet nga të gjithë: garë me integritet, nivel të lartë dhe sipas rregullores. Në këtë punë, kemi patur gjithmonë marrëdhënie korrekte me median, dhe në raste specifike janë dhënë intervista, deklarata mediatike si edhe ka patur pjesëmarrje në studio televizive.

 

Në këto vite që punoni në federatën e futbollit, e shikoni të largët aromën e rikthimit në media?

Pavarësisht se prej me shumë se 10 vitesh jam funksionar i strukturave brenda institucionit të futbollit në Shqipëri, marrëdhëniet me kolegët në media vazhdojnë të jenë miqësore dhe të afërta. Dua të shfrytëzoj rastin të falenderoj të gjithë përfaqësuesit e medias, për rëndësinë e vëmendjen që i kushtojnë zhvillimeve të futbollit shqiptar si i vetmi sport elitar në vendin tonë.

E keni ndonjë moment, në këtë post, kur jeni ndjerë më mirë ose edhe më keq, si do e përshkruanit?

Momentin më të mirë do të veçoja, përcaktimin e fituesit të Kategorisë Superiore të sezonit 2015-2016, vetëm në javën e fundit, duke treguar rivalitetin e lartë dhe nivelin e mirë të garës midis klubeve pretendente për titullin. Ndërsa, moment i vështirë ka qenë ndërprerja e ndeshjes derbi Tirana-Partizani për shkak të defektit teknik në sistemin e ndriçimit, që ishte jashtë kompetencave tona.

Në FSHF e nisët karrierën me shtypin, sot drejtoni garat, sa afër e larg  qëndrojnë këto pozicione brenda FSHF-së?

Nisja e karrierës në FSHF në sektorin e shtypit, ka qenë një eksperiencë e vyer në njohjen e të gjithë sektorëve të tjerë brenda FSHF-së dhe prezantimin e punës së tyre. Kontaktet e shpeshta me klubet, drejtuesit e tyre dhe lojtarët kanë lehtësuar detyrën me shumë përgjegjësi të drejtorit të garave.

Gjatë sezonit 2016-2017, çfarë ndryshimi keni bërë në organizimin e garës, në raport me sezonet e kaluara?

Ndryshimet në organizimin e garës gjatë sezonit 2016-2017 konsistojnë në: Brandimin e Kategorisë Superiore nëpërmjet vendosjes së logos në fanellat e lojtarëve, vendosja e banerit në çdo ndeshje të kësaj kategorie, pajisja e të gjithë klubeve me tabela elektronike të personalizuara për Kategorinë Superiore dhe Kategorinë e Parë. Në kuadër të ndryshimeve në Rregulloren e Kategorisë së Dytë, u jepet mundësi aktivizimi lojtarëve shqiptarë duke mos lejuar aktivizimin e lojtarëve të huaj. 

Si dukuritë më pozitive, në raport me me sezonin e kaluar, cilat veçoni deri në këtë gjysmë të sezonit?

 

Deri në gjysmë të këtij sezoni, gara për fitimin e titullit kampion është më e fortë sesa ajo e sezonit të kaluar, sepse janë pretendente 4 skuadra. Dukuri tjetër pozitive për këtë sezon është edhe transmetimi live i disa ndeshjeve të Kategorisë së Parë në televizion.

Duke qenë se jemi në fundin e vitit 2016, çfarë të “fshehtash” ka patur futbolli sipas jush, nga ato që nuk janë shfaqur ende?

Vetë futbolli, si një sport publik nuk ka “të fshehta” që nuk mund të shfaqen. Ndërsa institucioni i futbollit është transparent dhe mundohet që nëpërmjet zyrtarëve në ndeshje, të sigurojë një lojë dinjitoze e të rregullt. Rivaliteti në garë dhe paparashikueshmëria që dhuron futbolli i pastër, janë elementët “surprizë” që mbajnë të mbërthyer sportdashësit dhe tifozët.

Po si momentet më delikate në të cilat ju keni patur më shumë problematikë gjatë kësaj periudhe kalendarike?

Fenomeni i mungesës së etikës dhe sjelljes josportive në stadiume, përbën një problematikë e cila vetëm me ndërgjegjësimin e klubeve dhe tifozerisë ultras do të mund të minimizohet për të afruar edhe grup-tifozët e kategorisë “familjarë me fëmijë” në stadiumet tona. 

Cilat janë e do të jenë detyrimet tuaja që fenomeni i dhunës në stadiumet e futbollit të shkëputet sa më shumë nga loja e futbollit?

