INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” Jani Kaçi: Panuçi nuk ka eksperiencë, jo zgjedhja e duhur për Shqipërinë

66

INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” ish-portieri i Kombëtares
sonë, e vlerëson me notën 6  paraqitjen e
kuqezinjve në kualifikueset e Botërorit 2018


Nga Agron KAJA



Si do ta përshkruani rrugën e Kombëtares sonë në ndeshjet kualifikuese të
Botërorit 2018, Grupi G?


Të dhjetë ndeshjet që Shqipëria luajti në Grupin G
kualifikues për Kampionatin Botëror “Rusi 2018”, i kam ndjekur me vëmendje, por
edhe me ndjenjën e një ish-futbollisti të Kombëtares. Në përgjithësi, skuadra
jonë zhvilloi ndeshje me dritëhije, me rezultatet të pritura e të papritura,
por më shumë me një paraqitje nën mesatare.



Në 10 ndeshje fitoi 4, barazoi 1 dhe humbi 5, është ky bilanci më i mirë në
historinë e pjesëmarrjeve të Shqipërisë në kualifikueset në grupe për Botërorë?


Nëse do t’i referohemi historisë, unë mbaj mend që në
ndeshjet në Grupin 2 kualifikues për Botërorin 2006 që u zhvillua në Gjermani,
jemi renditur në vendin e 5-të, po me 13 pikë. Pra, kaq pikë është hera e dytë,
dhe nuk di pse thuhet se është hera e parë. Vendi i tretë në grup është hera e
parë, është një nder, por ky nuk mund të quhet si sukses.



Ku mendoni se ka gabuar Kombëtarja jonë në 10 ndeshjet e luajtura në Grupin
G kualifikues të Botërorit 2018?


Mendoj se nuk i vlerësoi realisht të gjithë kundërshtarët.
Me Izraelin ishte një humbje që edhe sot nuk arrij ta kuptoj arsyen e vërtetë,
ndërsa edhe në fitoren 2-1 me Maqedoninë, nuk shprehëm shumë vlera për atë tri
pikësh, më mirë u paraqitën maqedonasit. Pati shumë lëvizje në formacion, u
ndryshuan edhe trajnerët, çka nuk kanë dhënë ndikim pozitiv.



Sipas jush, ishte edhe ndryshimi i trajnerëve pjesë e kësaj performance?


Po natyrisht, se nuk mund të largosh De Biazin që fitoi
eksperiencën e duhur dhe e çoi Shqipërinë në Kampionat Evropian, dhe të marrësh
Panuçin, nxënësin e tij pa eksperiencën e duhur për drejtimin e një kombëtareje.
Panuçi nuk e vazhdoi modulin e lojës të De Biazit, me të cilën ishin përshtatur
lojtarët, këtu ai gaboi.



Veç renditjes në vendin e 3-të në grup, çfarë fitoi Kombëtarja jonë në këtë
ndeshje kualifikuese?


Shqipëria fitoi vetëm vazot e Evropianit, sepse nuk është
kënaqësi vendi i tretë. Sepse në raport me skuadrat e tjera, sistemi i
futbollit tonë funksionon në mënyrë kaotike. Në Kombëtare bëjnë pjesë lojtarë që
nuk duhet të jenë aty, sepse menaxherët e tyre kanë bërë ndërhyrje të forta në
stafe dhe në FSHF.



Sipas jush, Panuçi nuk garanton ta çojë Shqipërinë në finalet e Evropianit
2020?


Unë them se në Kombëtare duhej një trajner me eksperiencë.
Ne këtu në Shqipëri bëjmë të kundërtën e Botës dhe të Evropës, sepse formojmë
trajnerë në Kombëtare, jo skuadër. Kështu që Panuçi nuk e ka eksperiencën e
duhur dhe nuk garanton për Evropianin 2020.



Kjo nënkupton që duhet një trajner tjetër dhe një formatim më i mirë i
skuadrës?


Mirë do të ishte një trajner me më shumë eksperiencë,
por, në përzgjedhjet e tij Panuçi duhet t’i përmbahet më shumë karakteristikave
të futbollit shqiptar. Sepse këtu përshtaten lojtarët me trajnerët, por ne nuk
jemi Gjermania e Spanja. Edhe fizikisht, Kombëtarja e këtij sezoni ka qenë shumë
e dobët.


Cila është nota që Jani Kaçi i vendos Kombëtares në kualifikueset në grup për
Botërorin “Rusi 2018”?

Një 6-të me hatër, sepse ndjej keqardhje për më shumë
vlerësim. Gjithsesi, ky është vlerësimi im, të cilin besoj se u shpjegova gjatë
kësaj bisede me ju.