Intervista/ Flet për “Telegraf” Astrit Ziu, ish-mengjërashi “absolut” që luajti në çdo sektor të fushës me Tomorin, Partizanin

1157
Sigal

 

 

Futbolli dje dhe sot, Kombëtarja bën diferencën

 

Nga Agron KAJA

 

Keni shumë vite që i jeni
larguar syrit dhe veshit të tifozerisë suaj, por edhe të medias. Ku ndodhet sot
Astrit Ziu?

Pas një periudhe 13 vjeçare imigrimi në Barcelonë, jam rikthyer
në Shqipëri me mendimin, se tashmë duhet të jem këtu. Por edhe atje nuk i jam
ndarë ndjekjes së futbollit shqiptar, jo vetëm atij kombëtar. Aktualisht jam
pensionist, por unë jetoj me futbollin në çdo moment. Jo vetëm duke ndjekur
ndeshjet, por edhe duke u takuar me shumë futbollistë e ish-futbollistë,
trajnerë e ish-trajnerë, me të cilët dita nuk duket se si i kalon orët e saj.

Dhe, si ndjeheni kur ju
kërkohet të flisni për atë çka ju keni dhuruar në fushën e lojës me Tomorin,
Partizanin e Kombëtaren?

Takimet e mia me mediat janë shumë të rralla, me natyrën
time i jam shmangur publicitetit, por kjo nuk do të thotë, se nuk e dëshiroj të
flitet e të shkruhet për mua. Ndoshta mund ta kem edhe gabim, por unë mendoj,
se çdo medie, e shkruar, vizive apo e folur, duhet të ketë njerëz që e njohin
historinë sportive të vendit tonë. Nuk ndjehem mirë kur dikush në media më pyet
për emrin apo kush jam!

Preferoni të flisni më
shumë për Partizanin, për Kombëtaren apo për Tomorin?

Unë të gjitha skuadrat ku kam luajtur i kam shumë për
zemër. Nuk mund t’i ndaj, gjithsesi, ta fillojmë nga Tomori nuk është keq,
sepse është skuadra ime e origjinës, për të cilën kam shumë mall, kujtime e
gjëra të paharrrueshme. Natyrisht që te Partizani dhe te Kombëtarja unë kam
pjesën më të madhe të karrierës sime dhe kam shumë për të folur. Sot besoj, se
pyetjet tuaja do të ma sjellin kujtesën tek të tria këto skuadra, por edhe për
Luftëtarin ku luajta për tetë muaj.

Meqenëse ju nuk jeni
“rrëfyer” herë tjetër, a mund ta mësojë sot lexuesi i gazetës “Telegraf”, se si
erdhi largimi juaj nga skuadra e Tomorit te Partizani?

Në vitin 1966, Partizani grumbulloi në disa reparte
ushtarake të Tiranës shumicën e sportistëve talente, jo vetëm në futboll. Pas
një periudhe 15 ditore, mua nuk më inkuadruan tek Partizani, por më liruan. Unë
në atë kohë isha mësues në Uznovë të Beratit, por kur më liruan në muajin gusht
1966, kuadri ishte plotësuar. Kështu që më emëruan në Moravë, për të qenë më
pranë fushës.

Dy herë ushtar, një çudi
më vete kjo?

Po dhe unë pasi luajta edhe një fazë me Tomorin, në vitin
1967 më rimarin ushtar, duke kaluar përfundimisht tek Partizani, me të cilin
luajta deri në vitin 1978. Isha 32 vjeç kur jam larguar nga futbolli i luajtur,
shumë i ri, edhe pse ndjehesha fizikisht i fortë për të vazhduar.

Cili ka qenë pozicioni juaj
më i preferuar në fushën e lojës, si me Tomorin, me Partizanin dhe në
Kombëtare?

Në fakt, unë kam luajtur sulmues i majtë dhe sulmues
qëndre, atëhere në terminologjinë sportive quhej, lojtar “pykë”.  Kur kalova në ekipin e parë në vitin 1963,
luajta fillimisht si sulmues i majtë, por interesant është fakti, që në
ndeshjen kundër Partizanit këtu në Tiranë, në stadiumin “Qemal Stafa”(Partizani
përgatitej për Kupën Ballkanike në Turqi), trajneri Thanas Jançe më propozoi që
të luaja mbrojtës i majtë. Tomori fitoi 1-0 kundër Partizanit me golin e Novruz
Duçkës, dhe e vumë në vështirësi shkuarjen e Partizanit në Turqi. Këtu filloi
piketim im përfundimtar tek Partizani.