Koordinimi dhe forcimi i marrëdhënies FSHF-Klube-Policia e Shtetit, për të përmirësuar sistemin ligjor, për të identifikuar e regjistruar tifozerinë e klubeve përkatëse, me qëllim përshkallëzimin e dënimit për tifozët problematikë, si edhe për të krijuar kushte me komode në infrastrukturën e stadiumeve.

Njëherësh, në futbollin shqiptar, problem kanë qenë edhe trukimet e ndeshjeve, si e lufton FSHF-ja këtë fenomen?

Në FSHF ekziston Komisioni i Etikës, i cili, çdo rast të dyshimtë të raportuar nga zyrtarët e ndeshjes, pasi e heton dhe verifikon, merr dënimet sipas rregullores së këtij komisioni, që nuk kanë qenë të pakta gjatë sezoneve të kaluara. Megjithatë, në sezonet e fundit, numri i ndeshjeve të dyshuara për trukim në Kampionatin Shqiptar ka pësuar rënie të ndjeshme.

Në Kategorinë Superiore ka stadiume normale, ndërsa në kategoritë e tjera ka edhe mangësi. E keni në projektet tuaja në FSHF përmirësimin e këtij treguesi jetik për futbollin?

Përmirësimi i infrastrukturës së stadiumeve shqiptare do të vijë duke u përmirësuar gradualisht. Në bashkëpunim edhe me pushtetin lokal, është investuar dhe do të investohet për infrastrukturën bazë të zhvillimit të futbollit. Gjithashtu, nuk ka munguar mbështetja financiare nga FSHF-ja, për klubet të cilat kanë patur një projekt konkret për rindërtimin e stadiumeve apo fushave të futbollit.

 

Në fokusin e kritikave, asnjëherë nuk kanë shpëtuar edhe arbitrat me gjykimet e tyre. Në këtë sezon, shikoni përmirësim në nivelin e tyre, apo është situatë e njëjtë?

Gjithmonë garat kanë qenë edhe në fokusin e kritikave. E rëndësishme është që gabimet e arbitrave të jenë njerëzore, dhe të mos ndikojnë në thelbin dhe ecurinë e garës. Niveli i arbitrimit vjen duke u rritur në çdo sezon, si edhe nëpërmjet trajnimeve të vazhdueshme të arbitrave. 

Për çdo ndeshje, FSHF-ja dërgon edhe vëzhgues e delagatë, si janë përzgjedhur ata dhe sa kanë ndikuar me vëzhgimet e tyre, profesionale ose jo?

Në prag të fillimit të çdo sezoni, vëzhguesit dhe delegatët u nënshtrohen një testimi për të treguar aftësitë e tyre në organizimin e ndeshjes. Ata përzgjidhen në bazë të rezultateve të testimit, eksperiencës e njohjes së lojës së futbollit, dhe performancës ndër vite. Në sezonet e fundit, kemi afruar delegatë të grupmoshës të familjarizuar me njohuritë kompjuterike për përdorimin e sistemit elektronik për plotësimin e raportimit të ndeshjeve. Departamenti i Garave zhvillon edhe trajnime të vazhdueshme për njohjen e këtij sistemi elektronik nga të gjithë vëzhguesit dhe delegatët, për të siguruar raportim tëndeshjeve në kohë reale dhe sa më profesionale.

Cilat janë projekte afatshkutra apo afatgjata që sektori i garave në FSHF ka për përmirësimin e treguesve negativë në futbollin shqiptar?

Rritja e shikueshmërisë televizive të futbollit shqiptar; afrimi i tifozerisë në stadiumet tona; minimizimi i dhunës; dixhitalizimi në pajisjet mobile të rezultateve në kohë reale të të gjitha ndeshjeve në të gjitha kampionatet e futbollit në Shqipëri; afrimi i sa më shumë lojtarëve të ekipeve zinxhire në ekipet e para; përmirësimi i infrastrukturës ku stërviten ekipet e moshave që do të prodhojë më shumë talente; masivizimi i futbollit të femrave; përmirësimi i vazhdueshëm i rregulloreve sipas standarteve europiane; rritja e nivelit të futbollit dhe paraqitja pozitive e klubeve shqiptare në kompeticionet europiane përbëjnë objektiva të projekteve afatshkurtra dhe afatgjate të Departamentit të Garave në kuadër të strategjisë së zhvillimit të futbollit shqiptar.