Dikur Astrit Ziu një ish-lojtar
energjik te Tomori, te Partizani dhe në Kombëtare, sot cila është ndjeshmëria
juaj për këto skuadra
?

Që kur jam larguar edhe nga drejtimi i sportit në klubin
“Partizani”, unë nuk jam shkëputur nga ndjekja e ndeshjeve të futbollit.
Natyrisht, më pak shkoj në stadium e më shumë në televizion, por ndjehem shumë
mirë që Partizani është rikthyer në elitë, janë rikthyer tifozët dhe kjo më
emocionon. Ndjej  keqardhje për luhatjet
e Tomorit.

Në kohën kur ju luajtët
futboll, kishte Partizani luhatje që të mendohej madje  edhe zbritja në kategori inferiore?

Absolutisht jo, sepse Partizani ishte skuadra më e madhe
e kohës, ishte pretendente në çdo kompeticion, edhe pse në momente të veçanta
kishte edhe ndonjë luhatje.

Cili është këndvështrimi i
Astrit Ziut për futbollin shqiptar para vitit 1990 dhe për atë futboll që luhet
sot deri në vitin 2016?

Para vitit 1990 ishte një futboll “bio” shqiptar dhe nuk
konceptohej të kishte lojtarë të huaj. Ishin detyra fikse në atë kohë, nuk mund
të dilje shumë nga disa korniza të paracaktuara. Madje, kur vinin lojtarë nga
rrethet tek Partizani e Dinamo, bëhej me shumë vështirësi. Tani pak luhet për
fanelën, më shumë është bërë si një biznes futbolli. Gjithsesi, kjo nuk duhet
të largojë tifozerinë, sepse vetëm ata dinë ta respektojnë falnelën e çdo
skuadre.

Në këndvështrimin tuaj,
mund të quhet ky vit kalendarik si më i miri për Partizanin dhe Kombëtaren?

Patjetër që po, sepse si te Kombëtarja ashtu edhe te
Partizani, gjatë këtij viti që po mbyllet kemi parë skuadra dinjitoze, sa për
Kombëtaren nuk e kishim menduar në kohën tonë. Por, edhe Partizani ka qenë
skuadër pretendente, madje unë e quaj kampionin real të sezonit të kaluar.

Partizani në javën e 13-të
të Superiores luajti “derbin” e 147-të me Tiranën, ju sa herë mbani mend të
keni luajtur kundër ish-17 Nëntorit, sot Tirana?

Ne nuk kemi luajtur shumë kohë me drita dhe nuk kemi
pasur raste të tilla. Në “Qemal Stafa” po, por atëhere nuk bëhej fjalë për
situata të tilla me energjinë elektrike. Ndodhin të tilla rast edhe në Botë,
ndodhi edhe me Realin në vitin 2010, por ai incident duket se ka lënë gjurmë
ende. Më thonin në Barcelonë, se çfarë bëhet kështu me ju.

Për Partizanin sot, çfarë
mendoni se ka ndryshuar nga Sulejman Starova në raport me italianin Adolfo
Sormani?

Unë gjykoj se Starova e njeh me themel futbollin
shqiptar, sepse i ka kaluar të gjitha etapat e një profesionisti, e padyshim
është faktor i rëndësishmë në mbarëvajtjen e skuadrës. Problemi është se
kontigjenti që ai ka në dispozicion nuk është i plotë në ndërtimin e një loje
fleksibël e të standardeve, ku të mbizotërojë pasi i ndërthurur. Veçanërish më
bie në sy fakti, se është mungesa e pasimit inteligjent në fazën përmbyllëse të
aksionit.

Në kujtesën tuaj, sa
ndeshje keni luajtur me fanelën e Partizanit?

Besoj se duhet të jenë mbi 300 ndeshje,
kampionat-kupë-ndeshje ndërkombëtare e miqësore me klubin. Nuk shquhem për këto
statistika, por jam shumë i përafërt.

E gjithë Kategoria
Superiore shqiptare sot, çfarë ndjesie ju sjell me futbollin e saj sot?

Në tërësinë e vet, Kategoria Superiore në momente të
veçanta të jep idenë se tentohet të luhet futboll i kohës, por më bën
përshtypje më shumë fakti, se  skuadrat
luajnë futboll më shumë amator, gati-gati statik. Në derbin e kësaj jave, në
pjesën e parë pati ritëm dhe dominoi pasi e qarkullimi i topit me ritëm. Kjo të
frymëzon në lojë, ku Tirana ishte më e lirshme, më qarkulluese e më e sigurtë,
Partizani më taktik në mbrojtje. Qëndroi besnik mënyrës për ta gjetur të
zbuluar sulmuesin kryesor Ekuban.

Duke qenë edhe një
ish-futbollist i Kombëtares, si i kujtoni vitet që veshët fanelën kuqezi?

Me shumë nostalgji, por jetën e kuptoj siç është në
realitet. Unë jam i kënaqur me atë çka jetova me futbollin, e sot ndjehem
krenar kur më vlerësojnë djersën e mundin. Edhe në Barcelonë më kanë respektuar
maksimalisht dhe më kanë vlerësuar shpesh në evente publike, si një
ish-futbollist profesionist, dhe si njeri.

Ndoshta Kombëtarja sot ua
ka “zbehur” nostalgjinë me atë çka ka arritur duke luajtur në Kampionatin
Europian?

Ndoshta po, por çdo periudhë ka të veçantën e vet, sepse
t’i rikthesh retrosektivës, në kohën kur unë luajta, futbollistët ishin emra të
mëdhenj dhe me futboll. Sot është tjetër kohë, e cila duhet shfrytëzuar më
mirë.

E ka menduar ndonjëherë
Astrit Ziu rikthimin në futboll, si trajner apo drejtues klubi?

Unë u riktheva në Shqipëri me mendimin se mund të
kontribuoja në futboll për të dhënë eksperiencën time si ish-futbollist dhe
ish-drejtues i sportit tek Partizani i 20 viteve më parë. Por shoh që i kanë ngritur
barrikadat e “betonit” të cilësisë së lartë, në kuptimin që nuk ka vlerësim të
brezit tim. Një nga arsyet dominante është kse futbolli ka hyrë në rrugën e
biznesit dhe më vjen keq ta them e më dhemb kur shohk që ka shitje e blerje
ndeshjesh!

Cila është jeta juaj e
përditshme Titi?

Normale për një pensionist. Kur erdha nga Barcelona e
mendova të vështirë ta mbushja ditën, por ndjehem i plotë kur takohem gati çdo
ditë me miq e shokë të futbollit dhe jo vetëm, e mes tyre shikoj atë vlerësim
që, ashtu si tek unë, kanë mbizotëruar më shumë vlerat njerëzore

 

 

 

Somario

Unë jam i kënaqur me atë çka jetova me futbollin e sot
ndjehem krenar kur më vlerësojnë djersën e mundin. Edhe në Barcelonë më kanë
respektuar maksimalisht dhe më kanë vlerësuar shpesh në evente publike, si një
ish-futbollist profesionist dhe si njeri

 

 

 

Kërkesa “tinzare” nga
Dinamo

 “Në vitin 1965 më
vjen në shtëpi një zyrtar i lartë i Ministrisë  së Brendshme në Berat dhe më propozon që të
luaja me Dinamon. Si stimul atëhere ishte një Turne Ndërkombëtar miqësor në
Kinë. Unë nuk e kisha me qejf të luaja me Dinamon, me mendimin se kjo kërkesë e
tij do të ishte kalimtare, por edhe ata nuk këmbëngulën sikundër Partizani, me
të cilin kam qenë tifoz që në fëmijërinë time. Kështu që unë përfundova tek
Partizani, skuadra që gjithë jetën e kam dashuruar sikundër edhe Tomorin,
skuadrën time mëmë”.