Në situatën ku është Kombëtarja sot në ndeshjet eliminatore të Botërorit 2018, çfarë ndryshimi konstatoni në raport me pjesëmarrjen në Euro 2016?

Në një grup me skuadra elitare dhe favorite si Italia dhe Spanja, nuk është e lehtë të marrësh pikë ndaj këtyre dy rivaleve. Gjithsesi, Shqipëria është ende në garë për të luajtur shanset e saj për kualifikim. Afrimi i lojtarëve të rinj e cilësorë në Kombëtaren Shqiptare të Futbollit garanton një të ardhme të sigurtë të Kombëtares me pjesëmarrje në nivele të larta në kompeticione ndërkombëtare. 

Çfarë do të uroni për vitin 2017 në futbollin shqiptar?

 

Uroj që viti 2017 për futbollin shqiptar të jetë së paku si viti 2016 ku kombëtarja u kualifikua në Kampionatin Europian; klubet tona bënë paraqitje mëse të mira në kompeticionet europiane dhe niveli i futbollit shqiptar pësoi një rritje domethënëse në kuadër të nivelit të lojës, menaxhimit të klubeve si edhe përmirësimit të infrastrukturës me 2 stadiume të reja. 

 

 

 

Lysieni jashtë futbollit, edhe me gjeopolitikë

“Krahas angazhimit në FSHF, trajnimeve në UEFA, organizimit të ndeshjeve të Kombëtares në bashkëpunim me UEFA-n, koha pranë familjes është shumë e çmuar. Aktivitetet e përditshme me bashkëshorten dhe vajzën time më dhurojnë shumë kënaqësi dhe më nxisin për t’u përmirësuar si njeri dhe si profesionist. Koha e lirë i dedikohet familjes dhe miqve. Në bashkëbisedime me ta, futbolli është patjetër i pranishëm. Tashmë, prej disa vitesh, së bashku me bashkëshorten time, nuk harrojmë që brenda mundësive financiare të dhurojmë për familjet në nevojë. Në prag të Vitit të Ri, dëshiroj të uroj sportdashësit, lexuesit e gazetës suaj, të gjitha klubet e futbollit shqiptar, kolegët e miqtë Një Vit të Ri të mbarë e me Suksese!”

 

 

Skeda

Lysien Nurishmi

Datëlindja: 02.09.1980

Vendlindja: Tiranë

Detyra në futboll: Në periudhën 2003-2007, Zëdhënës Shtypi në FSHF

Në periudhën 2008-2010, Menaxher Operacional i Kombëtares U19 në FSHF; Në periudhën 2008-2014, Specialist pranë Sektorit të Garave në FSHF dhe Menaxher Operacional i Sistemit të Informatizuar COMET në FSHF; Nga viti 2015 e në vazhdim, Shef i Departamentit të Garave në FSHF

Statusi: I martuar, me fëmijë

Hobi jashtë detyrës: Futboll, Tenis, Muzikë, Histori&Gjeopolitikë

 

 

Federata Shqiptare e Futbollit

Viti themelimit: 1930

Pranuar në FIFA: 1932

Pranuar në UEFA: 1954

President: Armand Duka

Sekretar i Përgjithshëm: Ilir Shulku

Trajner i Kombëtares: Xhani De Biazi

Kapiten i Kombëtares: Ansi Agolli

Stadiumi: “Loro Boriçi”

Kapaciteti: 16.000 vende

Viti i ndërtimit: 1953 “Vojo Kushi”

Viti 1990: Ndryshon në “Loro Boriçi”

Rikonstruksioni: Përfundoi në 2016

 

 

Në FSHF

Të regjistruar

165.700 futbollistë

Prej tyre

55.700 futbollistë profesionistë,

amatorë e të kategorive të tjera,

meshkuj e femra

111.000 futbollistë të paregjistruar

450 klube futbolli

6200 zyrtarë për futbollin

 

   

KATEGORIA SUPERIORE

2016-2017/ RENDITJA

Skuadrat    Nd     Pikë

1.Kukësi     18      36

2. Partizani 18      35

3.Skënderbeu18   32

4.Tirana      18      27

5.Luftëtari   18      22

6.Vllaznia   18      21

7.Flamurtari         18      17

8.Teuta       18      16

9.Laçi                   18      14

10.Korabi   18      11

Ndeshjet/ Java e 19-të

Datë 21 janar 2017

Teuta-Tirana        14:00

Vllaznia-Kukësi    14:00

Partizani-Luftëtar 14:00

Skënderb-Flamurta14:00

Korabi-Laçi          14:00