 

 

Tetë muajt në Gjirokastër

Në periudhën tetor 1968 e deri në maj 1969 unë luajta me
Luftëtarin e Gjirikastrës. Arsyeja ishte një padrejtësi që m’u bë në atë kohë
nga drejtuesit e Partizanit. Në vitin 1968 Partizani fitoi Kupën e Republikës,
ku mundëm në finale Vllazninë. Unë luajta titullar dhe Partizani u grumbullua
për të luajtur kundër Torinos, por një javë para se të luanim ndeshjen e
kthimit në Torino, mua më nisën natën në Gjirokastër, së bashku me Ismet
Hoxhën. Unë e kuptova më vonë,  se ky
largim ishte për të favorizuar një tjetër futbollist që ishte në fundin e
karrierës. Nga drejtuesit e lartë të Ministrisë së Mbrojtjes, se përse unë
shkova në Gjiokastër, asnjë nuk kishte dijeni. Aty luajta për tetë muaj. U
riktheva kur trajner tek Partizani erdhi Loro Boriçi, deri 1978.

 

Familja sportive “Ziu”

Në familjaen Ziu janë tre vëllezër: Astriti, Shpëtimi dhe
Llazari. Astriti luajti futboll në elitën e kohës së tij, Shpëtimi ka qenë më
shumë se 30 vite mjek sportiv në Berat e Tiranë, Llazari ka luajtur deri në
nivelin e të rinjve. Në Berat, Astrit Ziu është cilësuar si një nga
futbollistët më të mëdhenj në të gjithë kohrat, Shpëtimi si mjeku sportiv më i
përkushtuar..

 

 

Djali futbollist i
Partizanit

Astrit Ziu ka dy fëmijë, djalin dhe vajzën. Djali, Febron
Ziu ka luajtur fillimisht me moshat e Partizanit, më pas me Kombëtaret U19 dhe
U 21 ka qenë edhe kapiten. Në moshë të ritur ka luajtur me Partizanin dhe me
Besën. Kishte talent, unë ndjehem borxhli ndaj tijk se kishte inteligjencën,
goditjen e fortë e të saktë, pasimin, por nuk kishte zhdërvlltësinë e duhur.

 

 

Goli i vetëm me Kombëtaren

Në karrierën e tij Astrit Ziu ka luajtur si mbrojtës i
majtë, si mesfushor dhe sulmues, por vetëm portier nuk ka luajtur. “Po të ma
kërkonin trajnerët, unë edhe portier do të luaja”, tregon Astriti, i cili më
pas veçon një fakt. “Unë kam shënuar vetëm një gol me Kombëtaren, në Stamboll
kundër Turqisë. Ky gol më evidentoi si mbrojtësin e parë në Kombëtaren
shqiptare që shënoi gol”.

 

 

 

Skeda

Astrit Ziu/ Datëlindja: 8 korrik 1946

Vendlindja: Berat/ Vendbanimi: Tiranë

Sporti që ka ushtruar: Futbolli

Pozicioni në fushën e lojës: Mbrojtës i majtë

Skuadrat ku ka luajtur: Në sezonet 1963-1966,Tomori
Berat, Në sezonet 1966-1978 Partizani, Tiranë, me Luftëtarin i huazuar në
periudhën tetor 1968 deri në maj 1969.

Tituj e trofe të fituar: Kampion me Partizanin 1970-1971;
Kupën e Shqipërisë me Partizanin 1967-1968, 1969-1970, 1972-1973

Ndeshje ndërkombëtare me klubet: Me Partizanin mbi 31
ndeshje

Me Kombëtaren: Luajtur 19 ndeshje në vitet 1969-1974,
shënuar 1 gol

Tituj Sportivë: Mjeshtër Sporti, Mjeshtër i Merituar i
Sportit

Aktualisht: Në pension

 

 

Jeta mes Barcelonës e Tiranës

Për arsye imigrimi, Astrit Ziu ka jetur disa vite në Spanjë dhe që nga viti
2003 ka punuar pranë “UD Vista Alegre Castelldefels”, një qytet i vogël në
rrethinat e Barcelonës, ku ka stërvitur dhe drejtuar ekipe të ndryshme të
moshave të vogla e te të rinjtë, njëherësh edhe si koordinues i disa ekipeve të
futbollit. Me ta fitoi disa herë kampionatin e trofe në disa turne, por edhe
duke e ngjitur skuadrën nga kategoria inferiore në kategorinë e parë të
Katalonjës. Kështu vazhdoi deri në vitin 2015, teksa iu rikthye jetës në Tiranë,
por jo përfundimisht.

 

 

 

NDESHJET/JAVA 14-të

Dje, datë 4 dhjetor 2016

Laçi-Luftëtari              2-2      

Korabi-Teuta              

Vllaznia-Skënderbeu  

Nesër, datë 6 dhjetor 2016

Flamurtari-Tirana                    18:00

Partizani-Kukësi                      18:00

RENDITJA

Skuadrat                   
Nd      Pikë

1. Kukësi                     13        27

2. Skënderbeu             13        27

3. Partizani                  13        24

4. Tirana                      13        22

5. Vllaznia                   13        18

6. Luftëtari                  14        15

7. Laçi                         14        11

8. Flamurtar     i           13        10

9. Teuta                       13        8

10. Korabi                   13        6

 

 

 

“Biografia” sportive, nga topat e leckës e deri në
Barcelonë

 

Natyrisht, që për moshën e Astrit Ziut do të ishin të pranueshme periudhat
e vështira, kur ai nisi që të mendonte për lojën me top, e më pas këtë lojë
futbolli ta interprentonte në të gjitha nivelet e mundshme. Dhe cili është
Astrit Ziu, ish-futbollisti i Tomorit të Beratit, i Partizani, i Luftëtarit dhe
i Kombëtares shqiptare të futbollit? I ardhur nga një familje me gjendje të mirë
ekonomike, Titi (kështu e thërrasin Astrit Ziun) shumë pak luajti me topat e
leckës, madje edhe ato shumë më të mira, pasi babai i tij Jani Ziu, ishte një
rrobaqepës që për këtë zanat kishte marrë njohuri në Francë. Nga moshat e vogla
tek të rinjtë e Tomorit, për Titin koha sportive do të kalonte shumë shpejt,
pasi në vitin 1963 trajneri Thanas Jançe (atëhere i sapo ardhur studimet në
Hungari) e afroi në skuadrën e të rriturve të Tomorit që luante në Kategorinë e
Parë (sot Kategoria Superiore). Katër vite në skuadrën e vendlindjes, me të cilën
luajti si sulmues, mesfushor i majtë e në fund mbrojtës i majtë, e afirmuan
Titin që të tërhiqte vëmendjen e skuadrave më të mira të kohës, si Partizani e Dinamo.
Dhe oferta e dyfishtë e Partizanit, vetëm në vitin 1967 e afroi në Tiranë, mes
emrave të mëdhenj, me të cilin në vitin 1968 ishte titullar i padiskutueshëm.
Edhe pse në sezonin 1968-1969 ai pati një “driblim” për të luajtur tetë muaj me
Luftëtarin e Gjirokastrës, rikthimi në majin e vitit 1968 e kishte bërë edhe më
të fortë e më të pjekur në lojën e tij karakteristike: forcë-driblim-finalizim.

Me fanellën e Partizanit, Ziu arriti të ishte jo vetëm titullar i kësaj
skuadre, por edhe i ekipeve përfaqësuese Shpresa U21, ekipi Olimpik dhe i
Kombëtares. Sukseset e Partizanit Kampion, fitues i Kupës së Republikës dhe
fitues i Kupës së Ballkanit, së bashku me skuadrën i dhanë edhe Astrit Ziut
autoritetin e një futbollisti absolut për rolin e tij si mbrojtës i majtë. Kjo
histori suksesesh, por me më pak trofe kombëtarë, vazhdoi deri në tetorin e
viti 1978 kur në moshën 32-vjeçarë si futbollist, Astrit Ziu i “vari këpucët në
gozhdë”. Më pas, pa u ndarë nga sportet e nga futbolli i Partizanit, Titi punoi
në dikasterin e Mbrojtjes dhe në Klubin e futbollit “Partizani”  si drejtues i tij, ku natyrisht që përvojën
si futbollist e përshtati mirë edhe me atë të drejtuesit. Përvojën e trajningut
Astrit Ziu e provoi edhe në Spanjë ku emigroi në vitin 2002, ku arriti që të stërviste
dhe drejtonte disa ekipe të moshave të vogla dhe të rinj, më pak edhe si
koordinues i disa ekipeve të futbollit. Kjo është “biografia” sportive e Astrit
Ziut, e cila në këto pak radhë është shumë më e vogël nga madhështia e viteve që
ai jetoi me futbollin në fushë e si drejtues. Sot një ndjekës i rregullt i të
triave: Kombëtares-Partizanit-Tomorit.